Historia e rrallë. 63 vite duke endur xhubletën…

Shpërndaje

Nga Shkodra sjellim historinë ndryshe të një gruaje e cila gjithë jetën ja ka kushtuar xhubletës.

Historia e Files është histori frymëzimi dhe njëkohësisht dëshmi e gjallë e përjetësimit të një trashëgimie kulturore botërore, trashëguar brezash.

File Kola, 70 vjeç,nga Vukli i Tamarës, është mbartëse e dijebërjes së Xhubletes dhe është pjesë e Inventarit të Trashegimise Kulturore Jomateriale.

Sot gruaja 70 vjeçare, kujton fëmijërinë e saj në një shtëpi tipike malësore që mbante në arka xhubleta të paprekura për pajë.

Filja, mes shumë sakrificash, gëzonte një familje të madhe me 7 fëmijë. Që në moshën 7 vjeçare, gjyshja e detyroj atë të mësonte teknikat e endjes së xhubletës.

‘Ajo kishte një prani që kërkonte vëmendje dhe respekt sa herë që hynte në dhomë. Nëpër shtëpi, gjithnjë na urdhëronte të mësonim teknikat e endjes së xhubletës. Herë pas here, zbriste nga dhoma e gjumit herët në mëngjes, hapte të gjitha dritaret dhe dyert dhe na thërriste në ‘aksion pune’’– kujton Filja. Për të, si fëmijë gjithnjë ngjyra e zezë mbetej një mister, ndërsa që në një moshë të vogël mahnitej dhe kuriozohej teksa mësonte qendisjen me motive plot ngjyra të forta, ciklamin, vjollcë e jeshil mbi një copë të zezë. Ende sot e kësaj dite, ajo i do shumë ngjyrat dhe nuk e koncepton shkëlqimin e xhubletës pa ornamentet shumëngjyrëshe.

‘Xhubleta është mjeshtëri’ – shprehet Filja, teksa tregon se të prodhohet një xhubletë kërkonte 6 deri në tetë muaj. Në pajë, Filja trashëgoi 8 xhubleta, hajmali, gërshana dhe postava që i ruan me fanatizëm edhe sot, ndërsa ditën e dasmës mbante të veshur xhubletën që kishte veshur gjyshja dhe nëna e saj në këtë ditë ceremoniale.

Sot, ajo dijebërjen e ka trashëguar tek e bija e cila përdor mirë realizimin e spikut dhe vegën ndërsa koshin e spikut e ruan me fanatizëm.

Shpërndaje