Nga Jolanda LILA
HAMIT BORIÇI
Disa e quajnë “emblema e gjallë e gazetarisë”, disa e quajnë “babai i gazetarisë shqiptare”, por përtej këtyre cilësimeve, për të gjithë, ai është “profesor Hamiti”, njeriu që qëndron mbi titujt dhe që nuk ka nevojë për to, sepse vepra e tij flet qartë. Ai është një ndër studiuesit më në zë në fushën e gazetarisë dhe të publicistikës.
Emri i tij është sinonim i profesorit të përhershëm, që e sheh gjithnjë të angazhuar dhe përherë produktiv e të palodhur. Ai e vijon misionin e vet edhe sot kur është 89 vjeç. Gazetarët e brezave të ndryshëm kanë gjithnjë një busull orientimi në punën e karrierën e tyre, e cila lidhet me këshillat e pakursyera të Profesorit (për ata që e njohin nga afër) dhe me librat e tij themeltar në fushën e gazetarisë, në historinë e shtypit dhe në publicistikë. Puna e tij studimore vijon të mbetet baza referenciale për studiuesit e shkencave të komunikimit dhe më gjerë.
Prej 3 vjetësh, Unioni i Gazetarëve akordon për gazetarët më të mirë edhe çmimin “Hamit Boriçi”. Emri i tij në këto çmime vjetore është shëmbëlltyra më e mirë e traditës, por sidomos e profesionalizmit në fushën e gazetarisë. Kontributi i tij prej më shumë se gjashtë dekadash e ka kthyer atë në dekanin e gazetarisë, sepse emri i tij është fuqiplotë edhe kur ai nuk është më në pozicione drejtuese. Çdo punë që merr në duar Profesori, është themelfortë, prandaj gjurmët e tij mbeten kudo.
Puna është lajtmotivi i jetës së profesor Hamitit. Ai nuk e ka ndërprerë punën në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë. Madje, edhe momentet më të vështira të jetës i ka kaluar përmes leximit, sistemimit të skedave dhe shkrimit në kompjuter. Edhe sot punon të paktën 5 orë aktive në çdo ditë të javës. Duket si një Ante, por për dallim prej tij, ai e merr fuqinë nga puna studimore. Sipas Profesorit, puna sistematike ta ruan shëndetin, ta largon stresin dhe nuk lë të përfshihesh në grackat e kotësisë së përditshmërisë, duke u endur lart e poshtë pa një motiv bosht. “Të pushosh duke punuar”, thotë me shaka Profesori, si për të na treguar se te puna e gjen prehjen e vërtetë. Ai është nxitësi më i madh jo vetëm vetes, por edhe i punës së të tjerëve. Ai bashkëpunon me të rinjtë, u jep shënimet e punët e veta shumëvjeçare, për t’i nxitur kështu që të merren me studime.
Qysh në vitin 1964, kur bashkë me kolegë të tjerë e krijuan departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, ai nuk iu nda kurrë më punës shkencore. Atij i ra barra kryesore për hartimin e plan-programeve universitare të këtij departamenti dhe, për këtë arsye, shumë njerëz e identifikojnë me themeluesin kryesor të degës së Gazetarisë. Natyra modeste e Profesorit dhe bindja e tij e verbër se punët e mira bëhen bashkë e jo nga një individ i vetëm, e bëjnë atë që ta mohojë kategorikisht këtë atribut ndaj vetes dhe t’i përmendë meritat e një vargu gazetarësh e kolegësh të tjerë.
Me një kujtesë fenomenale, me një vrull të pashembullt dhe me një stil lakonik e tejet të qashtër, ai vijon të shkruajë studime në fushën e kulturës së shkruar, gazetarisë e publicistikës. Është autor i 15 librave: tekste mësimore universitare, monografi e studime problemore, përmbledhje publicistike, fjalorit doracak për gazetarinë etj., ndërsa është edhe drejtues shkencor dhe përgjegjës për botimin e 27 veprave të eruditit shqiptar Vasfi Samimi, si dhe bashkautor i Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985) për termat, konceptet dhe personalitetet në fushën e shkencave të komunikimit.
Gjithashtu ka dhënë kontribut shumëvjeçar në detyra drejtuese dhe forume akademike e shkencore, si: 1. Shef i Katedrës së Gazetarisë në UT (1986-1991); 2. Anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave (1980-1985); 3. Anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike (Gazetari) të Universitetit të Tiranës (1986-1989); 4. Anëtar i Këshillit Drejtues të Fakultetit Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës (2001-2003); 5. Shef Departamenti, Zëvendësrektor, Shef Departamenti dhe anëtar i Senatit të Albanian University (2005-2012)… është pjesë e bordeve drejtuese të disa revistave shkencore mbarëkombëtare, si dhe udhëheqës shkencor në shumë punime të doktoratës në fushën e gazetarisë dhe të shkencave të komunikimit.
