Figurat madhore të kulturës dhe të nje nuk të historisë së një kombi nuk mund të jenë të rastit. Ato janë rrjedhojë e një tradite të gjatë, e momenteve të caktuara historike e politike, e faktorëve të shumtë e të gjithanshëm ndikues, edukues e formues.
Rruga e formimit të këtyre personaliteteve paraqet një interes të gjerë. Ajo nuk është vetëm një mjet njohjeje apo kurioziteti për të ditur “diçka” rreth tyre. Është një burim me rëndësi për të gjykuar më mirë për rolin dhe veprën e këtyre personaliteteve, për të cilët, me plot gojë, mund të themi se, përbëjnë një “pasuri kombëtare” dhe një shembull për gjeneratat që vijnë pas. Aq më tepër kjo, kur kemi të bëjmë me personalitete të tilla, si Hafiz Ali Kraja.
Ai u lind në Shkodër në vitin 1900, në atë qytet i cili edhe në fund të shek. XIX-të kur Perandoria Osmane ndodhej në zgrip, ishte një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike, politike dhe kulturore në të gjithë arealin ballkanik.
Shkodra ndër shekuj kishte krijuar traditat e veta patriotike, arsimore e intelektuale, çka pasqyrohej dhe në bibliotekat e pasura, objektet e kultit, dyqanet dhe ekzistencën për periudhën në fjalë të 7 konsullatave të vendeve evropiane.
Pikërisht, në një mjedis të tillë ai hodhi hapat e para në jetë, për të vazhduar më tej studimet në Kajro, në një nga qendrat universitare më të njohura të botës, siç ishte dhe vazhdon të jetë El-Ez-heri. Falë temperamentit, natyrës së tij kërkuese, apo mjedisit të favorshëm, ekzistonin premisat themelore që ai të formohej jo vetëm si prijës fetar e teolog, por edhe si intelektual erudit.
Pas përfundimit të fakultetit të Shkencave Islame në vitin 1924, ai u kthye në atdhe, me synimin për të kontribuar në predikimin e fesë, në raport me nevojat dhe problematikat e kohës.
Pavarësisht dëshirës dhe propozimeve që pati nga personalitete të njohura të prijësve myslimanë, për t’u vendosur në Tiranë si drejtor i revistës prestigjoze “Zani i Naltë”, ai nuk pranoi, duke shërbyer kryesisht në qytetin e tij të lindjes.
Ballafaqimet politike në vitin 1924, ndonëse jo në mënyrë të drejtë përdrejtë, e gjetën Hafiz Ali Krajën në krahun antizogist, qëndrim të cilin do ta përforcojë më konkretisht përgjatë viteve 30-të të shek. XX, si bashkëpunëtor i organizatës “Bashkimi Kombëtar” dhe emigrantëve opozitarë, çka do t’i kushtojë atij arrestime dhe survejim të vazhdueshëm nga autoritetet e kohës.
Pushtimi i Shqipërisë nga Italia, nuk e shtyu atë të hidhej në prehërin e tradhtisë kombëtare. Kjo u vu re dhe në mbledhjen e 10 prillit 1939, kur një grup nga paria e Shkodrës u caktua për të marrë pjesë në Asamblenë e Tiranës, e cila do të sanksiononte pushtimin ushtarak të Shqipërisë nga Italia fashiste. Megjithë praninë e ish-kryekonsullit italian në Shkodër, Salvatore Meloni, në këtë mbledhje Hafiz Ali Kraja kundërshtoi rreptësisht, duke u larguar në shenjë proteste. Qëndrimin anti-konformist ai do ta vazhdojë dhe në vitet e mëvonshme. Italianët nuk do t’ia falin një gjë të tillë, dhe në verën e vitit 1943 e internuan në Porto Palermo.
