Nga Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur se si u krijua Banka Otomane e Shqipërisë në 4 shkurt të vitit 1863 dhe si funksionoi ajo rregullisht deri në vitin 1913 me filialet e saja në Shkodër, Kosovë, Janinë, Shkup e Manastir. Në të gjithë procedurat e saj, ajo bankë funksiononte duke i’u nënshtruar të gjitha ligjeve dhe rregullave të sistemit financiar të perandorisë Otomane, gjë e cila bëhej zakonisht nga një mbikqyrës i emëruar nga qeveria Otomane. Kapitali fillestar i asaj banke që siç thamë më lart5 u themelua në vitin 1863, ishte 2.700.000 stërlina, dhe vetëm mbas trembëdhjet vjetësh nga krijimi i saj, shuma e kapitalit bankar arriti në 5 milion, e cila ishte e ndarë në 500.000 aksione. Periudha e koncesionit të asaj banke, në fillim ishte caktuar në një shtrirje kohore 30 vjeçare, por më vonë erdhi duke u zgjatur edhe dy herë të tjera: njëherë për 20 vjet dhe herën e dytë për 12 vjet.
Edhe pse krijimi i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, daton 4 tetorin e vitit 1913-të, (gati një vit pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimit të qeverisë së kryesuar prej Ismail Qemalit) rrënjët e sistemit bankar në Shqipëri janë shumë më të thella në histori. Po t’i referohemi dokumenteve arkivore, (të cilat gjenden në arkivat e Stambollit) do të shohim se institucionet financiare në vëndin tonë janë krijuar shumë vjet më përpara krijimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, madje jo pak, por plot pesë dekada përpara saj.
Sipas këtyre dokumenteve arkivore dhe disa studimeve historike të bëra për financat shqiptare në vitet e Monarkisë së Zogut, ku një nga më seriozët konsiderohet ai i Haxhi Shkozës, (ish-inspektor i përgjithshëm i Financave pranë Oborrit Mbretëror të Zogut në periudhën e Monarkisë 1928-1939), funksionimi i institucioneve të rregullta financiare në Shqipëri, e ka zanafillën që në vitin 1839. Por ajo që mund të konsiderohet me të drejtë si pararendësja e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, është Banka Otomane (në atë kohë njihej me emrin: Banque Ottomane) e cila është krijuar dhe ka funksionuar normalisht në Shqipëri që prej vitit 1863, apo më saktë më 4 shkurt të atij viti. Pra, prej themeleve financiare të hedhura prej asaj banke që e kishte qendrën e saj në Stamboll, u formua edhe Banka Kombëtare e Shqipërisë ne tetorin e vitit 1913.
Kapitali fillestar dhe funksionimi i Bankës Otomane
Sipas dokumenteve të ndryshme arkivore që gjenden në arkivat e Stambollit, (ish-kryeqëndra e Perandorisë Osmane) të cilat i referohen themelimit të Bankës Otomane në Shqipëri, duke filluar nga data 17 shkurt 1875, e deri në 30 shkurt 1911, ajo bankë i modifikoi konçensionet (aksionet) e veta financiare gjashtë herë me rradhë. Ndërsa statuti kryesor i saj i cili nuk u ndryshua për shumë vjet me rradhë, u miratua në vitin 1875. Me hapjen e Bankës Otomane të Shqipërisë në atë vit, u themeluan edhe degët kryesore të saj në të katër qendrat e vilajeteve të asaj kohe si: Shkodër, Janinë, Kosovë, Shkup e Manastir.
Në të gjithë procedurat e saj, ajo bankë funksiononte duke i’u nënshtruar të gjitha ligjeve dhe rregullave të sistemit financiar të perandorisë Otomane, gjë e cila bëhej zakonisht nga një mbikqyrës i emëruar nga qeveria Otomane. Kapitali fillestar i asaj banke që siç thamë më lart5 u themelua në vitin 1863, ishte 2.700.000 stërlina, dhe vetëm mbas trembëdhjet vjetësh nga krijimi i saj, shuma e kapitalit bankar arriti në 5 milion, e cila ishte e ndarë në 500.000 aksione. Periudha e koncesionit të asaj banke, në fillim ishte caktuar në një shtrirje kohore 30 vjeçare, por më vonë erdhi duke u zgjatur edhe dy herë të tjera: njëherë për 20 vjet dhe herën e dytë për 12 vjet.
Pagesat e obligacioneve dhe rritja e kapitalit bankar
Banka Otomane e Shqipërisë, sipas ligjeve dhe rregullave kryesore të parashtruara në statusin e saj, mbi të cilat funksiononte që nga krijimi, ishte e detyruar që në mbarim të afatit të koncesioneve të paguante në monedhe ari, të gjitha çmimet e obligacioneve që ishin në qarkullim. Vetëm kjo bankë kishte privilegjin e ekskluzivitetit të mbajtjes së emisionit të monedhave, gjë e cila vazhdoi normalisht gjatë gjithë funksionimit të saj.
