ARTIZANATI NË VAU DEJËS…

Shpërndaje

Artizanati në Vaun e Dejës është trashëguar brez pas brezi, duke bërë qe gratë dhe vajzat e kësaj zone të ushtrojnë këtë traditë me fanatizëm të rrallë dhe krenari, sidomos në tezgjah.Vitet e fundit ato janë bashkuar në përpjekje jo vetëm për t’u vetëpunësuar, por edhe për të përcjellë traditat e pasura të zonës në punimin e veshjeve tradicionale, por edhe të pëlhurërave. Pas vitit 1997, një pjesë e grave të zonës u bashkuan duke krijuar grupin “Artizanet e Vau Dejës”.

Pikërisht artizanati ishte ai që u erdhi në ndihmë më shumë se çfarëdo banorëve të Vaut të Dejës në krizën ekonomike për shkak të pandemisë, pasi filluan të prodhojnë maska të bëra me dorë kundër virusit vdekjeprurës. Megjithatë, gratë e Vaut të Dejës shprehen se artizanati po lihet në harresë, dhe për këtë kanë ndërmarrë një projekt me qëllim edukimin e të rinjve drejt punëve të dorës dhe ruajtjen e traditës brez pas brezi.

Në zonën e Vau të Dejes mund të jenë rreth 10-15 familje, të cilat sigurojnë të ardhurat nga puna në tezgjah. Edhe në Mjedë, Hajmel e Shelqet, pak familje të tjera merren ende me tezgjah.

Ndërsa gratë artizane punojnë pikërisht ato produkte të cilat ecin më shumë, pasi duke qenë për kaq gjatë në treg i njohin edhe kërkesat e klientit.

Punët e dorës së grave janë ato që më së shumti i kanë rezistuar kohës, deri në ditët e sotme. Sofrabezet e prodhuara nga gratë zadrimore, por jo vetëm, janë të një cilësie të lartë dhe tepër të preferuara. Një vend të rëndësishëm në punëdoret e grave e zë edhe përgatitja e kostumeve tradicionale. Ato janë ruajtur në origjinal dhe janë shprehje e qartë e identitetit të këtyre zonave. Shumë e lashtë vjen tek gratë tradita e punimit të krimbit të mëndafshit, që përdorej për prodhimin e veshjeve dhe pëlhurave që i nevojiteshin një shtëpie. Përveç veshjeve tradicioale, në punishten “Zyberaj”, në Vau Dejës, enden edhe pëlhura në tezgjah, si çarçafët, apo mbulesat e tavolinave me motive të Zadrimës, të cilat, vitet e fundit, kanë gjetur një përdorin të gjërë jo vetëm në kuzhinat familjare, por edhe në bujtina dhe restorante. Kjo ka nxitur artizanen Zyberaj të eksperimentojë në prodhimin e fijës së mëndafshit, si pjesë e traditës së pëlhurërave të zonës së Zadrimës.

Si përfaqësuese e grave artizane të Vau Dejës, Meliha Zyberaj prej vitesh ka qenë e pranishme në panaire si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Ajo veçon panairet në Venecia, Milano, Kroaci, Bullgari, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku artizanet e Vau Dejës kanë pasqyruar një pjesë të traditës së Veriut të Shqipërisë.

E tashmë që turizmi në Vau Dejës po njeh zhvillim të qëndrueshëm, edhe artizanët kanë shtuar aktivitetet e tyre duke ofruar një tjetër mundësi për vizitorët vendas e të huaj, një copë “Vau Dejësi” në shtëpitë e tyre.

Shpërndaje