Draft ligji “Për bletarinë”, regjistrim edhe kur ke 1 koshere, masat mbështetëse dhe kontrolli…

Shpërndaje

Qeveria ka prezantuar draftin final “Për bletarinë” duke synuar që për herë të parë të rregullojë këtë sektor me një ligj të veçantë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nxori për konsultim këtë draft duke nënvizuar në relacionin që e shoqëron aspektet kryesore që do të mbulojë ligji.

Duke theksuar problematikën e dëmtimit që kanë pësuar bletët në disa raste në botë, rëndësinë e ruajtjes së pjesës autoktone, rritjes së prodhimit të produkteve që vijnë nga bletaria si dhe kontrollit më të shtuar të sektorit, ministria shton se kjo vjen e përafruar edhe me kuadrin ligjor të Bashkimit Europian.

“Qëllimi i projektaktit është të njohë bletarinë si veprimtari me interes jetësor, kombëtar, e dobishme për ruajtjen e mjedisit natyror, ekosistemit dhe bujqësisë në përgjithësi dhe që synon garantimin e pjalmimit natyror dhe biodiversitetit të llojeve të bletëve, me referencë të veçantë për mbrojtjen e racës së bletës (Apis mellifera carnica) e popullata tipike vendase të bletëve ose zonave kufitare.

Objekti i këtij projekt akti është përcaktimi i rregullave për prodhimin, regjistrimin, transportin, riprodhimin, mbrojtjen, etiketimin, përpunimin dhe ruajtjen e produkteve të bletarisë, si dhe për kontrollin e cilësisë dhe gjurmueshmërinë e këtyre produkteve sipas programeve 3 vjeçare” thuhet në qëllimin e këtij projektakti.

Draftligji, çfarë sjell për sektorin

Draftligji “Për Blertarinë” vendos si kusht për të gjithë ata që kanë qoftë dhe një koshere bletësh që të regjistrohen pranë Agjencisë Rajonale të Eksteksionit Bujqsësor brenda datës 30 prill të çdo viti.

Sipas draftit përcaktohet qartë se vendndodhja e parkut të bletëve nuk mund të jetë kudo por ato duhet të jenë të vendosura jo më pak se 10 (dhjetë) metra nga rrugët e tranzitit publik dhe jo më pak se 5 (pesë) metra nga kufijtë e pronës publike ose private.

Ky park mund të jetë i qëndrueshëm ose lëvizës.

Në çdo rast shtegtimi i bletëve nuk mund të bëhet pa dijeninë e autoriteteve. Për këtë duhët të kërkohet lejë jo më pak se 6 ditë para datës së levizjes.

Kërkesa duhet të jetë e shoqëruar me certifikatën veterinare për gjendjen shëndetësore të bletëve dhe raportin për masat e ndërmarra veterinare.

AKVMB, pasi merr mendimin e ekspertit në bashkëpunim me Shoqata Lokale të Bletërritësve, miraton apo refuzon vendosjen e parkut të bletëve.

Lidhur me llojin e bletës drafti parashikonte duhet të përdoret lloji i bletës Evropiane Apis Mellifera dhe nënllojet lokale të bletëve; Apis mellifera carnica në vendet e Ballkanit, Apis mellifera ligustica, Apis mellifera sicula; Apis mellifera cecropia; Apis mellifera mellifera; Apis mellifera macedonica; Apis mellifera caucasica.

Sa i takon mbrojtjes së bletëve, bletari duhet të ketë njohuritë bazë mbi këtë sektor dhe duhet të marrë të gjithë masat për mbrojtjen e shëndetit të blerëve.

Darftligji sjell edhe pjesën e etiketimit të produkteve të bletës dhe specifikimet që duhet të ketë ky proces.

Në nenin 22 ndalet në mbështetjen e sektorit të bletarisë duke nënvizuar nga promovimi dhe mbrojtja e produkteve shqiptare tek programet e kërkimit dhe eksperiementimit, stimujt për të rinjtë në bletari e deri tek mbështetja e bletarëve në zonat malore të pafavorizuara.

Në nenin 24 vendosen kushtet për ruajtjen e mjaltit dhe më pas dhe mbikëqyrja.

Ligji parashikon masa administrative kur aktiviteti ushtrohet në informalitet duke mos e raportuar atë, kur nuk zotërohet certifikatë e gjendjes shëndetësore të bletëve apo kur nuk njoftohen inspektorët kur ka dyshime për sëmundje me karakter përhapës.

Ligji do të ketë nevojë për akte nënligjore të miratuara më pas ndërkohë që shtrirja e efekteve do të jetë dy vite pas hyrjes në fuqi. /B.Hoxha/Monitor/

Shpërndaje