
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka sqaruar se në lidhje me një ngarkesë prej 52 kg luleshtrydhe të importuara nga Greqia, janë ndjekur të gjitha procedurat përkatëse.
Sipas Planit të Monitorimit me Bazë Risku, më 17 shkurt 2025, produkti u dërgua për analizë laboratorike. Pas marrjes së rezultateve, AKU ndërmori masa për tërheqjen e produktit nga tregu, duke përdorur sistemin e gjurmueshmërisë. Nga të dhënat e shitjeve të paraqitura nga Operatori i Biznesit Ushqimor, rezultoi se e gjithë sasia ishte tashmë e shpërndarë.
Pas këtij rasti, u krye një vlerësim i riskut dhe produkti u kategorizua me risk të lartë. Si rrjedhojë, të gjitha Pikat e Inspektimit Kufitar janë udhëzuar të marrin mostra nga 10 ngarkesa radhazi me luleshtrydhe që vijnë nga Greqia dhe t’i bllokojnë ato deri në përfundimin e analizave laboratorike.
Ky veprim synon të garantojë që asnjë produkt mos të lejohet të hyjë në treg përpara verifikimit të plotë. Në varësi të rezultateve të analizave, do të merret vendimi për lejimin e importit apo kthimin e tij në vendin e origjinës.
AKU thekson se çdo rast që rezulton në shkelje të standardeve ligjore për produktet e importit, si në treg ashtu edhe në pikat kufitare, raportohet menjëherë në Sistemin e Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë – RASFF.