Ka zgjatur rreth 90 minuta takimi I Presidentit Ilir Meta me kryetarët e partive të Opozitës së Bashkuar, drejtuar nga Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha.
Takimi me ftesë të presidentit u mbajt paraditen e sotme dhe presidenca informon se pjesëmarrësit janë njoftuar për “situatën dramatike të sundimit të ligjit”, dhe veçanërisht me zbatimin e njëanshëm antikushtetues të Reformës në Drejtësi.
“Manipulimi i procesit të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke synuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese përmes rrëmbimit të të drejtës kushtetuese të Presidentit të Republikës për të bërë emërimet e tij, është skandali më flagrant i Reformës në Drejtësi dhe shkeljes së Kushtetutës” thuhet në njoftimin e presidencës.
Presidenti theksoi se nuk do të lejojë askënd të neutralizojë kompetencat e Presidentit të Republikës, siç ia njeh Kushtetuta e vendit, dhe se do të ndërmarrë çdo veprim për të ndaluar këtë puç kushtetues.
“Gjithashtu ndër të tjera shkruhet kreu i Shtetit përshëndeti hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhore, si dhe qëndrimin publik të Opozitës së Bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione. “
Presidenti Meta vuri në dukje se përmbushja urgjente e kushteve të Bundestagut është e vetmja rrugë e sigurtë për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, dhe për ndalimin e shpopullimit dramatik të vendit.”
Takimi në Presidencë, zbardhen detaje nga diskutimi 90 minuta i Metës me opozitën
Zbardhen detaje të reja nga takimi rreth 90 minuta i Presidentit Ilir Meta me përfaqësuesit e partive të opozitës jashtëparlametare.
Sipas burimeve, opozita e bashkuar ka deklaruar gjatë takimit me Presidentin se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme. Burimet konfirmojnë se opozita po punon për një draft të reformës zgjedhore që pritet të prezantohet javën e ardhshme.
Gjithashtu në takimin Metës me Bashën dhe aleatët e PD u diskutua edhe për shpërndarjen e Parlamentit.
Kreu i Shtetit, Ilir Meta, priti paraditen e sotme në një takim përfaqësuesit e partive të koalicionit opozitar. Takimi, i cili u mbajt në Presidencë, nisi në orën 09:00 dhe përfundoi në orën 10:30.
PD përfaqësohej nga Lulzim Basha, LSI nga Petrit Vasili, PDIU nga Mesila Doda, LZHK nga Dashamir Shehi, PDK nga Nard Ndoka, PBDNJ nga Vangjel Dule, PAA nga Agron Duka.
Përfaqësuesit e opozitës nuk kanë preferuar të komentojnë pas takimit, por Presidenca pritet të ketë një njoftim zyrtar dhe më pas dhe një komunikim i kreut të PD-së, Lulzim Basha për median.
Në ftesën drejtuar opozitës, kreu i shtetit theksonte nevojën e takimit “urgjent për situatën dramatike” që sipas tij po kalon vendi.