Imbyllet zyra- seli Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër
-sqarime të nevojshme-
Si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër u ndodha rreth 3 javë më parë, para një fakti që është pak t’i thuash i shëmtuar. U ndodha para një ligësie njerëzore, shprehur me një zarrmi dhe arrogancë të çuditshme dhe mjaft trashanike e tribale të drejtores së re Ledia Dushi. Që lexuesi të mos keqkuptohet me dashje, unë analizoj veprimet dhe kurrnjiherë personat që i kryejnë ato apo shfaqin, në çaste të caktuara, sjellje të çuditshme. Nuk kam bërë as bëj kurrë portrete njerëzish. Në treditëshin e parë të ardhjes në krye të bibliotekës “Marin Barleti” drejtorja Dushi dha urdhër të mbyllej zyra e Shoqatës së shkrimtarëve. Përballë këtij urdhri antikulturor, të dhënë me një nxitim të pashpjegueshëm në formë ultimatumesh që m’i dërgoi 3 ditë rresht nga punonjësit e shërbimit, aq sa nuk kisha kohë të merrja frymë nga ultimatumi në ultimatum dhe finalizimit të përbindshëm me ndërrimin e bravës së zyrës (rast qesharak bravash, kaq i përhapur në kulturën e zyrtarëve tanë modernë) dhe nxjerrjen e dhunshme të materialeve të Shoqatës, pa marrë parasysh se ku do të hidheshin dosjet, librat, kompjuteri etj., gjithë ky padurim, ky tërbim, kjo gafë, dhënë nga një poete kundër poetëve. Unë mbajta një heshtje të gjatë përballë kësaj furie, me shpresën e ndonjë reflektimi, duke mos u ngutur, me logjikën se fyerja, injorimi dhe ofendimi im, megjithëse i pamotivuar, nuk ka pse të bëhet çështje dite, megjithëse kjo thagmë skandaloze u pasqyrua aty- këtu nga portale dhe individë të Shkodrës. Por duke qenë drejtues i kësaj strukture kulturore dhe përfaqësues personash të nderuar, heshtja ime nuk mund të shtyhet më dhe po bëj detyrën qytetare të reagoj në fillim me këtë shkrim sqarues dhe ky është vetëm fillimi.
Kjo zyrë me përmasa 3×2 metra i qe dhënë Shoqatës më datën 14 dhjetor 2017 nga zyra e kulturës së Bashkisë. Drejtuesit, dashamirës të letërsisë na e lanë në përdorim për të vendosur materialet, dokumentacionin dhe kontaktet me anëtarësinë, pra për të na ndihmuar të zhvillonim veprimtarinë tonë, gjë që e bëmë më së miri për 6 vite me radhë. Brenda këtij 6 m2 u bënë mbledhje dhe takime të anëtarësisë dhe u mundësua realizimi i 7 edicioneve të librave antologjikë “Pena e Shkodrës”, secili me nga 350 faqe. Përgjatë botimit të këtyre librave të vëllimshëm, u publikua krijimtaria e freskët dhe e pabotuar e rreth 100 autorëve (poetë, prozatorë, studiues, përkthyes) nga Shkodra e krahinat brenda territorit shqiptar, Kosova, Mali i Zi e diaspora. Në bashkëpunim me bibliotekën “M. Barleti” dhe zyrën e Bashkisë së asaj kohe, u realizuan dhjetëra aktivitete, promovime librash, festivale letrare, konkurse dhe ditë apo javë letërsie. Shoqata e Shkrimtarëve Shkodër mundësoi takime me homologet në Prishtinë, Ulqin, Maqedoni etj., duke u kthyer në një pikë referimi për lidhje dhe shkëmbime kulturore në mbarë hapësirën shqipfolëse. Në bashkëpunim me Klubin Poetik të Tiranës kryesuar nga shkrimtari dhe botuesi Rexhep Shahu organizuam një vit më parë homazhin madhështor pêr shkrimtarët dhe klerikët martirë dom Ndre Zadeja e Patër Anton Harapi. Ndërkohë kjo seli ishte një vatër që i shërbeu çdo krijuesi shkodran e shqiptar; në një formë apo në një tjetër të gjithë, anëtarë ose jo të saj morën shërbime nga kjo strukturë kulturore, duke përfshirë këtu edhe autoren e mbylljes së zyrës zj. Dushi, që ka në faqet e antologjive tona edhe poezitë e veta.
