Aksidentet rrugore/Shqipëria me fatalitetet më të larta në Europën Juglindore, Sulçe: Raporti i UNECE, shqetësues…

Shpërndaje

Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara vlerëson se Shqipëria është vendi me fatalitetet më të larta nga aksidentet rrugore në Europën Juglindore. Sipas ekspertëve raporti evidenton mungesën e investimeve në infrastrukturën rrugore, ndërsa jep disa rekomandime për përmirësimin e situatës.  Ndërkaq në buxhetin e vitit 2021, qeveria ka planifikuar të japë me koncesion privatit sigurinë rrugore, por specialistët thonë se kjo është shmangie përgjegjësie nga institucionet.

Shqipëria mbetet vendi me fatalitetet më të larta nga aksidentet rrugore në Europën juglindore sipas vlerësimit të fundit të Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara.

Studimi evidenton pikat e zeza në rrugët e vendit, problemin me vendet e parkimit që janë kthyer në pengesë për transporti publik, duke e rënduar më shumë qarkullimin rrugor.

Eksperti i sigurisë rrugore, Artur Sulçe, thotë se kjo situatë e rënduar vjen për shkak të mungesës së ndërhyrjeve në infrastrukturë.

“Mirëmbajtjen e rrugëve, atë që kemi parë deri sot ose kemi audituar, kemi parë se nuk shikohet asgjë, vetëm pastyrime të thjeshta dhe jo ecje përpara.”

Kombet e Bashkuara rekomandojnë ndalimin e pijes gjatë drejtimit të mjetit, përfshirë dhe konsumimin e duhanit, por ekspertët thonë se për këtë duhet një fushatë e fortë ndërgjegjësimi.

“Qoftë për alkoolin, qoftë për duhanin mund të operojmë në të njëjtën mënyrë. Psh, drejtuesit e mjeteve të transportit publik mund të realizojnë kontrollin e tyre ose të ndalohet që gjatë derivimit mund të pihet duhan. Mund të ndaloni  por jo që të pini duhan gjatë derivimit sepse në një moment të caktuar mund të sjellë një aksident.”

Qeveria Shqiptare parashikon që vitin e ardhshëm të japë me koncesion sigurinë rrugore me formulën Partneritet Publik Privat, me një detyrim prej 5 miliardë lekësh.

Për ekspertin Sulçe, dhënia e sigurisë rrugore me koncesion për menaxhimin e pikave të zeza tregon se Ministria e Brendshme dhe ajo e Infrastrukturës janë dorëzuar dhe duan t`ia delegojnë përgjegjësitë privatit.

“Ata duan të shmangin përgjegjësinë e vet, po ja shesin përgjegjësinë një enti tjetër, një subjekti privat. Nga shteti po kalon shitjha e përgjegjësisë te një subjekt privat që do bëjë mirëmbajtjen dhe sigurinë rrugore.”

Në 11 muajt e vitit 2020 në Shqipëri janë regjistruar 1163 aksidente rrugore me 166 të vdekur.

Shpërndaje