
Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një nga personat e dyshuar të përfshirë në dhunimin e drejtorit të AKU Shkodër, Ramir Haderi.
Në pranga ka rënë shtetasi Elis Çela, banues në lagjen “Kiras” të Shkodrës, i cili dyshohet se ka transportuar me automjet personin tjetër, që më pas ka ushtruar dhunë ndaj drejtuesit të AKU-së.
Ndërkohë, policia ka identifikuar edhe autorin e dyshuar kryesor të ngjarjes, i cili është shpallur në kërkim. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ngjarja ka ndodhur më 21 maj, në mbrëmje, në lagjen “Rus” të Shkodrës, ku drejtori i AKU-së u godit me sende të forta nga një person dhe më pas autori është larguar nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e sulmit, Haderi ka pësuar një plagë në vetull dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital është larguar për në banesë.
Një ditë pas ngjarjes, ai reagoi duke deklaruar se asgjë nuk do ta ndalë në ushtrimin e detyrës.
Sipas dyshimeve paraprake, ngjarja lidhet me detyrën e tij, ndërsa personat e përfshirë dyshohet se janë të paguar dhe se pas tyre mund të qëndrojnë edhe porositës të tjerë. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.

