“Në çorape gjenim thonj të shkulur”/ Si u torturua grupi i Riza Danit…

“Në çorape gjenim thonj të shkulur”/ Si u torturua grupi i Riza Danit
Shpërndaje

Riza Dani ishte një nga deputetët e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945. Ai i nisi “gabimet” që në mbledhjen e katërt të Asamblesë Kushtetuese, më 12 janar 1946, dy ditë pas hapjes së saj, kur në listën e propozuar për Presidiumin e Asamblesë, nuk kishte përfshirë Enver Hoxhën, me të cilin guxon të replikojë po atë muaj. Në mbledhjen e 6 marsit, kundërshton projektstatutin e paraqitur dhe vendoset si pasojë, në qendër të sulmeve dhe kritikave. Në dhjetor 1947, pa u mbushur ende një vit si përfaqësues i popullit të Shkodrës, atij i hiqet imuniteti, ashtu siç u hiqet edhe tre deputetëve të tjerë të Shkodrës, Kolë Prelës, Zef Haxhisë dhe Hysni Pejës. Më pas vijnë arrestimet, torturat dhe gjyqet me dënime nga më të rënda.

Gjyqet e deputetëve ishin më të bujshmet e viteve 1946-1947. U zhvilluan tri dhe morën këtë emër nga deputetët që gjykoheshin mes të tjerësh, edhe pse në grupin e tretë nuk kishte asnjë të tillë. Grupet nuk kishin ekzistuar në të vërtetë, por krijoheshin nga hetuesit, duke mbledhur njerëz që kishin shoqëri me njëri-tjetrin, opinione të përbashkëta, ose biografi “të keqe” prej ndonjë të afërmi të pushkatuar apo arratisur. Riza Dani, edhe pse u arrestua i pari, u gjykua me grupin e dytë të deputetëve ku u përfshinë 19 persona: Riza Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka, Uan Filipi, Hilmi Hysi, Syrja Selfo, Hasan Reçi, Kostë Boshnjaku, Isuf Hysenbegasi, Mestan Ujaniku, Nexhmi Balla, Ivzi Kokalari, Demir Kallarati, Ibrahim Hasnaj, Arif Gjyli, Adem Beli, Bexhet Shehu, Halit Gjolena, Kamber Backa. Kishte mes tyre persona që akuzoheshin për përfshirjen në radhët e Ballit Kombëtar, por edhe që kishin luftuar si partizanë. Gjyqi filloi më 31 dhjetor 1947 dhe vendimet u dhanë më 27 janar të vitit pasardhës, duke dënuar 7 veta me pushkatim: Riza Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka, Uan Filipi, Hilmi Hysi, Syrja Selfo dhe Hasan Reçi. Pjesa tjetër u dënua me burgim të përjetshëm apo me 20 dhe 15 vite burg.

Dëshmitë e të afërmve apo vetë të mbijetuarve tregojnë torturat që këta njerëz pësuan gjatë muajve që u mbajtën në hetuesi. Pjetër Pepa në librin “Dosja e diktaturës” sjell disa prej këtyre dëshmive, që po i publikojmë më poshtë:

-Nëntë muajt e hetuesisë i kaloi tek selvia (Dega e Punëve të Brendshme),-tregon nipi i Islam Radovickës, i torturuar aq shumë, saqë, sa herë merrnim ndërresat, i gjenim gjithë të gjakosura, sidomos në dorezat e këmishëve.

-Trajtim çnjerëzor iu bë para dhe pas dënimit, plagë të qelbëzuara në kofshë nga hekurat e skuqur,-kujton i dënuari Hiqmet Cerloi nga Durrësi për Mestan Ujanikun.

-Vdiq dhe u varros në fshehtësi,-kujton i biri i tij-e nuk e dimë ende ku i ka eshtrat. E torturuan keqas Llambi Peçini e Paskal Andoni.

-Duart i kishim gjithë plagë prej zinxhirëve-tregon 82-vjeçari Ibrahim Hasnaj, por më keq se të gjithë ishte Nexhmi Ballka që kishte ndejtur një kohë të gjatë i varur në hekura.

