Një medalje e artë në Kampionatin Europian dhe një shpërblim i munguar financiar tashmë është kthyer në një “mollë sherri” midis trajnerit të peshëngritjes, Zef Kovaçi, dhe presidentit të Federatës Shqiptare të Shtangës, Elez Gjoza. Për këtë arsye Kovaçi ka ngritur dhe padi në prokurori më 22 nëntor, ndërsa për mikrofonin e RTSH Sport shpjegon dhe arsyen e kërkesës së tij në anën juridike.
“Me thënë të drejtën kam vënë emrin e Sokol Bishanakut, sepse atij i kanë kaluar paratë. Por për mua kjo është një përzierje, vjedhje, grabitje, korrupsioni bashkë të dirigjuar nga presidenti i Federatës, Elez Gjoza, me iniciativën e ish-sportistit Qerimaj me dijeninë dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Më pas u fut Bishanaku në mes, sepse ai ishte viktima që do të marri lekët e do të kalojë lekët. Unë kam përditë në grumbullim, paradite dhe pasdite në stërvitje. Unë kam qenë përditë nëpër hotele e gara, madje deri në ditën e fundit kur ishte fizioterapisti, që duhet ta fërkonte përpara aktivitetit dhe nuk pranoi. Dhe prandaj më vjen keq, sepse kam pësuar një mosmirënjohje që nuk e kam menduar kurrë. Të flasim të drejtën, Erkandi nuk ka qenë tip i tillë. Ka qenë kundër mashtrimit dhe drejtë e drejtë. Pse ndodhi kjo, nuk di ta shpjegoj”, thekson Zef Kovaçi.
Në dijeni të plotë të kësaj situate është dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili shpjegon se nuk është çështje e institucionit që ai drejton, por mes sportistit e trajnerit.
“Unë si president i kam shkruajtur rregullisht. Kam bërë dhe një prononcim në gazetën Sot, ku jam i drejtuar trajnerit Zef Kovaçi “Hajde më tako! E ke zgjidhjen në moment nga presidenti për atë që e quan se është bërë e padrejtë”. Dhe unë kam një ide tjetër. Profesor Zefi nuk mund të largohej kështu nga një jetë 40-vjeçare pasi unë si president dhe Federata për këto njerëz duhet të ketë shumë vlerësim. Dhe unë mendova dhe e them përsëri mendoj ta realizoj, sepse nuk dua që Zefi të iki i pezmatuar, apo i fyer për asnjë arsye, por duhet bërë një ceremoni ashtu sikurse i takon atij”, thotë Gjoza.
Por cilat janë hapat pas depozitimit të padisë në Prokurorinë e Tiranës. Kovaçi shpjegon.
“Unë jam interesuar, por më thanë që duhet të presësh 45 ditë, pa të shtunat e të dielat. Pra i bie që të pres deri në fund të janarit. Pastaj do ta bëj dhe një herë denoncimin e do të shkojë në KAS-in e Zvicrës, sepse KAS-i shqiptar nuk funksionon”.
A ka patur ndonjë tratativë për zgjidhjen e këtij ngërçi nga ana e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, që në fakt, edhe sipas Elez Gjozës janë për një ndarje të paqtë mes palëve?
“Unë nuk pranoj të takohem në kafe që të marrë një lek nën dorë. Unë dua të marrë shpërblimin që më takon. Unë nuk kërkoj asnjë lloj shpërblimin që nuk më takon. Unë kërkoj atë që kam patur deri më 31 janar. E kam deklaruar dhe këtu në Televizionin tuaj më 2 qershor dhe ia kam deklaruar dhe atyre e keqardhja është se ia kam thënë drejtuesve më të lartë Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, Presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Presidentit tonë të Federatës se nuk vij më”, shpjegon Kovaçi.
“Unë shoh më tepër një zhurmë mediatike. madje një gjë të panevojshme, sepse në fund të fundit e zgjidh prokuroria. Ia heq Sokolit e ia jep Zefit. Për mua nuk ka problem. Për mua janë trajnerë. Edhe Sokoli është një trajner i jashtëzakonshëm, shumë i mirë, ka marrë dhe shpërblime dhe medalje. Kështu që ndër mes miqsh gjërat zgjidhen duke biseduar. Nuk duhet që një shoqëri 20-vjeçare të prishet e të banalizohet për një shpërblim të papërfillshëm”, përfundon Gjoza.
Në këtë mënyrë, peshëngritja shqiptare e nis vitin 2023 në mënyrën më të keqe të mundshme, pavarësisht se për institucionin e lartë të shtangës kuqezi nuk është kështu.