Nga 1 janari ka hyrë në fuqi rregullorja e re e AMF për përcaktimin e primit të sigurimit mbi bazën e faktorëve të riskut. Sistemi i ri sigurimit të makinave, bonus malus, parashikon që primi i sigurimit për një automjet të llogaritet mbi bazën e historikut të dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit, fuqisë motorike, moshës së të siguruarit, eksperiencës në drejtimin e mjetit motorik, vjetërsinë dhe qarkun e regjistrimit të mjetit, por edhe nëse automjeti përdoret nga subjekt, apo individ.
Për shembull, një individ i ri në moshë dhe që ka pak eksperiencë në drejtimin e një automjeti me fuqi të madhe motorike të regjistuar në qarkun e Tiranës, por që ka shkaktuar gjithashtu edhe aksidente të tjera më parë, do të paguajë një prim sigurimi më të lartë.
“Faktikisht, sistemi bonus-malus është një praktikë që është aplikuar në vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë, dhe së fundmi, është menduar të aplikohet edhe në Shqipëri. Është një sistem që ka pasur për qëllim të ulë numrin e aksidenteve dhe të rriten parametrat e sigurisë rrugore. Për vlerësimin e sistemit bonus malus, çdo drejtues automjeti ose çdo përdorues mjeti do të bazohet në historikun e tij të dëmeve, por duke filluar nga 2025 dhe mbrapa, nuk është prapaveprues. Është një mekanizëm që çdokush të marrë atë që meriton, por nga ana tjetër, do të ndikojë në xhepin e qytetarëve”, u shpreh eksperti i aksidenteve rrugore Fadil Likaj.
Një ndër synimet e skemës së re të sigurimit të makinave është që të ndërgjegjësojë drejtuesit e automjeteve për të qenë më të kujdesshëm në rrugë.
“Siguria rrugore, domethënë sistemi bonus-malus do të ketë një ndikim, por nuk do të jetë determinant në uljen e numrit të aksidenteve”, nënvizoi ndër të tjera Likaj.
Skema e re bonus-malus aplikon koeficientë më të ulët në përllogaritjen e primit për ata që kanë sjellje më të përgjegjshme.