Lindin disa pyetje:
-A është i përshtatshëm ky sabotim bash në qytetin e letërsisë, Shkodër? Cili është përfitimi i kulturës zyrtare shkodrane nga posedimi i këtij 6 m2? Çfarë gjërash të dobisme do të bëhet sot e tutje aty grime zyrë? A thua kjo praktikë dhe ky model punonjësi ishte pritshmëria e qytetarëve dhe e njerëzve të kulturës e të krijimtarisë artistike nga Bashkia e re? Ta lëmë pritshmërinë, por a duhet të jetë ky komunikimi i punonjësit të kësaj administrate me njerëzit normalë të Shkodrës? Përballë brutalitetit të një punonjësi, a thua ka një derman? Ku duhet të ankohemi? Kujt t’ia paraqesim problemet, që në këtë rast nuk janë personale? A duhet të parashikohet edukata si kategori individuale e atyre që zgjidhen nëpër dëgjesat tona nëpër teatrot brenda teatrit? Ose, çfarë kanë pushtetet me njerëzit e kulturës?
Kjo nuk është çështje individuale, është problem më i gjerë. Individi ia gjen ilaçin jetës së vet. Libri “Pena e Shkodrës” është botuar në 7 edicione antologjike falë dashamirësisë së njerëzve që e duan kulturën. Kemi bërë mbi dhjetë festivale letrare me të rinjtë krijues, në bashkëpunim me “Eko Mendjen”, për meritën e madhe dhe sensin e lartë qytetar të zotit Mirsad Basha, nga ku kemi mbledhur në qytetin tonë të rinj krijues nga të gjitha viset shqiptare, duke gjallëruar jetën letrare të qytetit dhe kemi realizuar antologjinë e letërsisë së pabotueme, botuar nga “Albasi”, nën kujdesin dhe parathënien tonë. Ne, Shoqata e Shkrimtarëve të Shkodrës, kemi drejtuar festivalin letrar të Prizrenit, kushtuar Ibrahim Rugovës, kemi qenë pjesë e përhershme e veprimtarisë “Drini poetik” organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve, Prishtinë, Kosovë. Kryetari dhe pjesë të anëtarësisë kanë drejtuar “Kalimerën poetike” të Ulqinit, kemi referuar në panairin letrar të Tuzit. Dashamirësit e kulturës nuk e lënë në baltë njeriun idealist, që punon argat pas orëve të gjata të mësimit në gjimnazin “J. Misja” dhe mundohet të drejtojë edhe shoqatën, kur e gjen derën e bibliotekës “M. Barleti” hapur, njeriun që harton tekste shkollore për nxënësit shqiptarë të Malit të Zi (plot 4 tekste), që përkthen vepra dramatike për teatrin e qytetit, një prej të cilave u shfaq këto ditë, tri net rresht në skenën e teatrit “Migjeni”, që bën monografi për dinastinë Marubi e Pjetër Gacin, që sjell në shqip letërsi nga autorët e botës (mbi 20 autorë), duke filluar me Emil Zolanë, Pirandelon, D’Annunzion, Moravia-n, Paulo Coelhon, hermetikët etj., etj., që boton vëllime me studime letrare, që e shkruan vetë edhe tregimin e poezinë, që bashkëpunon pa kursim me mediat e qytetit e më gjerë, që dhuron qindra libra nga biblioteka personale duke filluar që nga biblioteka shqip e Manastirit e deri te institucionet si shtëpia e pleqve, institutet e riedukimit etj. Madje qyteti i Manastirit na ka ftuar më datën 22 nëntor 2023, ora 12.00 në inaugurimin e kësaj biblioteke shqiptare ku ne dhamë kontributin tonë. Në dinamikat kulturore të një qyteti ka destruktorë, por ka edhe mecenë. Ka pasur mecenë dhe do të ketë të tillë, sado që individë të ardhur aksidentalisht dhe në mënyrë cinike në krye të punëve krijojnë perceptime të shtrembëruara dhe distopike mbi realitetin. Letërsia nuk krijohet nëpër zyra e pushtetit, por zyrat, me çfarëdolloj zyrtarësh qofshin populluar, duhet të mos pengojnë punën e njerëzve të kulturës, të mos ua rëndojnë jetën argatëve të artit e letërsisë. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë për kulturën, letërsinë, publikimet dhe inkurajimin e vlerave të reja krijuese, do të ruajmë lidhjet me të gjithë bashkëpunëtorët tanë në çdo hapësirë shqiptare. Kjo goditje që na u dha, nuk do të na asfiksojë. Shoqata jonë kulturore nuk është çështje inertesh, përfshirë edhe zyrat. Është çështje shpirtrash krijues që i bashkon pasioni për artin e fjalës. Në nderim të anëtarësisë së respektuar, të rinjve që kemi “zbuluar”, kontributit të tyre krijues e njerëzor, do gjejmë forma për të mos u zhdukur, për asnjëlloj dëshire okulte individësh. Vetë energjitë pozitive të Shkodrës, shpirti artdashës i saj do të bëhen frymëzim dhe premisë për vazhdimësinë e veprimtarisë sonë. Së fundi, në vend të përshëndetjes, ftoj të gjithë shkrimtarët e poetët, qofshin edhe ndërrues bravash, por që kanë talent, të sjellin tek ne pjesë nga letërsia e tyre e pabotuar, se jemi duke përgatitur antologjinë e radhës “Pena e Shkodrës 8”.