Albpetrol anulon ankandin për 31 mijë ton naftë, asnjë operator nuk shfaqi interes

Shpërndaje

Kompania Albpetrol njoftoi se është detyruar të anulojë ankandin për shitjen e 31 mijë tonëve naftë për shkak të mungesës së konkurrencës. Në një njoftim të shkurtër mbi këtë situatë kompania publike bëri me dije se asnjë operator nuk ka shfaqur interes për të blerë naftën ofertat për të cilën duhet të paraqiteshin deri në 6 shkurt 2020. Ky ishte ankadi i parë që kompania e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës në vend zhvilloi për këtë vit, ndërkohë që ankandi i fundit u mbajt në maj të 2019 kur u nxorën në shitje 75 mijë ton naftë. Në atë kohë blerja e naftës brut u bë nga  kompania “Al Global Oil” për një vlerë rreth 30 milionë dollarë.

Absurdi i interesit zero për naftën e Albpetrol vjen në kushtet kur Rafineria e Ballshit ka muaj që nuk punon duke argumentuar se Bankers nuk e furnizonte më me sasinë e nevojshme ndërkohë që ky i fundit sqaroi se nga rafineria nuk ishte respektuar pjesa e pagesës.

Në ankandin e fundit të Albpetrol u përcaktua se çmimi minimal fillestar për njësi ishte : 75.37 % e Çmimit Brent + K. Në pikat e lëvrimit: Çmimi minimal fillestar për njësi është: 75.37 % e Çmimit Brent – 2.49 USD/bbl + K. Sipas shpjegimit  75.37 % është koeficienti i cili përfaqëson karakteristikat mesatare të naftës (pesha specifike, aciditeti i naftës, % e squfurit). Brent është çmimi në USD/bbl i Brent i Platts, i publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik. Ndërsa 2.49 USD/bbl kosto mesatare totale (transport, magazinim, stokim, analizim produkti, sigurim). Në finale  K- është vlera USD/bbl e ofruar nga ofertuesi mbi çmimin minimal të shitjes të përllogaritur nga formula (K≥0).

Vendndodhja e naftës brut sipas dokumenteve ishte pranë Albpetrol sha Patos: Në pikat e lëvrimit Stacioni Usoje, Stacioni Visoke, Stacioni Gorisht, Stacioni Zharrëz, Stacioni Kuçovë, Stacioni Amonicë.

Sot Albpetrol ushtron aktivitetin e vet si kompani prodhimi në 11 vendburime nafte dhe 6 gazi natyror. Në shumë prej tyre sot, Albpetrol është partner me kompani private koncesionare për zhvillimin e këtyre aseteve.

Kompania Albpetrol administron vetë aktualisht  1.260 puse aktivë që prodhojnë naftë me një prodhim ditor rreth 280 ton.

Albpetroli  zhvillon aktivitetin e nxjerrjes së naftës në vendburimet Ballsh-Hekal, Kuçovë, pjesën Jugore të vendburimit Patos –Marinëz, Karbunarë , Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë.

Shpërndaje