Përkeqësimi i motit dhe vazhdimësia e rreshjeve ka bërë që të mblidhet Shtabi i Emergjencave Civile në Prefekturën e Qarkut Shkodër. Gjatë kësaj mbledhje ishin të pranishëm gjithë aktorët kryesor, anëtarë të Komisionit të Mbrojtjes Civile, të cilët raportuan problematikat dhe u morën masa konkrete për përballimin e situatës aktuale në Qarkun Shkodër.
Strukturat e shëndetësisë do të qëndrojnë në gatishmëri të plotë çdo ditë të javës. Administratorët e njësive administrative janë në kontakt të vazhdueshëm me njësitë e emergjencave në çdo bashki të qarkut. Aktualisht janë në gadishmëri strukturat e ushtrisë, të cilët janë të angazhuar në terren, ku është dislokuar mjeti ushtarak, në mbështetje të banorëve në Njësinë Administrative Ana e Malit, për transportin e banorëve në fshatin Obot, si dhe dy mjete lundruese.
MNZ (Zjarrfikësja) ka në gadishmëri dy grupe të cilat i ka të specializuara për barrierat mbrojtëse për zonat që rrezikohen nga përmbytja dhe grupin e evakuim shpëtimit për të ndërhyrë në evakuimin e komunitetit në ura të rrëmbyeshëm.
Kryetarët e Bashkive të Qarkut, përkatësisht të Bashkive Shkodër, Malësi e Madhe dhe Vau Dejës, raportuan që janë marrë të gjitha masat për evakuimin e mundshëm të popullatës dhe gjesë së gjallë si dhe paralelisht janë planifikuar vendet e akomodimit të përkohshëm për komunitetin dhe për gjenë e gjallë, në rast nevoje.
Njëkohësisht janë siguruar rezervat ushqimore për komunitetin dhe gjenë e gjallë për një periudhë 1 mujore veçanërisht për zonat e riskut.
Drejtoria Vendore e Policisë, sëbashku me të gjithë strukturat e qarkullimit rrugor kanë marrë të gjitha masat për kontrollin dhe garantimin e përdoruesve të mjeteve në të gjithë territorin e qarkut, për shkëmbimin e informacionit të ndërsjelltë. Ndërkohë, njëkohësisht janë aktivizuar struktura të specializuara për tw monitoruar kompanitë sipërmarrëse të rrugëve për zbatimin e kontratave të mirëmbajtjes së tyre. Vlen të theksohet se duhet të merren masa që çdo aks rrugor të jetë i kalueshëm. Për shkak të situatës së krijuar nga reshjet Drejtoria Vendore Policisë Shkodër ka në terren në shkallë qarku gjithsej 10 mjete dhe 50 forca policie, të gatshëm për t’iu përgjigjur zhvillimeve varësisht parashikimeve meteorologjike.
Për çdo rast qytetarët duhet të kontaktojnë në numrat e emergjencës civile, si dhe për çdo rast nevoje apo problematike në zonën e tyre duhet të kontaktojnë me sektorët e emergjencave civile në bashkitë respektive të qarkut.
Komisioni i Mbrojtjes Civile i Qarkut Shkodër, ka aktivizuar planet e gadishmërisë dhe vijon të monitorojë situatën në terren duke bashkëpunuar intensivisht me drejtoritë përgjegjëse të KESH, Autoriteti Verior Rrugor, Drejtoria Rajonale e Ujitjes dhe Kullimit, dhe bashkitë për mirëmenaxhimin e situatës.
Aktualisht situata është nën kontroll dhe po vijon monitorimi i saj hap pas hapi.