Izolimi duket se ka edhe të mirat e veta. Kujtimet e së shkuarës po dalin nëpah gjithnjë e më shumë në këtë kohë pandemie. Një histori tejet interesante na e rrëfen edhe Armir Grima, ish-portieri i Vllaznisë dhe aktualisht trajner i ekipit kombëtar të futbollit të femrave.
Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” ai zbulon një skenë që u ka ndodhur në ’98-ën, teksa ktheheshin nga Gjirokastra në Shkodër. Ishte kohë bandash dhe vjedhjesh, e megjithatë kuqeblutë shpëtuan paq në Torovicë.
Ish-kapiteni i Vllaznisë nuk kishte si të mos fliste edhe për ekipin e zemrës dhe problematikat e tij, ndërsa nuk ka ngurruar që të komentojë idenë e Ilir Dajës për të mbyllur këtu kampionin dhe sezoni i ri të nisë me 12 skuadra.
Armir, po bëhen dy muaj pa futboll. A kujtoni ndonjë episod gjatë karrierës suaj, që kampionati të jetë ndërprerë kaq gjatë?
Mbaj mend ’97-ën në fakt. Kampionati u ndërpre nga trazirat e atij viti, por prapë ishte një situatë krejt tjetër nga kjo e tanishmja. Asokohe kishim mundësi për t’u stërvitur, me gjithë problematikat e mbrapshta të atij viti. Ndërsa sot është një situatë e padëgjuar dhe mendoj e papërjetuar jo nga brezi ynë, por as nga brezat e mëparshëm.
Në vitit ’97 kampionati rinisi në verë, ndonëse u vendos që asnjë nga skuadrat të mos binte nga kategoria. Çfarë kujtoni më shumë nga ai sezon?
Rinisja ishte thjesht formale, sa për ta mbyllur kampionatin. Të paktën kështu e kujtoj unë. Ai kampionat u bë me grumbullim në Tiranë dhe Vllaznia doli në vend të dytë. Dhe keni të drejtë, pasi mbaj mend që nuk ra asnjë ekip nga kategoria. Ajo periudhë mbahet mend për vështirësitë e mëdha që hasnim pothuajse në çdo fushë të jetës. Udhëtimi, ndeshjet, tifozët, një kampionat ku pothuajse nuk figuronte shteti, por futbolli me gjithë këto vështirësi vazhdonte.
Si mendoni se duhet të veprojë FSHF-ja për këtë sezon. Mos duhet t’u japë edhe një shans skuadrave që rrezikojnë, në rast se nuk do të nisë më kampionati?
Se si duhet të veprojë FSHF-ja, besoj u prononcua shumë qartë edhe presidenti i saj. Do të veprohet duke ndjekur edhe vendimet e UEFA-s. Për mua do ishte mirë që verdikti të jepet në fushën e lojës, sepse kjo është bukuria e futbollit. Duke ndjekur me shumë interes edhe fjalët e doktor Pëllumb Piperos, besoj se qeveria duhet të japë një udhëzim edhe për sportet. Gjithçka tani është në dorën e saj.
Ilir Daja mendon se pas dy muajsh pa stërvitje, më mirë sezoni të mbyllet këtu dhe në shtator të nisë me 12 skuadra. Si ju duket kjo ide?
T’u jepet një afat për stërvitje ekipeve. Futbolli duhet të vazhdojnë në fushë, që çdo ekip të marrë atë që i takon. Besoj se edhe vendimi për 5 zëvendësime është ndihmë për çdo skuadër. Mbyllja e një edicioni do ishte katastrofike dhe do dëmtonte të gjitha ekipet e futbollit, jo vetëm të meshkujve, por edhe femrave apo moshave. Nëse qeveria vendos që të mos vazhdojë, atëherë do të mbetet e njëjta renditje që është aktualisht. Unë nuk jam dakord në fakt për shtimin e ekipeve, sepse është vërtetuar që skema më e mirë është ajo me 10 dhe do isha dakord që të vazhdonte e tillë.
Dhe për ta mbyllur, duam që të na rrëfeni momentin më me humor që keni përjetuar si futbollit?
Kur po ktheheshim nga Gjirokastra në Shkodër dhe në darkë vonë na u prish autobusi në Torovicë. Bëhej fjalë për 1998-ën. Torovica në atë periudhë ishte zonë ku bëheshin grabitje nga bandat dhe ishte e vështirë të kaloje ditën e jo më natën. Ne kishim fshehur paratë, orët e gjithçka që kishim të çmuar në vende të ndryshme në autobus dhe ishim gjithë ankth duke pritur kur po na vinin bandat aty. Prit e s’ka, prit e s’ka. Shoferi vazhdonte të bënte të pamundurën për të rregulluar autobusin dhe në një moment që nuk po fliste asnjëri, Gjergj Shllaku, sulmues i Vllaznisë në atë periudhë, ia pret me qetësinë që e karakterizonte: “Djema rrini rehat, se na ka taku ndërrimi i turneve”. Aty plasi gazi dhe u kalua ajo situatë me të qeshura, derisa mbërritëm në Shkodër./PanoramaSport/