Dashnor Kaloçi
-Dëshmia e rrallë e ish-kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, Përparim Xhaxho, lidhur me aksidentin tragjik, më të rëndë të gjithë periudhës së regjimit komunist!
Memorie.al /publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, i cili i përket datës 12 gusht të vitit 1985, ku ndodhet komunikata ditore me ngjarjet e jashtëzakonshme (arratisje, vrasje në kufi, krime me vrasje, plagosje, zjarre, aksidente, vjedhje, ndalime personash nga forcat e policisë, arrestime, etj.) të ndodhura në të gjitha rrethet e vendit, më datat 10 e 11 gusht, ku mes tyre ndodhet edhe njoftimi mbi ngjarjen tragjike të aksidentit të rëndë të datës 10.8.1985, ku shoferi Kol Engjëll Çurshoj, me banim në qytetin e Shkodrës, duke udhëtuar me automjetin tip ‘Skodë’, në rrugën nacionale midis Kirit dhe Prekalit, humbi kontrollin dhe ra nga një lartësi prej 40 m. në lumin Kiri, si rezultat gjetën vdekjen 28 vetë dhe mbetën të plagosur 36 të tjerë. Historia e panjohur e ngjarjes tragjike me aksidentin e rëndë të cilën regjimi komunist i asaj kohe, siç ndodhte zakonisht e mbajti të fshehtë dhe nuk e bëri publike, si dhe ngjarja tjetër e datës 12 mars 2007 e ndodhur në të njëjtin vend, (midis Kirit dhe Prekalit), ku po me aksident automobilistik, humbën jetën 10 persona, duke vijuar me katër ngjarje të tjera të ndodhura më pas, po në të njëjtin vend dhe po me aksident automobilistik, nga të cilat humbën jetën edhe 7 persona të tjerë, duke e çuar në 47, numrin e viktimave, pa llogaritur këtu numrin e të plagosurve në këto ngjarje tragjike! Dëshmia e ish-kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, Përparim Xhaxho, lidhur me aksidentin tragjik, si dhe punën kolosale vetëmohuese të tre mjekëve të Spitalit Civil të Shkodrës, Ali Spahia, Ferit Hoti, Dradne Ago, etj., për mjekimin e 36 të plagosurve të aksidentit tragjik të 10 gushtit 1985. Këto ngjarje bëhen publike për herë të parë nga Memorie.al, ku bashkë me dokumentet arkivore, po publikojmë edhe gjeneralitetet e 47 viktimave, që humbën jetën aksidentalisht në të njëjtin vend të atij segmenti rrugor, përgjatë rrugës nacionale: Dukagjin – Shkodër.
SHKODRA:
“Më datën 10.8.1985 shoferi Kol Engjëll Çurshoj, vjeç 51, banues në Shkodër, me automjetin Skodë me targa Sh. 25-73, gjatë rrugës Kir-Prekal-Shkodër, midis Kirit dhe Prekalit, ka takuar autobuzin e linjës Dukagjin – Shkodër, i cili ishte me defekt dhe pasagjerët e tij i merr në Skodë. Gjatë rrugës, në vendin që korrespondon me shtyllën e tensionit të lartë, Nr. 390, makina batohet, duke rënë në një lartësi 40 m. në lumen Kir, ku gjetën vdekjen 28 veta dhe mbetën të plagosur 36 të tjerë që janë jashtë rrezikut, e ndodhen në spital. Shoferi u ndalua”.
Kaq shkruhet për aksidentin në fjalë në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të datës 10 gusht 1985 dhe pas këtij njoftimi vijojnë në disa njoftime të tjera, për ngjarje të ndodhura në datat 10 dhe 11 gusht 1985, nga të cilat po publikojmë vetëm dy-tre njoftime të tjera (dy për Shkodrën dhe një për Peshkopinë), sa për të pasur një ide më të qartë, për komunikatat ditore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe.
SHKODRA:
“Më datën 11.8.1985, u ndaluam P.J.B. vjeç 25, i pa zënë me punë, i dënuar njëherë për vjedhje xhepash, për arsye se në bashkëpunim me B.Q.Ç., kanë vjedhur pasurinë e shtetasve”.
“Më datën 11.8.1985, në plazhin e Velipojës u gjet i mbytur Muharrem Halit Saraçi, vjeç 25, banues në Shkodër, shkaqet nuk dihen. Çështja vazhdon”.
