Tregu global i naftës është paraqitur i paqëndrueshëm përgjatë kohëve të fundit, për shkak të disa faktorëve që kanë ndikuar kërkesën dhe furnizimin e tregut, si lufta mes Izraelit dhe Hamasit, ngadalësimi i kërkesës për shkak të inflacionit të lartë dhe angazhimit të OPEC+ për të vijuar me marrëveshjen për uljen e prodhimit edhe në vitin 2024. “Scan Intel” ka përpunuar të dhënat nga platforma ‘Global Petrol Prices’, të dhëna këto të publikuara në muajin nëntor të vitit 2023, ku shifrat tregojnë se qytetarët shqiptarë paguajnë për karburantin më shumë se 96% e qytetarëve të botës. Sipas shifrave, një litër naftë në vendin tonë sot tregtohet me 198 lekë. Megjithatë, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare janë në nivele më të ulëta, krahasuar me fillimin e tetorit, kur Hamasi sulmoi Izraelin. Si një reagim ndaj frikës për përhapjen e konfliktit edhe në vendet e tjera të rajonit të pasur me naftë, bençmarku global, Brenti i Londrës u rrit në 95 dollarë për fuçi, duke bërë që brenda pak ditësh edhe në vendin tonë nafta dhe benzina të rriteshin pranë 200 lekëve për litër. Por, që nga ajo kohë, Brenti i Londrës ka zbritur pranë 82 dollarëve për fuçi, duke humbur rreth 13 dollarë, ndërsa në Shqipëri kjo rënie nuk është reflektuar aspak.
Çdo litër naftë përcaktohet nga çmimi me të cilin lënda djegëse blihet në bursë dhe taksat që aplikohen nga shteti. Meqënëse, lënda blihet në dollarë kursi i këmbimit është faktor kyç në përcaktimin e çmimit final. Sipas Bankës së Shqipërisë një dollar në fillim të këtij muaji këmbehej me 100.48 lekë, ndërsa sot me 93.90 lekë. Edhe kjo është një tjetër arsye që çmimet e hidrokarburave me pakicë në Shqipëri duhej të uleshin, por ka ndodhur e kundërta, as zhvlerësimi i dollarit amerikan në tregun e këmbimit valutor nuk është reflektuar në çmimin final të naftës dhe benzinës.
Konkretisht, Shqipëria renditet e 5-ta në botë për çmimin më të lartë të benzinës dhe e para në rajon, pasi tregtohet me 2.1$/litër. Mes vendeve të rajonit, Serbia renditet e dyta me 1.67$/ litër dhe më pas Mali i Zi me 1.66$/litër. Ndërkohë, në Bosnje Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut çmimi paraqitet me një rënie të ndjeshme pasi është në nivelin e 1.41$- 1.42$/litër.
Krahas benzinës edhe çmimi i naftës në vendin tonë është më i shtrenjti në rajon. Në terma absolutë, një litër naftë në Shqipëri tregtohet me 2.1$(ose 198 lekë për litër),duke e pozicionuar Shqipërinë në vendin e 8-të në botë për çmimin më të shtrenjtë. Në Serbi, nafta arrin vlerën e 1.87$ për litër, ndërsa në Malin e Zi një litër naftë kushton 1.62$. Ashtu si benzina edhe nafta, në Bosnje Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut tregtohet më lirë, me 1.47$/ litër dhe 1.36$/litër respektivisht.
Por, duket se buxheti i shtetit është përfituesi kryesor nga këto çmime të larta të hidrokarbureve. Sipas relacionit të projektbuxhetit për vitin 2024, parashikohet që të ardhurat nga akciza të rriten me 4.6 miliardë lekë, pra do të arkëtohen 7.8% më shumë se në vitin 2023. Akciza është një taksë që aplikohet mbi produktet e importit si: kafe, cigare, birrë dhe karburante, ku ky i fundit zë peshën kryesore të të ardhurave totale doganore./SCAN/
Çmimi i benzinës për litër, 27-Nëntor-2023 (vendet me çmimin më të lartë)
Çmimi i naftës për litër, 27-Nëntor-2023 (vendet me çmimin më të lartë)