Kur të shkruhet fjalori i qytetërimit shqiptar, do ketë kapitullin më kuptimplotë. Nuk është një qytet, është qyteti; nuk është një dialekt, është gjuha.
Shkodra i ngjan bash breshkës që me konsekuencën e saj ia kalon në fund edhe Akilit.
Ndër qytetet e letërsisë, është ai që shqiptarët njohin më mirë. Dhe i tillë ka mbetur edhe sot, kur po fillojmë ta njohim prapë. Ka mbetur si një estetikë e fshehtë, pa bujë, me rreze drite të drejta e që nuk kthehen mbrapsht.
Ata që nuk u rritën në këtë djep, vazhdojnë ta quajnë “djepi”. Por për ata që këtu hodhën shtatin e lidhur të personalitetit të tyre, ky është shtrati dopjo i kulturës së vërtetë. Këtu fjala është napoleon arit e jo kartëmonedhë false.
Këtu kultura e natyra bashkëjetojnë natyrshëm.
Dhe janë njësoj të thjeshta e të harlisura, ushqyese për shpirtin e dëfryese për shqisat. Bukuria e kësaj treve xiglon ndër detaje ku shkëndrit urbanizmi i dikurshëm, me gjurmë që kanë mbetë prej “belle époque”-s, me biçikleta panumër që komunikojnë ekuilibër, e me dimensionin bio të gjallimit që këndell.
Protagonizmin ajo ia lë pëllumbave, që me gugatjet e tyre të paqta popullojnë lagjet e saj. Poezive që mbushin librat e saj. Ia lë fëmijëve që rrëshkasin me patina në rrugët e qeta të qendrës. Të rinjve që kërkojnë pak punë e pak dashni.
Në të vërtetë, të gjithë këtu bëhen modestë, të zbutur prej madhështisë së saj.
Ndjej se zotni këtu do të thotë xhentëlmen. Ndjej se i kenun do të thotë i pasur me qenie.
Shoh bukuroshet e dikurshme që prorë shtatdrejta pijnë nektarin e mëngjeseve të ngeshme. Me shikimet e gjestet e qashtra të thonë se dashnia është fundi i botës e fillimi i çdo bote.
Shkodra. Përvoja është shkenca e saj. Të jetuarit specializimi i saj.
Shoh sesi me shpirt kritik e të pasionuar, ajo i dashuron ata që punojnë. E i shpërfill mikroborgjezët e vet, që bëjnë të pamundurën për të mos punuar, dhe kur ia arrijnë, besojnë se kanë gjetur sekretin për të jetuar mirë, “dijen me jetue”.
Por vetëm ajo din me jetue, dhe ka një jetë të fshehtë, të fshehtë si thesaret e saj, si gjuha e saj, si drita e saj, si sakrificat e saj. Dhe sacrificio do të thotë: me ba diçka të shenjtë.
E gatshme me ta mbyllë gojën me një gjest, a me të dashurue marrëzisht. Ajo të thotë me sy e ndër sy: nëse s’kemi dashni bashkë s’kemi asgjë.
Ajo të mëson se kultura gatuhet, nuk bëhet për të ngrënë.
Shoh sesi ajo e mbron gjuhën e saj, ku përdoren më shumë fjalë e ngjizen më shumë koncepte se në çdo qendër tjetër të shqiptarisë. Shoh sesi ata që kthehen këtu e heqin maskën, të pranishëm në vështrimin e kësaj nëne të sinqertë e burrneshë.
Shoh se këtu ka kulturë e nuk ka nevojë për kulturologji. Gjej këtu pasqyrën (speculum), e nuk gjej spekulimin. Gjej natyrën e natyralizohem sërish.
Lexoj Mjedën, Koliqin, Migjenin e më rikthehet shija e të lexuarit shqip. Bashkë me shijen për modernitet, me shijen për muzikë e për të bukurën.
Në të vërtetë ajo është plakur. Por të gjithë herët a vonë, plakemi, dhe më e rëndësishmja është të plakesh mirë.
Të ruash kthjellësinë dhe dashurinë për jetën deri në fund. Shoh se ajo vuan, ngase pretendon më shumë nga vetja. Pretendon të jetë e dobishme, por dobia e saj më e madhe është në bukurinë e saj.
Veç, metabolizmin e ka të mirë. Ajo integron dhe nuk disintegron. Kurrë nuk i mori seriozisht ata që flasin shumë. Kurrë nuk i brendësoi bëmat e atyre që vuajnë nga energjia e tepërt.
Këtu kurrë nuk lëshoi rrënjë realizmi socialist, as realizmi socialist sovjetik, as realizmi socialist turk, as realizmi socialist amerikan. Sepse nuk i rri përshtat asnjë ideologji, pasi është vend idesh. Dhe më mirë sesa të kopjojë të tjerët, përsërit vetveten, si natyra.
Kur u përmbyt disa herë rrjesht, shkodranët nuk bënë zhurmë. E jo se janë pro qeverisë, por ngase janë të ndërgjegjshëm. Në thelb ata e dinë, se të ashtuquajturat “fatkeqësi të natyrës”, janë fatkeqësi që ne i shkaktojmë natyrës e që mandej kthehen në fatkeqësi që natyra na shkakton ne. E këtu njeriu e ndjen më shumë se kudo, se jemi qenie prej uji.
Me lirinë e fëmijës, është e PARA që na e thotë kur “mbreti është lakuriq”.
Besoj me mendje e zemër që, nëse kultura apo demokracia shqiptare nuk gjen përgjigje, kjo shpesh vjen ngase nuk ka pyetur Shkodrën. Prandaj mbetëm duke pyetur të huajt. Është njësoj sikur Greqia që në vend të pyeste Athinën, pyeste Kostandinopojën a Moskën.
Kur të shkruhet fjalori i qytetërimit shqiptar, do ketë kapitullin më kuptimplotë.
Nuk është një qytet, është qyteti; nuk është një dimension i shqiptarisë, është dimensioni vertikal; nuk është një dialekt, është gjuha. Ata që e kanë lidhë fatin e vet me ‘të, kanë guxuar gjithçka.
Ata mund të fitojnë shumë, ose të humbasin me nder.
Me ngadalësinë e pleqërisë së urtë, Shkodra i ngjan bash breshkës që me konsekuencën e saj ia kalon në fund edhe Akilit./Astrit Cani