PESHKOPIA:
“Më datën 10.8.1985, në qendrën e stërvitjes së repartit të kufirit është shfaqur zjarr nga kashta e hequr për mbushjen e dyshekëve ku u dogj një dritare dhe 50 palë rroba të vjetra të ushtarëve. Zjarri është vetë ndezur”.
Dëshmia e ish-kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, Përparim Xhaxho, për aksidentin e 10 gushtit 1985.
Përveç komunikatës ditore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të datës 12 gusht 1985, në të cilën njoftohet shkurtimisht ngjarja me aksidentin e rëndë të datës 10 gusht, ku humbën jetën 28 persona nga investigimet e Memorie.al, në arkivat e shtetit shqiptar nuk rezulton asnjë dokument tjetër që të flitet apo të përmendet ajo ngjarje e rëndë. Pra, nuk ka asnjë raport informacion nga Komiteti i Partisë së rrethit të Shkodrës, drejtuar Komitetit Qendror të PPSH-së, siç ndodhte zakonisht edhe për ngjarje nga më të rëndomtat e asaj kohe. (Si p.sh. raport-informacioni i vitit 1976, i sekretarit të Komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës, Adem Tukaj, drejtuar Komitetit Qendror të PPSh-së, ku njoftohej se: “Në derën e stallës së lopëve të Kooperativës Bujqësore Bushat, ishte shkruar me laps plumbi e shkrim të imët, ‘Poshtë Partia’, gjë e cila u konstatua nga roja në mëngjes. Bashkë me shokët e Degës së Punëve të Brendshme, jemi në ndjekje të problemit dhe autorëve që kanë shkruar atë parullë me përmbajtje të thellë armiqësore…”!). Ndryshe nga kjo ngjarje e sipërcituar ku pati një korrespodencë të gjatë nga ana e Komitetit Qendror të PPSh-së me Komitetin e Partisë së Shkodrës, ku Hysni Kapo, udhëzonte Foto Çamin, se si duhej rritur vigjilenca që të mos ndodhnin më ngjarje të tilla, për aksidentin tragjik të 10 gushtit 1985, nuk ka asnjë raport-informacion të tillë. Lidhur me këtë ngjarje, në një intervistë që i kemi marrë para disa viteve ish-kryetarit të degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, Përparim Xhaxho (lidhur me ngjarjen e 23 janarit 1982 në qytetin e Shkodrës, policia në bashkëpunim me forcat e ushtrisë, shtypën me tank në mes të qytetit dy të rinjtë shkodran, Fatmir Gushi dhe Sali Breshni), ai na tregoi edhe për aksidentin tragjik të 10 gushtit 1985, duke thënë se: për numrin e vërtetë të viktimave, asnjë nuk duhej të fliste apo të pyeste pasi, ngjarje të tilla ishin sekret shtetëror. Po kështu në dëshminë e tij lidhur me atë ngjarje. Z. Xhaxho, na tregoi lidhur me punën vetëmohuese të mjekëve të Spitalit Civil të Shkodrës, Ali Spahia, Ferit Hoti, Drande Ago, etj., të cilët me të marrë njoftimin për aksidentin, që kishte ndodhur, u paraqitën në spital dhe aty kanë bërë një punë heroike në mjekimin e të plagosurve dhe vetëm në sajë të tyre, u bë e mundur të shpëtoheshin disa të plagosur rëndë, gjë e cila do ta rëndonte bilancin tragjik, të viktimave të asaj ngjarje.
Lista e emrave të 28 personave që humbën jetën në aksidentin e datës 10 gusht 1985
Nokë Nik Noka
Mark Mëhill Pjetri
Kol Vata
Gjovalin Kola
Pashkë Nikja
Shaqe Stragu
Dedë Shyti
Kozeta Vuksani
Lindita Vuksani
Nikë Kola
Mrike Palja
Mrikë Bardheci
Kin Ndoci
Gjergj Pllumi
Viktor Lulashi
Age Marashi
Lulë Prenashi
Prekë Gjeloshi
Vuksan Preka
Mark Pali
Shaqe Nikja
Pashkë Mirja
Marie Ndoci
Pjetër Kola
Pjetër Zefi
Dodë Miri
Sulejman Hasmuja
Imer Ibra
Lista e emrave e 10 personave që humbën jetën në aksidentin e datës 12 mars 2007
Por fatkeqësisht, ngjarja tragjike e datës 10 gusht të vitit 1985, nuk do ishte e vetmja, në atë segment rrugor, pas 22 vjet më vonë, më 12 mars të vitit 2007, në afërsi të atij vendi ndodhi dhe një aksident tjetër, ku një automjet (fugon “Benz”), me 13 pasagjerë që bënte linjën e rrugës Dukagjin – Shkodër, humbi drejtimin e mjetit dhe përfundoi në lumin Kir nga 1204 metra lartësi. Si rezultat, vetëm tre persona mundën të shpëtonin, duke dalë me not, kurse 10 të tjerë humbën jetën duke mbetur në ujërat e lumit Kir.
