Kanë ardhur në rënie aksidentet në vend sa i takon numrit të ngjarjeve por kjo nuk është shoqëruar me një numër më të ulët të jetëve të humbura si pasojë e tyre. Shifrat e fundit të Institutit të Statistikave për aksidentet në muajin nëntor tregojnë se numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore në këtë muaj është 21 persona nga 22 persona të vdekur në Nëntor 2018 ndërkohë që në njëmbëdhjete mujorin e 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 203 persona nga 190 persona në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Po kështu INSTAT raportoi se në muajin Nëntor 2019, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 144 persona nga 171 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 15,8 %. Numri i të aksidentuarve në njëmbëdhjete mujorin e vitit 2019 është 1.857 persona nga 2.129 persona, duke u ulur me 12,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Kjo vjen në kushtet kur në muajin Nëntor 2019 numërohen 109 aksidente rrugore nga 130 aksidente të ndodhura në muajin Nëntor 2018, duke u ulur me 16,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Në njëmbëdhjete mujorin e 2019, numërohen 1.363 aksidente rrugore nga 1.582 aksidente të ndodhura në njëmbëdhjete mujorin e 2018, duke u ulur me 13,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë” thuhet në njoftimin e INSTAT.
Ajo që vihet re është se në 76.1 për qind të aksidenteve në muajin nëntor, shkak janë bërë sjelljet e drejtuesve të mjeteve. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 32,1 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 22,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shifrat tregojnë për një ndërgjegjësim të këmbësorëve. Sipas INSTAT në njëmbëdhjete mujorin e 2019, aksidentet rrugore në 15,2 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 33,4 %, krahasuar me një vit më parë.