Dhe më tej vazhdon:

-Njëherë më ndodhi kështu: Më dy pas mesnate, më bënë gjyqin, kryetar Muço Saliu, prokuror Tomas Bariu, anëtar Stavri Xhara dhe një tjetër që s’e njoha. Pyetje, apologji, pritje jashtë gjithsej 20 minuta dhe fill pretenca me vdekje. Më hypën në xhips me skuadrën e pushkatimit, më çuan te zalli, më lidhën sytë, por…nuk më vranë. Kishte qenë vetëm “provë gjenerale” për presion psikologjik.

Kurse vetë 79-vjeçari, Nexhmi Ballka tregon:

-Nuk kam pranuar të firmos procesin. Më kanë lënë 24 ditë të varur, i kam ende shenjat ndër duar, për një vit s’mbanja dot as lugë e as pirua në dorë. “Do të fillosh që sot apo të pushosh sot e të fillosh nesër…torturat” ishte prezantimi gjithë cinizëm i kryehetuesit Faredin Jaho. Ditë të tëra pa bukë e pa ujë. Vinin natën gjysmë të dehur e na merrnin në pyetje, korrenti elektrik në veshë e në duar…

-Torturat që iu bënë nga torturuesi i tij kryesor, Siri Çarçani, ishin të llahtarshme-kujton familja e Bexhet Shehut. -Një nga më barbaret ishte ajo “e jelekut” gjatë së cilës në mes të duarve të lidhura nga mbrapa i futej një shkop që i rrotullohej me forcë derisa humbiste ndjenjat.

-S’mjafton që vdiq duke lënë të ve gruan e re 27-vjeçare dhe jetime vajzën e vetme 2 vjeçe-kujton Seit Selfo për Syrjanë,-por shumë shpejt fusin edhe të shoqen në burg dhe shkatërrojnë keqas gjithë familjen e Xhevdet Selfos duke burgosur e vrarë shumë pjesëtarë të tjerë të familjes…

-Në rrobat që merrnim gjenim vazhdimisht njolla gjaku,-kujton Mynevere Hysi, gruaja e Hilmiut. Në çorape gjenim thonj të shkulur, kemi gjetur edhe dhëmbët në shaminë e tij. Një herë, poshtë enës së ushqimeve, kishte ngjitur një copëz letër, ku shkruante: “Jam i pafajshëm, binduni”. Aq tortura i kanë bërë saqë u detyrua të presë damarët e duarve. – I preva duart për të shpëtuar shokët të mos pësonin fatin tim,-tha kur e pyetën në klinikën e doktor Zymës, kur po mjekohej.

Ndërsa Kamber Backa i dërgon letër Komiteti Central nga burgu ku shkruante: “10 muaj tortura nga më të tmerrshmet për të pohuar të paqenat nga Stavri Xhara, Farudin Jaho e më vonë aspirant Nesti Qeleshexhiu. Një nga pyetjet për të cilat jam torturuar më shumë ka qenë: “Ç’ka biseduar gjeneral Bedri Spahiu e Spiro Moisiu me Mestan Ujanikun? Me veshët e mi kam dëgjuar Koçi Xoxen në telefon duke i thënë të lartpërmendurve që të më torturonin deri sa të më nxirrnin shpirtin në qoftë se nuk tregoja. Dhe për koincidencë historike (se historia nxjerr në pah të vërtetën) në deponimet e vetë Koçi Xoxes, tashmë si i pandehur, lexojmë:

-Kam shkuar tek Mestan Ujaniku në hetuesi se nuk kishte pranuar të fliste (Bedri Spahiu-Pretenca, f.32).

-Ishim torturuar aq shumë sa të mbaheshim nga policët në të dy krahët-kujton A.Beli. -Në sallën e gjyqit na mbajtën shumë pak. Mua vetëm disa minuta, sepse kisha këmbët e kalbura nga të ndënjurit vazhdimisht në ujë. Kryetari i gjykatës më përzuri duke më sharë:

-Largohu se t’u qelbkan këmbët!”.

Dëshmitë janë shkëputur nga libri “Dosja e diktaturës”, i Pjetër Pepës, botim i ISKK, Tiranë 2017

Imazhi kryesor: Arif Gjyli (sipër) dhe Hasan Reci (poshtë)

Shpërndaje