Profesor Hamiti është një nga pinjollët familjes shkodrane Boriçi, një familje kjo me tradita të spikatura atdhetare e kulturore. Ai lindi në vitin 1930 dhe, për nga misioni shoqëror, botëkuptimi dhe dashuria për gjuhën e kulturën shqiptare, ai është pasues i denjë i plejadës së viteve të ’30-ta në Shkodër. Është një figurë tepër humane, gjë të cilën e pohojnë të gjithë ata që e kanë njohur. Njeri që nuk krijon asnjëherë probleme, natyrë e qetë edhe në mes të stuhive përqark, dashamirës e nxitës i tejskajshëm drejt progresit, gojëmbël e fjalëpakë, tepër i matur në veprime e konstatime dhe tejet korrekt. Këdo që takon, përpiqet ta mbushë me pozitivitetin e vet, të shohë më të mirën tek secili dhe të bëjë më të mirën për ta.
Ai lindi me 20 mars, në ditën ndërkombëtare të lumturisë. Ky pikëtakim i çuditshëm nuk duket aq rastësor për profesorin. Duket sikur ai e ka gjetur atë që e kërkojmë të gjithë: “Lumturinë”, andaj nuk heziton ta ndajë e ta spërkasë me të realitetin rrethues.
Profesor Hamiti është i pari prej 8 fëmijëve, sepse prindërit e tij lindën 4 djem e 4 vajza. Si djali i parë, ai u rrit mes një dashurie të madhe dhe vëmendjeje të jashtëzakonshme nga të gjithë. Ai ishte fëmijë shumë kureshtar dhe biblioteka e madhe në shtëpinë e xhaxhait të vet ishte oaza dhe vendi më i dashur i tij. Qysh në moshën 10-vjeçare ai nisi të lexonte shtypin e shkruar. Lexonte më vëmendje nga fillimi deri në fund të gjitha gazetat e revistat që vinin çdo ditë në bibliotekën e Adem Boriçit, djalit të xhaxhait, i cili e kishte pasion të madh leximin dhe informimin. Mes tyre, vinin edhe dy gazeta franceze, të cilat Hamiti i ri i shfletonte me kureshtje, ndonëse nuk e njihte frëngjishten. Biblioteka e xhaxhait të vet, por edhe ajo e djalit të xhaxhait të nënës së vet, mjekut Muhamet Bala, ishin vendet ku ai preku magjinë e letërsisë, por mbi të gjitha të gazetarisë, sepse brenda tij lindi dëshira që të bëhej gazetar. Këtë dëshirë e artikuloi tek prindërit e vet, por edhe në shkollë, ku gjeti mbështetjen e përkrahjen e mësueses së letërsisë, e cila u befasua nga hartimi në trajtë profili gazetaresk që ai bëri kur ishte vetëm 11 vjeç. Ky profil ishte për shokun e vet të fëmijërisë, mikun e përjetshëm, akademikun Bedri Dedja, me të cilin profesor Hamiti lidh shumë kujtime. Duke qenë nëpunës i lartë në Shkodër, babai i Bedri Dedjes kishte një makinë shkrimi në shtëpi. Shumë shpejt kjo makinë shkrimi u bë mjeti më i dashur për profesor Hamitin. Ai shkonte çdo pasdite në shtëpinë e Bedriut dhe të dy e mësuan që në moshën 14-vjeçare daktilografimin, proces pune që do t’i ndihmonte shumë në hapat e mëvonshëm të jetës.
Studimet i përfundoi në degën “Gjuhë-letërsi”, ndërsa, më vonë, ëndrra e tij u përudh duke kryer specializimin për gazetari në Universitetin Lomonosov në Moskë. Për shkak të nevojave të mëdha që kishte vendi në fushën e pedagogjisë, profesor Hamitin e emërojnë mësues në Shkodër. Bashkë me detyrën e mësuesit, Profesori nuk mund të rrinte apatik përballë problematikave me të cilat ndeshej arsimi e kultura, prandaj ai filloi të shkruante artikuj si korrespondent vullnetar në revista të ndryshme.
