Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i përgjigjet mjekut të njohur infeksionist, Tritan Kalo, i cili doli kundër propozimit të tij për uljen e pagave të punonjësve të administratës dhe pensioneve.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, Beqaj deklaroi se në shkrim është shprehur që nga ky propozim duhen përjashtuar ata që janë në vijën e parë të frontit në betejën me koronavirusin.
Beqaj tha me ironi se habitet se si një mjek, që është në vijën e parë të betejës, gjen kohë të shkruajë e komentojë për propozimin e tij.
“Ai ka reaguar i pari, dhe mesa kam parë tekstin më rezulton që ai e ka lexuar. Por përsëri nuk ka arritur të kuptojë thelbin e kërkesës time të përdorimit të parave publike me standard të njëjtë. Nga ana tjetër habitem se si mjeku që ju thoni gjen kohë të lexojë, të shkruajë, të dalë nëpër studio, ndërkohë që është atje në vijën e parë të frontit. Kjo më habit. Po ta shikosh me kujdes shkrimin, them përjashtuar ata që janë në vijën e frontit. Për cfarë është ndjerë i prekur? Nëse e ka lexuar të bardhe mbi të zezë? Vetë ai nëse e ndjen veten në vijën e parë të frontit, të paktën individualisht nuk prekej” tha Beqaj, ndërsa komentoi edhe akuzat e ngritura nga mjeku.
“Aty kishte akuza për politikanët për 30 vjet. Nuk ndihem i prekur se e di që nuk janë të vërteta. As për mua as për shumicën e bashkëpunëtorëve të mi. Ajo që më shqetëson është bërja pis e figurës së politikanit që unë mendoj, nuk i shërben mirë të ardhmes së vendit edhe nëse unë nesër të mos jem fare në politikë. Sepse kushdo i ri apo e re që mund të mendojë të futet në politikë, mund të ndjehet i tërhequr, sepse thotë si mund të bëhem pis. Dhe kjo nga ana tjetër e ul edhe besimin e figurës së politikanëve në shoqëri. Ndërkohë që duam apo s’duam shoqëria jonë është e ndërtuar edhe me politikën. Dhe në këtë ditë të gjithë njerëzit e duan zgjidhjen nga kryeministri.”– vijoi më tej Beqaj, duke theksuar se nuk ndjen asnjë pendesë për idetë e shprehura në shkrimin e tij.
“Kriza është shumë e rëndë. Do të zgjasë, është botërore dhe është botërisht edhe krizë mendimi, sepse askush s’po merr përsipër t’i japë asnjë lloj propozimi si duhet të shkohet.”
(BalkanWeb)