Pjetër Leka 67 vjeç
Gjokë Uka 39 vjeç
Shkurtë Bardhoja 28 vjeç
Mark Nrethi 71 vjeç
Gjergj Lulashi 49 vjeç
Zojë Mhëillja 41 vjeç
Kol Doda 64 vjeç
Kristjan Kola 15 vjeç
Kushe Dodja 45 vjeç
Elza Ndoja 17 vjeç
Dëshmia e Zef Nikës, për aksidentin e 12 marsit 2007
Lidhur me ngjarjen tragjike të aksidentit të 12 marsit 2007, ku humbën jetën 10 persona dhe u plagosën 3 të tjerë, ka shkruar një nga banorët e asaj zone, z. Zef Nika, duke e përshkruar me detaje se çarë ndodhi aty, ku ai tregon:
“Fugoni tip “Benz”, është nisur në orët e para të mëngjesit të datës 12 mars 2007, ditë e shtune, nga qendra e komunës Shalë-Breglumi. Ai ka pasur vetëm gjashtë pasagjer. Rrugës, në fshatin Kir ka marrë dhe pasagjerë të tjerë për t’i ulur në Shkodër. Gjithsej 13 pasagjer, me gjithë shoferin. Por, rreth orës 10.30, në rrugën automobilistike Shalë-Shkodër, në vendin e quajtur Shkëmbi i Thethit, afër mëhallës Marknona, në fshatin Kir, fugoni, që bënte ketë linjë përditë dhe drejtohej nga shoferi Gjok Uka, për shkak të një kthese të fortë, është shkaktuar një defekt, ka humbur kontrollin e drejtimit të automjetit, duke rënë në greminë, rreth 120 metra poshtë, në ujërat e ftohta të lumit Kir. Sipas dëshmive, kur fugoni ka rënë në ujë, prej tij kanë dalë menjëherë tre persona: 15 vjeçar Gëzim Cerina dhe 13 vjeçar Marketin Kola-prej fshatit Xhan i komunës Pult, si dhe 55 vjeçari Fran Çuni, prej Breglumi të komunës Shalë. Cerina ka notuar disa metra dhe ka dalë nga uji. Sipas tij, ai nuk e mban mend sa kohë ka notuar dhe sa kohë ka ecur në këmbë, por kujton vetëm momentin kur ka takuar kushëririn e tij Marashin. Ai i ka dhënë ndihmën e parë duke e dërguar në Prekal. Ka qenë Gëzimi që ka lajmëruar për tragjedinë dhe vetëm në orën 17.20 është bërë e mundur që policia dhe strukturat e tjera të shtetit të jenë në vendngjarje. Me ardhjen e forcave të policisë ka qenë e mundur nxjerrja e 10 personave nga ujërat e lumit Kir. Për shkak të errësirës, atë natë, policia ka bërë të mundur vetëm dërgimin e të lënduarve në spitalin rajonal të Shkodrës. Në vend-ngjarje gjatë gjithë natës kanë qëndruar të afërmit e viktimave, forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ato të ushtrisë të ardhura nga Tirana, duke mos pasur mundësi për të bërë nxjerrjen e viktimave. Vetëm me zbardhjen e ditës, rreth orës 05.30 është bërë e mundur nxjerrja e trupit të parë të pajetë të Pjetër Lekës nga fshati Nenmavriq, të komunës Shalë. Më pas një grup polumbarësh nga Ministria e Punëve të Brendshme, kanë mbërritur në vend. Në ora 06.20, të ndihmuar edhe nga të afërmit e viktimave, polumbarët kanë filluar nxjerrjen e trupave të tjerë. Operacioni ka përfunduar rreth orës 10.00. Janë nxjerrë të 10 trupat e viktimave. Sipas polumbarve disa kanë gjetur vdekjen e menjëhershme dhe janë gjetur në brendësi të fugonit, në vendet e para të tij, ulur në sedilje dhe të vdekur; ndërsa të tjerë janë gjetur në një distancë rreth 50 metra larg fugonit. Ata, kanë bërë të ditur se operacioni ka qenë i shpejtë për