Gjithashtu, kjo bankë ishte e detyruar që të kishte gjendje një depozitë baras me një të tretën e shumës së të gjithë bankënotave që ishin në qarkullim. Banka Otomane jepte hua përkundrejt artikujve që ajo do të kishte nën kontrollin e saj, mbante në depozitë obligacione, efekte tregtie, skontonte efekte financiare, blinte dhe shiste kambiale, etj. Po kështu për të gjitha veprimet bankare që ajo kryente, merrte një komision në shkallën ½, deri në zero përqind të shumës.
Edhe qeveria ishte e kredituar vazhdimisht për të gjitha pagesat e dërgesat e saj, që banka i bënte për llogari të shtetit. Ndërsa të gjitha aktet e bankës ishin të përjashtuara nga taksat e timbrës, (mbi fitimin). Në raste mosmarrëveshjes në mes bankës dhe personave të ndryshëm, fizik dhe juridik, sipas rregullores së bankës dhe gjithashtu ligjeve në fuqi të asaj kohe, çdo gjë zgjidhej në Gjykatën Tregtare, e cila funksiononte rregullisht që nga ajo kohë.
Nga data e themelimit të saj, ku Banka Otomane e Shqipërisë kishte një kapital fillestar bankënotash prej 8000 lirash turke, arriti që deri në vitin 1912, të kishte në qarkullim një kapital prej 1.370.000 lirash në bankënotë, gjë të cilat i deklaronte publikisht në bilancin e saj çdo fund viti. Këto bankënota ishin të ndara në prerje: 1,5,10,20 dhe 50 lirash turke. Në ato vite (që nga themelimi e në vazhdim) ajo bankë i kishte siguruar shtetit shqiptar një hua me 6.8 % dhe me një kamatë prej 6 %.
Krijimi i Bankës Kombëtare me kapital italo-austriak dhe shqiptar
Në vitin 1913, (një vit pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë) vetëm pak muaj pas shkëputjes së Shqipërisë nga sundimi otoman, një institut i tillë financiar u krijua edhe në vendin tonë me emrin “Banka Kombëtare e Shqipërisë”. Themelimi i kësaj banke u bazua në konçensionin e datës 4.10.1913, të bërë ndërmjet Qeverisë Shqiptare të asaj kohe dhe z. Baron Karol Pitner dhe Oskar Pollak, të cilët ishin përfaqësuesit dhe njëkohësisht të deleguarit e Wiener bank Verein me qëndër në Vjenë të Austrisë, dhe z. Petro Fengolio e Gido Ansbacher, në emër të Banca Commerciale Italiane me qendër në Milano të Italisë. Kjo marrëveshje e cila çoi në themelimin e kësaj banke, u bë me disa kushte, të cilat ishin të sanksionuara në 23 pika. Vlen t’i publikojmë disa nga pikat e asaj marrëveshje, për të parë se cilat ishin rregullat mbi të cilat u themelua e para bankë në Shqipëri dhe se si ka funksionuar sistemi bankar në vendin tonë gati një shekull më parë.
Marrëveshja për krijimin e Bankës Kombëtare
Disa nga pikat e asaj marrëveshje të realizuar në vitin 1913, të cilat po i japim në versionin origjinal të gjuhës së shkruar të asaj kohe, ishin këto:
Për të krijue një institut banke të privilegjuem, shoqni anonime shqiptare, e cila do të emënohet Banka Kombëtare e Shqipnisë dhe do të ket të drejtën të mbajë armaturat (të gjitha aktet themeluese financiare, shënimi ynë) të Shtetit Shqiptar.
Ndejtja e bankës do të jet në kryeqytetin e Shqipnis. Ajo do të themelojë në Shqipni edhe përjashta aq degë (sukursale) dhe agjensi sa të gjejë me udhë.
III. I pari këshill i administratës do të jetë i shënjuem nga të dy togjet themelonjëse edhe do të mbetet në punë 5-6 vjet. Administratorët shqiptar do të jenë të emnuem me kuptimin e bashkë të qeveris shqiptare edhe dy togjeve themelonjëse…
Qeverija shqiptare do të kontrollojë nxjerrjen e biletave të bankës dhe të zbatuesit pikërisht të urdhnimeve të statuteve e të rregullimeve që i përkasin shërbimit të nxjerrjes së këtyne biletave…
V./1 Biletat e bankës do të nxjerren në gjuhën shqipe dhe frengishte; presat e këtyne biletave do të përcaktohen prej një këshill administrativ në bashkëpunim me komisarin e naltë të Qeveris.