Rritja e lëvizjes komuniste krijoi premisat për bashkëpunim akoma më të ngushtë midis klerikëve myslimanë e katolikë. Madje, më shumë se sa një aleancë, kjo ishte një domosdoshmëri historike. Kombi ishte zhytur në një luftë civile, fesë i kanosej një rrezik i përbashkët, komunizmi. Thirrjet për unitet kombëtar, krahas oratorisë dhe atdhedashurisë, vihen re edhe në fjalimin që Hafiz Ali Kraja mbajti në varrimin e poetit Gjergj Fishta: “Vepra jote, o poet, ka për të formue një faqe të shkëlqyeshme në historinë politike të Kombit! Të jesh i bindun, o poet i madh, se shqiptari me “Lahutën e Malcisë” ka për të qenë gjithmonë siç janë grekët me “Iliadën” e persianët me “Shahnamenë”… Sot djelmnia intelektuale Lahutën me tande në dorë të nep besën shqiptare, tue t’u betue se idealin tand të naltë, që shprehe për kombësinë shqiptare do ta ruajë e do ta mbajë si gja të shenjtë morale”.
Angazhimi në luftë kundra ideologjisë marksiste dhe rreziqet që i sillte ajo kombit gjetën pasqyrim dhe në predikimet fetare. Në shtator të vitit 1943, në xhaminë e Fushë Çelës, ai iu drejtua audicionit me hytben “Ç’është komunizmi dhe pasojat e tij për popullin shqiptar”.
Në 1944, duke parë rrjedhën e ngjarjeve, ai iu vu punës për krijimin e një besëlidhje të përgjithshme. Si një front antikomunist, i cili midis të tjerave, do të hynte në kontakt me misionet aleate dhe do t’u kërkonte atyre zbarkimin menjëherë pas largimit të trupave gjermane nga qyteti i Shkodrës, me qëllim mbrojtjen e vendit nga rreziku komunist.
Megjithë këto përpjekje, nacionalistët nuk mundën t’i bënin ballë llavës së kuqe, dhe me ripushtimin e vendit, morën arratinë. Shpallja e një amnistie në vitin 1947 Hafiz Ali Krajën e shtyri të dorëzohej: e dënuan me vdekje, por duke përfituar nga amnistia u dënua me burgim të përjetshëm, me vendimin nr. 213, datë 8.6.1947, kthyer në 25 vjet burg; nga një amnisti e dytë përfitoi zbritje dënimi, kështu që doli nga burgu më 12.10.1965, pas një vuajtje prej 18 vitesh.
Kështu, më shumë se një e katërta e jetës i ka kaluar nëpër burgje (pa llogaritur tre vitet e jetës ilegale, vite ankthi), burgje të llahtarshme, ku viktimat ishin planifikuar të zhdukeshin me mjetet më antinjerëzore, për t’u prehur në jetën e amshuar në vitin 1973.
Vepra “A duhet feja? A e pengon ajo bashkimin kombëtar” u botua për herë të parë në vitin 1934, për të njohur më pas disa botime, si në Kosovë, Maqedoni, dhe SHBA.
Ajo që e shtyu autorin për një nismë të tillë, e cila kërkon një formim solid dhe interdisiplinor, ishin mendimet e disa intelektualëve, gjithashtu po aq të formuar, por pozitivistë e skeptikë në rolin që religjonet kishin luajtur në historinë e civilizimit botëror, dhe në rastin konkret, në Shqipëri. Mendime të cilat, veç konotacionit negativ, aludonin dhe akuzonin fenë si një faktor që midis të tjerave, pengonte bashkimin dhe unitetin kombëtar.
Akuzë e cila vazhdoi të gjente interpretim pothuajse në çdo tekst të historiografisë zyrtare edhe në vitet e diktaturës komuniste.
Por a qëndron një tezë e tillë? Sigurisht që jo. Me kompetencë dhe ekzigjencë shkencore kjo hidhet poshtë nga autori, i cili me këtë libër, pa frikë, mund të thuhet se është një nga themeluesit e mendimit sociologjik shqiptar.
A duhet feja? Përgjigjen le të na e japë Volteri, filozofi i shquar francez, i cili midis të tjerave, më 27 korrik 1770 i shkruan Frederikut se: “Ateizmi asnjëherë nuk të çon në një gjë pozitive…” (Voltaire- Friedrich der Grosse, Zürich 1992).
Hafiz Ali Kraja është dekoruar nga Këshilli Bashkiak – Shkodër; “Krenaria e Qytetit”./RealitetiPost/
(Marrë nga libri “100 personalitete shqiptare të kulturës Islame)
Pergatiti: Medin Guri