OFL, kush janë dy vëllezërit që u kërkohet të deklarojnë pasurinë

Shpërndaje

Në deklaratën e përditshme për mediat, OFL ka bërë të ditur se u është kërkuar deklarimi i pasurisë për dy vëllezër të ndaluar më parë në Itali me akuzën e trafikut të drogës. Tashmë numri i personave në verifikim shkon në 21 ndërsa, këtë javë SPAK duhet të marrë vendimet për dy vetëdeklarimet e para.

Shkon në 21 numri i personave që u është kërkuar deklarimi i pasurisë prej operacionit Forca e Ligjit. Përmes një deklarate, tashmë të përditshme për mediat është bërë e ditur se të dhënat u janë kërkuar dy vëllezërve nga Vlora.

Burimet kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për dy vëllezërit Mikel dhe Altin Çuçaj. Sipas të dhënave ata jënë ndaluar në Itali me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Madje Mikel Çuçaj është arrestuar në shtator të vitit 2011 pasi ishte i dënuar në Itali me burg “Shkelje të ligjit mbi narkotikët”.

Në atë kohë lajmin për ndalimin e ka dhënë ish drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, i cili në konferencën për mediat ishte dhe me përfaqësuesen e shtetit Italian.

Këtë javë pritet që SPAK të kthejë dhe përgjigjet e para mbi formularët e propozuar, kjo në zbatim të afatit 15 ditor. Të parët që bënë deklarimin në zbatim të antiKÇK  ishin Lulzim Berisha në Durrës dhe Ardian Çapja në Elbasan.

Deklarata e Policisë

Vijon Operacioni Forca e Ligjit, për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda dhe në këtë kuadër OFL vijon intensivisht punën për kryerjen e veprimeve komplekse, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë së Shtetit.

Në vijim të veprimeve, bazuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 31.01.2020, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve:

A. Ç., banues në Vlorë, pasi është dënuar nga Gjykata e Torinos, Itali, për “Trafikim të lëndëve narkotike”;

M. Ç., banues në Vlorë, pasi është dënuar nga Gjykata e Torinos, Itali, për “Trafikim të lëndëve narkotike”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së, të cilat do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL bën me dije se formularët e plotësuar nga personat që u është kërkuar vetëdeklarimi janë dorëzuar në SPAK, sipas përcaktimit në Aktin Normativ nr. 1, të datës 31 janar 2020.

Për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë, OFL do të informojë publikun në vijimësi.

Shpërndaje