AKEP heq kufizimin, operatorët celularë mund të ofrojnë përsëri tarifa më të lira për thirrjet brenda rrjeteve…

Shpërndaje

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) vendosi këtë muaj të heqë detyrimin e operatorëve celularë për të aplikuar tarifa të njëjta në thirrjet brenda rrjetit dhe ato jashtë rrjetit.

Kjo do të thotë se operatorët celularë do të jenë të lirë të aplikojnë përsëri tarifa preferenciale të thirrjeve apo mesazheve brenda rrjeteve të tyre.

Në dokumentin përfundimtar të analizës së tregut të telefonisë celulare, për tregjet me shumicë të terminimit të thirrjeve në rrjetet e telefonisë së lëvizshme,

AKEP ka gjykuar se kjo masë e ka dhënë efektin e saj, në përputhje me qëllimin e vendosur.

Sipas AKEP, që nga periudha kur është vendosur kjo masë rregullatore, situata e operatorëve të këtij tregu ka ndryshuar ndjeshëm, ku nga katër operatorë celularë tashmë në treg janë vetëm dy, me pjesë e tregu të përafërta për sa i përket numrit të pajtimtarëve.

AKEP argumenton se me strukturën e re të tregut me dy operatorë celularë, nuk ekzistojnë më stimujt e nevojshëm për aplikim të tarifave grabitqare për krijimin e grupeve të mbyllura.

Një faktor tjetër i rëndësishëm, sipas AKEP, është ulja e volumit të thirrjeve zanore, ndikuar nga rritja gjithnjë e më e madhe nëpërmjet aplikacioneve OTT, si për shembull whatsapp, të cilat kanë zëvendësuar në një masë të madhe thirrjet dhe mesazhet direkte nëpërmjet shërbimit të operatorëve celularë, duke shfrytëzuar nga këta të fundit vetëm shërbimin e të dhënave (internetin).

AKEP vlerëson se struktura e thirrjeve brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit është e balancuar për një periudhë relativisht të gjatë. Pesha e thirrjeve brenda rrjetit ka rënë nga 93% të totalit në vitin 2013, në 56% në vitin 2022.

Masa e mosdiskriminimit u vendos në vitin 2014, si përgjigje ndaj praktikës së diferencimit të lartë në tarifat me pakicë për thirrjet brenda rrjetit në raport me ato jashtë rrjetit. Një praktikë e tillë (i njohur në atë periudhë si efekti club), ishte sidomos një mekanizëm që operatorët më të mëdhenj e përdornin për të mbyllur trafikun brenda rrjeteve të tyre dhe për të mos lejuar rritjen e operatorëve me pjesë më të vogël tregu.

Operatorët me pjesën e tregut më të madhe shfrytëzonin bazën më të gjerë të pajtimtarëve, duke u ofruar incentiva në kohë komunikimi brenda rrjetit me çmime preferenciale. Përdorimi i një praktike të tillë dëmtoi rëndë dy operatorët më të vegjël celularë. Duke vlerësuar se një praktikë e tillë ishte antikonkurruese dhe abuzim me fuqinë e lartë të tregut, AKEP vendosi të ndalonte diferencimin e tarifave me pakcië për thirrjet brenda rrjetit me ato jashtë rrjetit.

Autoriteti i Konkurrencës dhe vetë operatorët janë kundër

Vendimi i AKEP për heqjen e detyrimit të mosdiskriminimit të tarifave mes thirrjeve brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit u kundërshtua në fazën e konsultimit publik nga Autoriteti i Konkurrencës. Në vendimin me qëndrimet e saj lidhur me analizën e tregut celular, Autoriteti i Konkurrencës u shpreh, në kushtet kur AKEP ende nuk ka realizuar një analizë të tregut të pakicës të tregut të telefonisë celulare për të ndërmarrë masat e nevojshme për rregullimin e këtij tregu, masa e mosdiskriminimit mes tarifave të thirrjeve brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit duhet të jetë ende në fuqi.

Madje, kundër vendimit të AKEP janë shprehur edhe të dy operatorët celularë.

