Euro vazhdon rënien, i drejtohet kufirit të 99 lekëve…

Shpërndaje

Euro po vijon rënien në kursin e këmbimit dhe po i drejtohet kufirit të 99 lekëve.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 99.28 lekë, duke shënuar një minimum të ri historik. Rënia vjetore e kursit të euros po shpejtohet përsëri dhe ka arritur tashmë në 6.7%. Agjentët e këmbimit valutor shprehen se në ditët e fundit kërkesa për euro paraqitet edhe më e ulët.

Edhe dollari amerikan ka vijuar më tej rënien dhe u këmbye të martën me 89.12 lekë dhe ngelet në nivelet më të ulëta të 15 viteve të fundit.

Banka e Shqipërisë arriti ta mbante kursin e këmbimit të euros sipër nivelit të 100 lekvë deri në muajin gusht. Por, tërheqja e Bankës Qendrore ka rikthyer presionet nënçmuese mbi euron, në vijimësi të tendencës së viteve të fundit.

Euro po zhvlerësohet për shkak të ofertës së lartë të monedhës europiane, që mund të shpjegohet sidomos me turizmin dhe investimet e huaja. Përveç vlerave të larta të investimit në pasuri të paluajtshme në vitet e fundit, një risi e këtij viti është rritja e investimeve të portofolit. Këto investime konsistojnë kryesisht në blerjen e titujve të borxhit të qeverisë shqiptare nga investitorë të huaj.

Për 6-mujorin 2024, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 749 milionë euro, gjithashtu niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit. Vlera e investimeve të huaja direkte paraqitet në rritje me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera e invesimeve të huaja direkte e ka tejkaluar me 30% vlerën e deficitit të llogarisë korrente.

Ndërkohë, edhe politika fiskale e qeverisë vazhdon të mbështesë forcimin e lekut, duke tkurrur ofertën e monedhës vendase në treg. Në fund të 7-mujorit, suficiti buxhetor arriti një rekord për periudhën, në vlerën e 55 miliardë lekëve, në rritje me 22% krahasuar me 7-mujorin e vitit të kaluar.

Deri tani, forcimi i paprecedent i lekut në kursin e këmbimit ka ndihmuar në uljen e ndjeshme të inflacionit dhe të borxhit publik në valutë të huaj.

Në përgjithësi, subjektet me të ardhura në lekë dhe shpenzime në valutë kanë patur përfitime në bilancet e tyre, duke përfshirë qeverinë shqiptare, importuesit e mallrave dhe shëbrimeve dhe huamarrësit vendas në valutë të huaj.

Nga ana tjetër, forcimi i vazhdueshëm i lekut ka dëmtuar eksportuesit e mallrave dhe shërbimeve, ka ushtruar presone rritës embi çmimet e pasurive të paluajtshme, si edhe ka ulur vlerën e kursimeve në valutë të publikut./MONITOR/

Shpërndaje