Gratë që jetojnë në Shqipëri vit pas viti po heqin dorë nga mëmësia, duke reduktuar në mënyrë drastike numrin bebeve të sjella në jetë.
Në vitin 2018 ky fenomen u theksua edhe më shumë kur numri mesatar i fëmijë të lindur nga një grua shënoi rekord historik. Indeksi i fertilitetit ishte vetëm 1.37 fëmijë për një grua nga 1.48 fëmijë më 2017 dhe nga 1.73 fëmijë për grua që ishte ky indeks në vitin 2014, sipas të dhënave të INSTAT.
Rënia me shpejtësi e numrit të lindjeve e ka çuar Shqipërinë nën normën e zëvendësimit e cila përllogaritet 2.1 fëmijë për grua. Gjithashtu Shqipëria e ka normën e lindshmërisë shumë poshtë indeksit global të fertilitetit i cili në vitin 2017 ishte 2.4 fëmijë për grua sipas të dhënave të Bankës Botërore. Gratë shqiptare lindin gati 50 për qind më pak fëmijë se mesatarja globale.
Si pasojë e lindshmërisë së ulët dhe emigracionit të lartë popullsia e Shqipërisë po zvogëlohet, ndërkohë ë struktura e saj tregon se popullsia po shkon drejt plakjes.
Sipas përllogaritjeve të INSTAT emigracioni është një faktor më madhor se rënia e lindjeve për tkurrjen e popullisë. Teksa rënia e lindjeve ishte me rreth 8 mijë persona vitin e kaluar emigracioni neto ishte rreth 16 mijë persona.
Nga janari 2014 deri në janar të 2018 popullsia e Shqipërisë është zvogëluar mesatarisht me 0,16 % në vit.
Si pasojë e këtyre zhvillimeve raportet e varësisë janë rritur për moshat e vjetra dhe janë ulur për ato të rejat. Raportet e varësisë llogariten duke krahasuar numrin e personave (të rinjtë 0-14 vjeç dhe/ose të moshuarit 65+ vjeç) me popullsinë në moshë pune.
Për vitin 2018 raporti i varësisë së të moshuarve në Shqipëri është 20,1 % kundrejt 17,9 % në vitin 2014. Nga ana tjetër, raporti i varësisë së të rinjve në vitin 2018 është 25,4 % kundrejt 28,2 % në vitin 2014, duke pasur kështu për një tendencë në rënie të këtij raporti në vendin tonë.