Nga Justinian Topulli
Fytyra e re e “islamit shqiptar”
Sigurisht që me “islam shqiptar” nuk nënkuptoj një fe të re, pasi Islami nuk mund të jetë tjetër, vetëm se ajo që ka thënë Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe si i tillë, Islami është një, kudo që të jetë në botë. Por me “islam shqiptar” nënkuptoj atë që shpesh përdoret në gjuhën e laikëve, të cilët duke mos besuar tek dimensioni hyjnor i feve, i identifikojnë ato vetëm me njerëzit, praktikat, kulturën dhe mënyrën se si ata e jetojnë dhe e interpretojnë një fe të caktuar. Njëlloj siç thonë kultura dhe tradita shqiptare. Në këtë kontekst, pra mënyra se si praktikohet dhe interpretohet Islami në dimensionin e tij kulturor dhe tradicional, dhe jo dogmatik e sheriatik, ka një islam arab, turk, shqiptar, amerikan, evropian etj.
Edhe pse nuk biem dakord me këtë logjikë ndarjeje, e huaj për traditën islame dhe besoj me pasoja negative, këtu po e përdorim pikërisht për të vënë në pah një kontekst negativ përmbajtjeje.
Para pak ditësh, Ben Blushi foli për një “islam të ri”, atë të brezit të Instagramit dhe qefli të modës dhe aparencës, që është një konstatim i saktë, edhe pse sipërfaqësor. Por kjo “fe e re” është pasojë e mjedisit social dhe mendësisë së epokës kohore në të cilën ne jetojmë, e cila sigurisht ndikon thellësisht në perceptimin dhe interpretimin praktik të fesë dhe jo vetëm.
Ndërkohë, ajo për të cilën kërkoj të tërheq vëmendjen këtu, është diçka shumë më e thellë, më e programuar dhe e vetëdijshme, në trajtë agjende dhe jo thjesht pasojë, si ajo që i ka rënë në sy Blushit.
Ajo, për të cilën e kam qëllimin këtu, është modeli i ri i fesë që po promovon KMSH.
Është mëse e vërtetë se Profeti i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë se “Allahu nuk vështron te pamja dhe pasuria juaj, por vështron te zemrat dhe punët tuaja.” (Muslimi 2564), por i keqkuptuar dhe i keqinterpretuar ky hadith apo nocion islam, përdoret si argument i devijimit nga Islami. Dhe në këtë rast, nuk ka asgjë të habitshme. Të tillë njerëz që përligjin devijimet dhe fajet apo gabimet e tyre, përmes argumenteve kuranore apo profetike, ka pasur dhe do të ketë gjithmonë.
Hadithi në fjalë ka për qëllim të dukshëm se Zoti nuk i vlerëson njerëzit në bazë të racës, ngjyrës së lëkurës, prejardhjes dhe as pasurisë që ata posedojnë, por në bazë të qëllimeve që kanë në zemër dhe veprave që bëjnë. Mirëpo hadithi dhe vetë ky koncept islam nuk kanë aspak për qëllim, dhe s’ka se si, që qëllimi dhe praktika të bien ndesh me parime dhe norma të tjera të fesë, përndryshe, vetëm nijeti nuk mjafton, madje siç thoshte edhe Abdullah ibn Mesudi “Sa prej atyre që kërkojnë të mirën, nuk e arrijnë atë”. Shumë prej njerëzve që shkojnë në humbje nisen pikërisht nga nijeti i mirë, mirëpo, ai kurrsesi nuk mjafton për t’iu përmbajtur rrugës që të shpie tek Zoti.
Në këtë kontekst, Islami i jep rëndësi jo vetëm të brendshmes dhe veprave, por edhe të jashtmes dhe llojit të veprave dhe mënyrës së bërjes së tyre. Është mëse e prekshme, e provuar dhe e vërtetuar teorikisht dhe praktikisht, se ashtu siç e jashtmja e njeriut reflekton të brendshmen e tij, ashtu edhe e brendshmja e tij ndikohet nga e jashtmja. Në fund të fundit, njeriu është produkt i këtyre dy faktorëve.
Nëse një njeri mundohet ta fshehë besimin e tij gjatë gjithë kohës dhe të mos e bëjë atë publik, duke shmangur madje edhe obligimet fetare, ato të cilat nuk mund të jenë vetëm se të dukshme, atëherë kjo sigurisht reflekton edhe në personalitetin e tij, kjo ia kthen atij besimin në një çështje thellësisht individuale dhe private, dhe zbeh tek ai identitetin e tij fetar, për rrjedhojë, edhe obligimet fetare konsiderohen më të epshme në zbatim dhe me mjedisin profan bëhen kompromise skandaloze.
Po jap një shembull të thjeshtë, por mjaft ilustrues. Shumë prej atyre që kanë punuar deri dje në zyrat e KMSH-së dhe që nuk ishin gylenistë, deri para se të spastroheshin një për një të gjithë, tregojnë se përshëndetja me selam brenda zyrave të KMSH-së ishte e rrallë, dhe kryesisht vetëm nga ata që nuk ishin gylenistë. Gylenistët janë aq shumë të ndikuar nga mësimet e tyre për të fshehur besimin, saqë edhe në një ambient që duhet të gëlojë nga selami dhe shprehja e normave islame, kufizohen në maksimum. P.sh. absurdi arrinte deri aty, sa një ish-nënkryetar i KMSH-së, sigurisht i katapultuar aty, pa ndonjë meritë të hershme, nuk i përshëndeste për ca kohë me selam muslimanët që e merrnin në telefon, me justifikimin se na përgjojnë dhe të mos e marrin vesh se jemi muslimanë!