VI./2 Banka do të përkujdeset për qarkullimin e monedhave të Shtetit edhe vetëm ajo për llogari të Qeveris, do të ket barrën e blerjes së metaleve të vjeftun (me vlerë) për të tretunit (për të shkrirë) përsëri e për të prem të monedhave sikundër edhe për çdo tjetër veprim të monedhave.
VII. Kamja e t’ ardhurat e bankës, akcjonet, obligatat dhe titujt të tjerë (tahvilatet) qi do të nxjerri ajo, s’kanë për të paguem asnjë të dhanme, as pulla as taksa për të gjithë kohën sa të jetë banka. Gjithashtu dokumentet që do të nxjerrë banka në përhapjen e vendimeve të saja do të mos paguejn as pulla e as taksa. Metalet (madenet, gurët e çmuar) e vjevftshëm qi janë bam ose të pakam monedha, të prume prej bankës, nuk do të paguan asgja në të hym (tagër importimi).
VIII. Qeveria do të pranojë e do të përshkruejë obligatat fundore (tahvilati erazi) si dhe obligat e tjera të bankës për të përdorunit e fondeve (erazi) qi ka në dorë Shteti, prefekturat, krahinat, korporatat, fondatat (fondacionet) të të gjitha kategorinave, sikundër edhe për të përdoruemit e pasjes së jetimavet. Çdo depozitë gjyqësore e çdo depozitë pengu, e përshkrueme prej Shtetit, prefekturave, krahinavet, korporatave a fondatave nga të gjitha kategorinat, të shkëmbehen në bankë ja me titul ja me të holla.
Këtë akt konqesje, të nënshkruem prej Shkëlqesisë së Tij, Kryetarit të Qeverisë e prej Këshillit Ministruer të Shtetit Shqiptar, duhet qi më tre muaj e sipër koncesjonarët, Banca Comercjale Italiana dhe Winer Bank Veren, ta shtrojnë nën raktifikim (vërtetojnë) e këshillave të tyne t’administratës. XVII. Kamja e të ardhurave të bankës
Ky akt i konqesisë-i cili u ba në tre copa: (tre kopje) nji i m betet Qeverisë e dy të tjerat u jepen në duerë të dy koncesjonarëve-do t’ua botojë Qeverija zyrtarisht, tetë ditë mbas nënshkrimit, në format e njohura të botimit zyrtar të ligjeve (kanuneve) të tjerë.
Mbyllja e Bankës Kombëtare të Shqipërisë
Sipas disa burimeve historike që bëjnë fjalë për financat e shtetit shqiptar, si edhe atyre të bëra nga Haxhi Shkoza, (ish-inspektor i përgjithshëm i Financave pranë Oborrit Mbretëror të Zogut), Banka Kombëtare e Shqipërisë e cila u themelua më 4 tetor të vitit 1913 me kapital të përbashkët: shqiptar-italian- austriak, filloi menjëherë ushtrimin e veprimtarisë së saj duke bashkëpunuar edhe me subjektet private.
Por mjerisht, nga vitet dhe valët e pushtimeve të huaja që kaluan mbi Shqipëri, nga veprimtaria e asaj banke dhe mbyllja e saj disa kohë më vonë, në arkivat e shtetit shqiptar, nuk ka mbetur dhe nuk ndodhet asnjë lloj akti apo dokumentacioni. Nga koha e funksionimit të asaj banke, ka mbetur vetëm një dokument, i cili është një dëftesë e lëshuar prej saj, një institucioni tjetër financiar, që Banka Kombëtare e Shqipërisë, në atë kohë e kishte si konkurrent.
Në atë dokument, shkruhet: “Syndikati për Bankën Kombëtare të Shqipërisë. Në dëftesën Nr. të datë 6.X.1913 ka marrë nga arka e Financave të Vlonës, grosh 545.283 (në lib. arkës 930). Tërhequn nga banka tri herë grosh 257.000. Ngelun për të marrë nga banka 288.283”. Ky veprim i marrëdhënieve financiare të asaj banke, rezulton të jetë i pandryshuar deri në qershorin e vitit 1914 dhe më pas nuk është gjetur ndonjë shënim tjetër për të. Me sa duket, trazirat e mëdha të brendshme që përfshinë Shqipërinë në vitin 1914 (Kryengritja e Haxhi Qamilit), çuan në mbylljen e atij institucioni financiar, i cili hodhi themelet e para të krijimit të sistemit bankar shqiptar dhe vetë Bankës Kombëtare të Shqipërisë e cila do të riorganizohej në vitin 1921. /Memorie.al