Në këtë kohë pandemie kujdesi ndaj personave në nevojë merr një rëndësi të veçantë. Larg vëmendjes së të gjithëve dhe larg familjes, puna e tyre rikthehet në mision tepër fisnik.
Prej rreth 50 ditësh, 9 punonjëse të qendrës së zhvillimit në Shkodër janë mbyllur në godinë për ti shërbyer pa kushte rreth 40 personave me aftësi ndryshe rezident në këtë qendër.
Irena Çallaku, ka shtatë javë që fëmijët e saj, i sheh vetëm në mënyrë virtuale. Irena shprehet se për disa javë qendra sociale është kthyer në shtëpinë e saj të dytë ndonëse një përqafim i fëmijëve i mungon shumë. “Kanë shumë nevojë për ne në këto momente dhe janë bërë si familja jonë e dytë”, tregon ajo.
Ermira është nga punonjëset më të vjetra në këtë qendër dhe gjithashtu shumë e lidhur me fëmijët. Ajo tregon se në fillim e kishte të vështirë vendimin për tu mbyllur në këto ambiente për shkak të problemeve shëndetësore të të shoqit.
“Vendimi me thënë të drejtën ishte pak i vështirë, pasi pata një problem në familje. Një javë para se të hyja në karantinë, burrin e kisha të sëmurë dhe kam ndenj një javë të plotë bashkë me djemtë e mi në spital Ata janë si të gjithë ne dhe nuk kanë asgjë ndryshe. Ne i duam fort dhe i konsiderojmë si fëmijët tanë. U qëndrojmë gjithmonë afër, për këtë kemi lënë dhe familjen”, shprehet Ermira.
Genti dhe Luisi rezident në këtë qendër janë shumë të lidhur me kujdestaret të cilat zëvendësojnë familjet e tyre të munguara.
“Ia kemi kaluar mirë, kemi bërë aktivitet dhe jemi organizuar me punë. E njëj në zemër që kanë qëndruar për ne dhe i falënderoj për punën që kanë bërë”, thotë Genti.
“Dua të falënderoj të gjithë personelin e qendrës sepse kanë sakrifikuar për ne. Kanë lënë familjet e tyre dhe kanë ardhur për të punuar. I falënderoj me shumë zemër, dhe i dua fort”, shprehet Luisi.
Drejtori i kësaj qendre zhvillimi shprehet se punonjëset janë shprehur shumë të gatshme për të shërbyer në këto ditë si dhe janë marrë të gjitha masat që personeli të kryej ekzaminimet mjekësore për të minimizuar rrezikun në këtë qendër. Sakrifica e punonjësve të kësaj qendre për t’i qëndruar pranë njerëzve me aftësi ndryshe merr një vlerë të veçantë në këto kohë pandemie.