Kulti i Gylenit, që përmes puçit institucional ka vjedhur në mënyrë të turpshme nga muslimanët e këtij vendi përfaqësimin e tyre në KMSH, është duke promovuar butësisht dhe tinëzisht “islamin e ri”, që është tolerant me të gjithë (përveç ndaj muslimanëve të tjerë), jo vetëm me fetë e tjera, që i përdorin si fasadë, por edhe me vetë afetarizmin dhe praktikat jofetare. Mjafton të shikoni medresetë që gylenistët kanë nën administrim (të Tiranës dhe Elbasanit) dhe universitetin Bedër, për të marrë direkt nga jashtë një përshtypje se çfarë feje, sa parime dhe praktika fetare mësohen dhe zbatohen nga këto institucione arsimore, të cilat pretendohet të nxjerrin hoxhallarët dhe predikuesit e ardhshëm islamë.
Hidhini vetëm një sy faqeve zyrtare të këtyre shkollave dhe aty do të gjeni “islamin e ri” të shqiptarëve, jo atë të Blushit, dhe as atë tradicional të Vehbi Dibrës, Ali Korçës, Ibrahim Dalliut, Mustafa Varoshit, dhe as Vehbi Gavoçit apo Sabri Koçit, por “islamin gylenist”, islamin pa shami, islamin pa përshëndetjen me selam, islamin e modës. Dhe nëse hulumtoni më thellë në përmbajtje, do të hasni në islamin që puthet buzë më buzë me laicizmin dhe që bën kompromise të frikshme me parimet dhe normat islame.
Lideri i kultit të Hizmetit, Gyleni, të cilin gylenistët e mbajnë për “Imamin e universit” dhe për Mesi apo Mehdi, pretendon se ka gjetur çelësin magjik të pajtimit mes botës moderne dhe traditës fetare, a thua se këto dy botë, antagoniste në thelb, kanë nevojë të domosdoshme të pajtohen. Në vend të një plani dhe vizioni mbijetese, sfidues dhe ndryshues të thelbit të lig afetar që ka bota moderne, Gyleni na ofron si zgjidhje kompromise në dëm të fesë, duke nisur që nga identiteti i dukshëm fetar, e deri tek pranimi i parimit makiavelist, se qëllimi justifikon mjetin.
Këtu p.sh. mund të citoj një profesor turk, Hakan Yavuz, studiues i hershëm i gylenistëve, ku në një intervistë të tij në 2008-n, flet për këtë aspekt transformimi duke thënë:
“…Gyleni e kuptoi këtë ndryshim dhe e interpretoi Islamin në mënyrë kalviniste. Rastësisht ose jo, ai u integrua në sistemin global dhe doli mjaft “i suksesshëm”. Megjithatë, ky sukses ishte i përkohshëm. Ndërkohë që Lëvizja Gylen u integrua në sistemin kapitalist, edhe kapitalizmi u integrua në të. Kjo do të thotë se ashtu si kalvinizmi që filloi me qëllimin e mirë, por më vonë u kthye në një diktaturë dhe më pas u shemb, edhe ai pati një dështim serioz. Lëvizja po fiton botën, ndërkohë që po humb Islamin. Me fjalë të tjera, dimensioni moral i Islamit është lënë në plan të dytë. Lëvizja është kufizuar te pushteti. Ajo ka arritur në një pikë, ku qëllimet justifikojnë mjetet. Dhe kështu, ajo i është dorëzuar modernitetit. Sipas meje, ajo duhej të kritikonte modernitetin. Në vend të kësaj, Lëvizja është dhënë pas ekonomisë. Fryma e kapitalizmit ka dominuar arsyetimin fetar. Kapitalizmi ka ripërcaktuar vlerat fetare. Për këtë arsye, Lëvizja Gylen ka marrë një dimension të rëndësishëm kalvinist.”
Ky lloj “islami gylenist” tenton të jetë i ri, jo vetëm në aspektin kulturor, mjedisor dhe aparencial, por ai kërkon të kthehet në doktrinën e re sociale të vetë fesë për muslimanët, duke ndryshuar rrjedhimisht madje edhe doktrinën teologjike, se si e besojmë dhe e perceptojmë Zotin.
I ashtuquajturi “islam i ri”, të cilit duhet t’i trembemi më së shumti, është pikërisht “islami gylenist”, i cili punon me agjendë të mirëpërcaktuar, të huaj ose të vetën, ose të dyja bashkë, i cili së pari do të marrë në qafë vetë gylenistët e sinqertë dhe naivë, dhe më pas, edhe një pjesë të mirë të muslimanëve të këtij vendi.
E kuptojnë ose jo, gylenizmi ka për të qenë emri i tumorit malinj të muslimanëve të këtij vendi. Armiqtë e Islamit këtë e dinë mirë, ndaj më duhet të flas hapur, jo për ata që më lexojnë prej tyre, por për naivët tanë, qofshin këta edhe gylenistë, dhe për ata që kanë dy pare mend dhe shpirt islam për të reflektuar.