shkak se ujërat e Kirit janë të kthjelltë dhe shikimin e kanë pasur të qartë gjatë gjithë punës. Gjashtë nga viktimat e kësaj ngjarje tragjike janë nga fshatrat e komunës Shalë: Pjetër Leka dhe Gjok Uka-nga fshati Nenmavriq, Mark Ndrethi, me të renë Zojen dhe Gjergj Lulashi, djali i të vëllait-nga fshati Nicaj, dhe Shkurte Bregu-nga Breglumi. Katër janë të komunës së Pultit: Kolë Doda, Kushe Doda, me vajzën Elsa-13 vjeçe dhe Kristian Bregu-nga fshati Xhan. Në vend-ngjarje atë ditë ishin të pranishëm kryetari i komunës Pult, zoti Sokol Cubi, kryetari i komunës Shalë, zoti Dedë Tonaj, i kryetari i komunës Shosh, zoti Mark Kulla, deputeti i zonës, zoti Astrit Bushati, prefekti i Qarkut Shkodër, zoti Maxhit Cungu, Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zoti Bajram Ibraj dhe drejtori i Policisë së Qarkut Shkodër, zoti Ahmet Premçi”.
Aksidenti i datës 8 gusht 2014 si dhe katër aksidente të tjera të ndodhura më pas në të njëjtin vënd, ku humbën jetën edhe 9 persona të tjerë
Ngjarja e datës 10 gusht 1985, me aksidentin fatal ku mbetën të vdekur 28 persona dhe u plagosën 36 të tjerë, si dhe ajo e datës 12 mars 2007, ku humbën jetën 10 persona të tjerë, fatkeqësisht nuk do të ishin ngjarjet e vetme të ndodhura përgjatë rrugës nacionale Dukagjin-Shkodër, pasi po në segmentin Kir-Prekal të asaj rruge, ndodhën edhe pesë aksidente të tjera të rënda automobilistike, ku mbetën të vdekur edhe 9 persona të tjerë. Kështu më datën 8 gusht 2014, aty humbi jetën 35 vjeçari Pëllumb Mark Muri, së bashku me një shtetas italian, mik të tij dhe disa muaj më pas, ndodhën edhe katër aksidente të tjera, me 7 të vdekur, duke e çuar kështu shifrën e viktimave, në 47 persona gjithsej. Të gjithë të vdekur në atë segment rrugor në zonën Kir-Pult.
Shteti heshti, kurse malësorët vendas, kanë vendosur pllakë përkujtimore për 47 viktimat
Ashtu siç theksuam në fillim të këtij shkrimi, regjimi komunist i para viteve ’90-të, nuk i bëri kurrë publike emrat e 28 viktimave të aksidentit fatal të datës 10 gusht 1985, si dhe 36 të plagosurit e tjerë, (ku 25 viktima ishin të gjithë banorë të zonës së thellë të Dukagjinit, kurse Dodë Miri, Sulejman Hasmuja dhe Imer Ibra, ishin nga Malësia e Madhe dhe kuadro me detyra drejtuese në Kooperativën Bujqësore të Dukagjinit), duke hedhur kështu hije dyshime mbi numrin e vërtetë të viktimave dhe të plagosurve të atij aksidenti tragjik. Por atë që nuk e bëri dot shteti i asaj kohe, pra publikimin e emrave të viktimave dhe të plagosurve nga ai aksident automobilistik, e bënë vetë malësorët e atyre anëve, familjarë dhe të afërm të viktimave, të cilët në vendin ku ndodhën ato aksidente (në segmentin Kir-Pult-Prekal), kanë vendosur disa gurë dhe pllaka përkujtimore tip memorialë, ku kanë gdhendur jo vetëm gjeneralitet e 28 viktimave të ngjarjes së 10 gushtit 1985, por edhe ato të si gjashtë aksidenteve të tjera të ndodhura në 12 mars 2014, 8 gusht 2017, e më pas, duke përkujtuar të 47 viktimat që humbën jetën pikërisht në atë vend. Memorie.al