Qendra Shëndetësore verore e Velipojës ka numrin më të lartë të pushuesve të paraqitur pranë kësaj pike, si dhe po përballon fluksin e vizitave 24/7.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi nga afër këtë qendër, ku theksoi se vetëm gjatë muajit qershor u ka ofruar shërbime mbi 1200 turistëve vendas e të huaj.
“Me staf të specializuar e të përkushtuar në 34 Qendra Shëndetësore verore, hapur në të gjithë vendin, jemi angazhuar për të siguruar një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm”, tha Koçiu.
Turistëve vendas e të huaj në të gjithë vendin prej 1 qershorit po u ofrohet shërbim në 34 qendra shëndetësore verore.
Këto qendra ndodhen në zonat kyçe të frekuentuara nga turistët, nga Thethi e Korabi, deri në Ksamil.
Qendrat e reja verore, që janë çelur për herë të parë në 2024-ën janë ato në Hamallaj, Radomirë, Jalë dhe Bogë.
Në veri të vendit, funksionojnë 10 qendra, në Shqipërinë e Mesme 9 qendra shëndetësore dhe në zonën e jugut 15 të tjera.
Urgjenca ka vendosur në dispozicion të pushuesve 20 postacione fikse me autoambulanca në zonat turistike.
Ndërsa për herë të parë shërbejnë në këtë sezon motoambulancat.