“Policia Alpine”, struktura e re e Policisë së Shtetit…

Shpërndaje

Policia e Shtetit pritet që së shpejti të ketë një strukturë të re, të quajtur Policia Alpine. Kjo njësi e re e bluve do të jetë e specializuar për të patrulluar në zonat malore të vendit, kryesisht në veri. Njësia e re konsiderohet si e domosdoshme gjatë muajve të dimrit ku problematikat janë më te theksuara për shkak të kushteve të motit, siç është situata e ditëve të fundit në zonat malore të cilat janë mbuluar nga dëbora. Krahas ndërhyrjes në situata të vështira, njësia do ofrojë ndihmë dhe gjatë sezonit turistik, pasi vendi gjithnjë e më shumë po frekuentohet nga pushues të huaj dhe jo vetëm.

Alpet, Thethi, Valbona, Lëpusha, por edhe parqe të tjera kombëtare do të jenë në monitorim nga efektivët, të specializuar të cilët do të garantojnë siguri dhe ndihmë për të gjithë turistët që preferojnë sportet në natyrë.

Kjo njësi e re është ideuar pas kërkesave ndaj Policisë për t’u ardhur në ndihmë pushuesve të cilët pësonin aksidente apo kumbisnin rrugën në male. Pikërisht duke nisur nga këto raste, është duke u hartuar një draft për Policinë Alpine e cila do të ketë edhe infrastrukturën dhe mjetet e nevojshme. Modeli që do t’i shtohet Shqipërisë, është ai austriak, për të cilin autoritetet kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë në këtë drejtim.

Gjatë sezonit turistik në vendin tonë, Policia u ka ardhur në ndihmë 16 turistëve të cilët kishin probleme në zonat që po eksploronin. Turistët e shpëtuar janë gjermanë, hungarezë, belgë, meksikanë dhe bullgarë.

Shpërndaje