Një anije ushtarake italiane është nisur nga porti i Lampeduzës me një grup emigrantësh në bord me destinacion qendrat e pritjes fillimisht në Shëngjin dhe më pas në Gjader në Shqipëri, të cilat tashmë janë bërë zyrtarisht funksionale. Ky është transferimi i parë pas marrëveshjes mes qeverisë Meloni dhe asaj të kryeministrit shqiptar Edi Rama të nënshkruar në nëntor 2023.
Në Lampeduza kishte një përzgjedhje të personave që do të transferoheshin, të cilët, sipas protokollit, duhet të vijnë nga vende të sigurta, të jenë burra dhe ‘jo të cenueshëm’. Marrëveshja Itali-Shqipëri parashikon që qendrat shqiptare mund të strehojnë deri në 3 mijë persona të cilët do të qëndrojnë “aq sa është e nevojshme për të përfunduar procedurat e aplikimit për azil dhe mundësisht riatdhesimin”.
Struktura në portin e Shëngjinit do të shërbejë si pritja e parë dhe do të mundësojë kryerjen e procedurave të identifikimit. Në Gjiadër, në veriperëndim të Shqipërisë, u ndërtua një qendër model CPR për fazat e mëvonshme, me qëllim riatdhesimi.
“Në objektet e Shëngjinit dhe Gjaderit, në tokën shqiptare, por nën juridiksionin italian dhe europian, do të shqyrtohen kërkesat për azil të emigrantëve dhe do të ndalohen personat në pritje të dëbimit dhe riatdhesimit, me një aplikim ekstraterritorial të ndalimit administrativ”, shpjegon Amnesty International.
Opozita italiane ka qenë kundër marrëveshjes me Shqipërinë dhe për rrjedhojë edhe kundër këtij transferimi të parë. “Ato në Shqipëri nuk do të jenë qendra strehimi, ato në fakt do të jenë vende ku zbatimi i ligjit italian dhe ai europian në fakt do të jetë i pasigurt ose i pezulluar totalisht,” kanë akuzuar përfaqësuesit e opozitës.
Senatori i Partisë Demokratike Michele Fina flet për “harxhimin e gati një miliardë eurove të taksapaguesve italianë për një strukturë që shkel ligjin ndërkombëtar dhe për të cilën Italia është nën vëzhgimin e BE-së. Të njëjtat burime mund të përdoren, për shembull, për kujdesin shëndetësor, për të shkurtuar listat e pritjes ose për të punësuar mjekë dhe infermierë”./scan/