Vrasja me dy plumba e mjekut Ilir Alija në Shkodër, ka çuar në dënimin me 18 vite burgim të autorit të këtij krimi, shtetasit Dritan Ymeri. Vendimi për dënimin e Ymerit, është dhënë ditën e djeshme nga Gjykata e Apelit Shkodër,e cila ka deklaruar fajtor dhe dënuar me 18 vjet heqje lirie për akuzën e “Vrasjes me dashje” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.
Ngjarja e rëndë ku mbeti viktimë mjeku Ilir Alija, ka ndodhur në Shkodër, pasi në datën 30 korrik 2017, komshiu i tij, Dritan Ymeri e ka qëlluar me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend.
Krimi ndodhi në orët e vona të natës, ku shkak ka qënë një grindje mes doktorit Alija dhe Dritan Ymerit, për arsyen e një ndërtimi që po realizonte në banesën e tij, mjeku Ilir Alija.
Këto punime që kishin të bënin me rehabilitimin e shkallëve, kundërshtoheshin nga Dritan Ymeri, i cili banonte në godinën tre katëshe, ku jetonte dhe mjeku.
Si pasojë e këtyre kundërshtive, rreth orës 23:30 të mesnatës së 30 qershorit 2017, Dritan Ymeri, ka shkuar në vendin ku mjeku kishte kryer punimet dhe ka filluar ti prishi ato.
Për shkak të zhurmës së krijuar është çuar nga gjumi, mjeku Ilir Alija, i cili drejtohet në vendin ku ndodhej komshiu i tij, Dritan Ymeri. Mjeku ka filluar ti kërkojë llogari Ymerit se për çfarë arsyeh po i prishte punimet, por Ymeri e ka ofenduar nga familja dhe më pas e ka qëlluar dy herë me pistoletë.
Një plumb e ka prekur në sy dhe më pas dëmtuar trurin ndërsa plumbi tjetër, doktorin e ka prekur këmbën.
Sipas prokurorisë së Shkodrës, vrasja ndodhi në sy të familjarëve të tij. Ndërsa autori i krimit Dritan Ymeri mundi të largohet me shpejtësi por pas disa orësh është vetëdorëzuar në policinë e Shkodrës. Prokurori i çështjes, gjatë dhënies së pretencës në gjykatën e Apelit Shkodrës, kërkoi dënimin me 20 vite burgim të Dritan Ymerit.
Ndërsa vetë i pandehuri Ymeri kërkoi rrëzimin e dënimit të shkallës së parë, duke pretenduar që çështja e tij të rigjykohet nga fillimi. Por në fund të gjykimit, gjykata pasi dëgjoi të dyja palët, ka vendosur dënimin me 18 vite burgim për autorin e vrasjes.