Në komentet dërguar AKEP lidhur me analizën e tregut, Vodafone Albania është shprehur se tërheqja e kësaj mase rregullatore do t’u linte shteg operatorëve që të përfitojnë në periudha të caktuara dhe të rihapin një luftë çmimesh me njëri —tjetrin, si edhe do të krijonte mundësinë që operatorët të aplikojnë tarifa preferenciale brenda rrjetit, që do të sjellin automatikisht humbje të të ardhurave, veçanërisht në kohë “lufte çmimesh”. Gjithashtu, sipas Vodafone Albania, nga pikëpamja e eksperiencës konsumatore kjo do të krijojë konfuzion për klientin për të kuptuar e kombinuar produktet, kur në treg ka aktualisht një gamë të gjerë produktesh e shërbimesh.

Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe operatori tjetër, One Albania, që gjykon se kjo masë nuk duhet të hiqet, pasi në çdo rast ruan konkurrencën e lirë dhe të ndershme në treg dhe shmang stimujt për praktika antikonkurruese nga ana e operatorëve, duke kufizuar zgjedhjen e biznesit dhe duke lejuar potencialisht një lojtar të madh të dëmtojë konkurrencën.

One Albania çmon se heqja e detyrimit të mos-diskriminimit on-net/off-net shoqëruar edhe me reduktimin e tarifave të terminimit, ekspozon vetëm shoqërinë One Albania me zhvillime jo pozitive të tregut celular.

Pavarësisht kundërshtimit nga të gjitha palët e shprehura në konsultim publik, AKEP e ka miratuar propozimin e vet për heqjen e këtij detyrimi. Në përgjigjen dhënë operatorëve dhe Autoritetit të Konkurrencës, AKEP, mes të tjerash, shprehet se, në rolin e rregullatorit ka në konsideratë jo vetëm mbarëvajtjen dhe shëndetin financiar të dy rrjeteve celulare të cilat duhet të rezultojnë në nxitje të investimeve dhe rritjes së cilësisë së shërbimit, por edhe konsumatorin fundor për rritjen e mundësive të tyre për përfitimin e produkteve/shërbimeve përkatëse me një ofertë të arsyeshme dhe racionale nga ofertuesit e tij, të krahasueshme dhe me vendet e rajonit dhe më gjerë mbi cilësinë, përmbajtjen e paketave dhe çmimin final të tyre.

“…arsyet bazike lidhen me faktin se tashmë situata në të cilën ndodhet tregu i telefonisë celulare ka ndryshuar, duke pasur vetëm dy operatorë celularë, kjo edhe në mungesë të MVNO-ve (operatorëve të rrjeteve virtuale) në këtë treg, me bazë pothuajse të njëjtë të pajtimtarëve, në kushtet e një niveli të ulët të tarifave të terminimit afër kostos eficente të shërbimit të terminimit dhe në simetri të plotë të tyre. AKEP e ndërmori masën e mosdiskriminimit on-net vs offnet në vitin 2014 në një treg me 4 operatorë mobile dhe në kushtet e tarifave të larta të terminimit të thirrjeve, ku thirret drejt rrjeteve të tjera celulare bashkë me efektin ‘Club ‘ penalizonin operatorët më të vegjël në treg kundrejt operatorëve që kishin pjesë më të madhe tregu. Ky ka qenë dhe faktori kryesor që AKEP përcaktoi këtë masë rregullatore. Në kushtet kur ulja e volumit të thirrjeve voice është reduktuar ndjeshëm në favor të rritjes së thirrjeve nëpërmjet shërbimeve OTT, dhe kur pjesët e tregut të dy operatorëve mobile Vodafone Albania dhe One Albania janë të ngjashme, me një strukturë të balancuar të pajtimtarëve dhe të thirrjeve, AKEP vlerëson se aplikimi i kësaj mase rregullatore nuk është më i nevojshëm,” thuhet në argumentimin përfundimtar të AKEP./E.Shehu/Monitor/

Shpërndaje