Dosier/ Mars 1993: Kur Pjetër Arbnori rrëfente në parlament takimin me të vejën e diktatorit në qelitë e burgut…

Shpërndaje

“Shkova në burg për të parë kushtet e Nexhmije Hoxhës dhe pashë drejtorin e burgut, të njëjtin që më kishte futur shumë herë në birucë, të zhveshur, në të ftohtin minus 15 gradë. Nuk ia kujtova torturat që më kishte bërë, sepse e dija që ai ishte thjesht një shërbëtor, jo autori i diktaturës”.

Ndërtimi i themeleve të demokracisë mbi plagët e së shkuarës ishte sfida kryesore në fillimet e pluralizmit politik në Shqipëri. Një përplasje e ashpër mes kujtesës historike dhe përpjekjeve për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë. Padyshim, ky rrugëtim nuk do të ishte i lehtë, sepse individët që zunë vend në elitën e re ishin produkt i një procesi të negociuar, më shumë sesa i një përmbysje reale të sistemit diktatorial. Pas 45 vjetësh diktaturë, kishte pak shenja të mbetura nga procesi i asgjësimit të elitës intelektuale të Shqipërisë. Personazhet që vinin nga shtresa e të dënuarve politikë në elitën e vitit 1990 ishin të paktë. Një nga më të rëndësishmit ishte Pjetër Arbnori. Ka shumë fjalime të tij në parlamentin e Shqipërisë, dhe një pjesë nga njëri prej tyre, lidhur me miratimin e disa ligjeve për liritë dhe të drejtat e njeriut, është veçanërisht domethënëse.

Në këtë fjalim, Arbnori përballet me xhelatët e tij të 28 viteve burg nën diktaturë, të cilët gjenden në poste drejtuese, në ministri e madje edhe në ambasadat e Shqipërisë jashtë vendit. Ai jep dëshmi të rëndësishme për mënyrën si Partia Demokratike dhe lideri i saj, Sali Berisha, po drejtonin vendin. Ai tregon qartë vazhdimësinë e njerëzve të sistemit diktatorial në çdo zyrë të shtetit. Kjo nuk ishte rastësi, por reflektim i parullës “Bashkëvuajtës e bashkëfajtorë”, fraza që barazoi xhelatët me viktimat dhe i hapi rrugën një tranzicioni të stërzgjatur që vazhdon edhe sot, me shpresën që venitet gjithnjë e më shumë. Ndaj, Sali Berisha mbetet ende në krye të PD-së dhe në elitën drejtuese të dy anëve janë thuajse të njëjtët njerëz, me rrënjë të thella në të shkuarën e errët.

Të gjithë diskutantët e majtë thanë se janë pro lirisë së njeriut, por nuk do të votonin në favor të ligjeve përkatëse, duke pretenduar se që nga rënia e komunizmit, liritë po shkelen me të dyja këmbët. Por le të shohim konkretisht gjërat. Çdo ditë kur shkoj në Parlament, në zyrë apo diku tjetër, shoh herë një fytyrë të njohur, herë një tjetër. Vjet, në një radhë me mua, ishte një deputet komunist që kishte shqyrtuar dosjen time për dënim me vdekje. Nuk i thashë asnjë fjalë të keqe, thjesht e përçmova duke kthyer kokën anash.

Shkova në burg për të parë kushtet e Nexhmije Hoxhës dhe pashë të njëjtin drejtor që më kishte futur shumë herë në birucë. Nuk ia kujtova torturat, se e dija që ai ishte veç një shërbëtor i diktaturës. Në një qytet tjetër, takova ish-gjykatësin tim, i cili, pas 18 vjetësh burg, më shtoi edhe 12 të tjerë pa arsye, sepse kisha shkruar një roman human. Ai u fsheh, duke menduar se do hakmerresha. Një ditë tjetër, erdhi në zyrën time një burrë që më kishte shkaktuar vuajtje të mëdha, por sërish nuk e fyeva.

Në një ambasadë takova dikë që kishte qenë kryetar dege në Burrel dhe përpiqej të gjente dëshmitarë të rremë për të më dënuar me vdekje për herë të dytë. Nuk ia përmenda torturat, por e dëgjova për sëmundjen e vajzës së tij. Një tjetër torturues i imi, Kopi Niko, kryetar i degës së punëve të brendshme në Durrës, kishte arrestuar jo vetëm mua, por edhe hallën dhe nënën time plakë. E përmenda emrin e tij, sepse kam dëgjuar që ka vdekur. Nëse është e vërtetë, le të japë llogari në ferr. Nëse është gjallë, le të jetë i sigurt që nga unë nuk do t’i vijë asgjë tjetër veç përbuzjes”, Pjetër Arbnori, fjalim në parlament, mars 1993./VNA/

Shpërndaje