AKSHI bllokon Hipotekën. Nënshkrimi elektronik është jashtë funksionit. Qytetarët, pa shërbime…

Shpërndaje

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë të Informacionit ka bllokuar shërbimet në zyrat e Kadastrës, në mbarë vendin. Qytetarë, por edhe biznese, ankohen se nuk arrijnë të marrin shërbimet prej disa ditësh. Në një lidhje të drejtpërdrejtë për televizionin Klan, gazetarja Valbona Lilaj, ka treguar arsyet e bllokimit të shërbimeve në Kadastër.

– Cilat shërbime nuk funksionojnë?

Valbona Lilaj: Në fakt, shërbimet që kanë të bëjnë me sistemin e mirëmbajtjes që AKSHI i bën vulës elektronike dhe që lidhen drejtpërdrejtë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, janë ato shërbime që kanë të bëjnë me shitblerjen e pasurive të patundshme. Një situatë e tillë ka krijuar mjaft kaos për qytetarët, por qoftë edhe për bizneset, të cilat kërkojnë që të kryejnë të gjitha transaksionet e nevojshme për shitblerjen e pronave.

– Cila është arsyeja dhe qëndrimi që ka mbajtur AKSHI ndaj bllokimit të punës, në zyrat e Kadastrës?

Valbona Lilaj: Në fakt, ne jemi interesuar për të gjithë këtë problematikë që po shoqëron qytetarët edhe bizneset, dhe jemi në pritje të një përgjigjeje. Ndërkohë, deri më tani nuk kemi një përgjigje përfundimtare, se prej sa kohësh vijon ky problem dhe se kur do të marrë një zgjidhje për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve. Nga ana tjetër duhet thënë që, një problematikë e tillë është e përsëritur në kushtet kur përgjatë muajve të verës, pas kalimit nga sportelet në shërbimet digjitale me vulë elektronike, ka pasur problematika të shumta, të cilat për qytetarët nuk kanë arritur të marrin zgjidhjen e kërkuar. Kjo jo vetëm në çështjen e shitblerjes së pronës, por edhe në çështje të tjera të biznesit, për të gjitha ato shërbime që e kanë të nevojshme marrjen e nënshkrimit apo të vulës elektronike.

Tv Klan

Shpërndaje