Financat bashkive: Për 2021 fondet për bonusin e qirasë 1.6 miliardë lekë, tre objektivat…

Shpërndaje

Ministria e Financave u kërkoi bashkive në të gjithë vendin që të aplikojnë lidhur me fondet në dispozicion për programet e strehimit.

Në një shkresë drejtuar këtyre institucioneve Financat bënë me dije se buxheti dhe shpenzimet korrente për programet këtë vit është 1.8 miliardë nga ku 203 milionë lekë do të shkojnë për subvencionimin e interesave të kredive 6 milionë lekë grant i menjëhershëm dhe 1.6 miliardë lekë për bonusin e qirasë.

Pjesa më e madhe e shumës së fundit do të shkojë për familjet që përfitojnë bonusin pasi shtëpitë e tyre janë dëmtuar nga tërmeti.

“Ndarja dhe përdorimi i fondeve buxhetore për shpenzimet korrente për strehimin në vitin 2021 do të synojë: lehtësim për qytetarët e blerjes së banesave me kosto të ulët nëpërmjet subvencionimit të interesave të kredisë dhe grantit të menjëhershëm; mbështetjen financiare për subvencionimin e pagesës së qirasë për familjet e pastreha sipas ligjit nr 22/2018 si dhe për familjet e mbetura të pastreha si pasojë e fatkeqësisë natyrore të tërmetit; angazhimin e njësive të vetëqeverisjes vendore duke rritur kontributin e përgjithshëm në bashëfinacinimin e programeve të subvencionimit” thuhet në shkresën e ministrisë.

Në të njëjtin dokument Ministria e Financave dhe Ekonomisë sqaroi se afati për dorëzimin e kërkesave për subvencionimin e qirasë dhe grantit të menjëhershëm është në 31 janar 2021.

Në një tjetër dokument Financat dhanë detaje edhe mbi projektet e investimeve për strehim për vitin 2021 ku thuhet se vlera e tyre do të jetë 300 milionë lekë nga të cilat 140 milionë lekë që do të përdoren për financimin e projekteve në vazhdim nga viti 2020 dhe 160 milionë lekë janë planifikuar për projektet e reja të strehimit.

Afati për bashkitë që do të duan të përfitojnë mbështetje buxhetore për projektet e strehimit në këtë kategori përmes aplikimeve është deri më datë 15 mars 2021./N.Maho/Monitor/

Shpërndaje