Përvoja e parë serioze dhe profesionale e tij ishte në vitin 1953, kur ai nisi punën si korrespondent i zonave të veriut në gazetën “Zëri i rinisë”. Si korrespondent, gama e shkrimeve të tij u bë më e gjerë dhe diktohej jo vetëm nga zgjedhjet e tij, por edhe nga kërkesat e kryeredaktorëve. Kështu, ai u mor kryesisht me zhanrin e reportazhit në sfera të ndryshme të veprimtarisë shoqërore, si në kulturë, ekonomi, bujqësi e më gjerë. Shkrimet e tij analitike, njohja e thellë e problematikave dhe stili i qartë ranë në sy të drejtuesve, të cilët e transferuan profesor Hamitin në Tiranë. Kështu, ai kaloi në të gjitha hallkat e gazetarisë aktive, nga korrespondent, gazetar, redaktor e deri kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”, e cila ishte gazeta e dytë më e madhe në vend, që renditej pas gazetës “Zëri i popullit”. Duke qenë se kjo gazetë ishte paksa më liberale dhe e fokusuar më tepër tek kultura, profesor Hamiti pati mundësinë që për 12 vjet me radhë (1978-1990) të sillte modelin më të mirë të gazetarisë cilësore, të zhanreve të larmishme dhe të bashkëpunimit e rekrutimit të stafit profesional, edhe pse nën diktaturë.
Pavarësisht suksesit që pati si gazetar e kryeredaktor, dashuria dhe përkushtimi më i madh i profesorit mbeti në fushën e shkencës. Ai nuk u shkëput kurrë nga katedra e gazetarisë dhe puna studimore, qysh në vitin 1964, kur bashkë me Dritëro Agollin, Vangjush Gambetën, Xhevat Lloshin etj., ngritën degën e gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Përvoja praktike e gazetarit, formimi i specializuar në këtë fushë, e bënë Profesorin që ta përthithte shpejt thelbin dhe nevojat që kishte kjo degë, në mënyrë që të aftësoheshin sa më tepër gazetarët e ardhshëm. Me përkushtim të madh hartoi plan-programet mësimore të kësaj dege dhe hartoi leksionet e lëndës “Teoria dhe praktika e gazetarisë”. Në vitet e mëvonshme, ai do të bëhej titullar edhe i shumë lëndëve të tjera dhe do të propozonte riorganizimin e degës së gazetarisë pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, duke u shkëputur kështu nga Fakulteti i Shkencave Politiko-Juridike. Për më shumë se 45 vjet ka qenë ligjërues i lëndëve “Pasqyrimi i problemeve të kulturës dhe të artit në shtyp”, “Llojet e publicistikës letrare”, “Teoria dhe praktika e gazetarisë”, “Mjeshtëria” (Format e pasqyrimit publicistik) dhe “Historia e Gazetarisë”. Për disa vjet ka qenë përgjegjës i Katedrës (Sektori Shkencor i Gazetarisë) në Universitetin e Tiranës. Pareshtur, deri në vitet e fundit, ka punuar si pedagog i jashtëm në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës. Në vitin 2005 themeloi edhe Departamentin e Shkencave të Komunikimit – Gazetari – në Albanian University, të cilin e drejtoi deri në vitin akademik 2012-2013, duke qenë njëherësh edhe Zv/Rektor i Universitetit për punën shkencore. Duke u marrë me mësimdhënien, e kuptoi se aty ishte bota e tij e brendshme dhe lumturia e tij më e madhe.
Një tjetër punë e dashur e tij ishte edhe puna studimore në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ku u hap një profil studimor për historinë dhe teorinë e gazetarisë. Kjo konsiderohet ndër përvojat më të vyera të profesorit. Këtë e ka pohuar në disa intervista, sepse aty pati mundësinë të merrej me kohë të plotë me punë studimore dhe të bashkëpunonte me personalitete të shkencës shqiptare si Eqrem Çabej, Androkli Kostallari, Aleks Buda etj.
Nga libri në libër, ai ka dëshmuar njohuritë e tij të thelluara, por ka ditur të ecë edhe me hapin e kohës. Periudha më produktive në rrafshin e botimeve është ajo pas vitit 1990-të, ku renditen një sërë veprash të botuara, si: 1. “Gazetaria dhe publicistika” (1990), 2. “Një shekull e gjysmë publicistikë shqiptare” (1848-1997), 3. “Doracak i gazetarit” (2000), 4. “Gazetaria – 1” (2000, ribotim 2003), 5. “Gazetaria – 2” (2002, ribotim 2004), 6. “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë – Fjalor Enciklopedik” (2005), 7. “Historia e gazetarisë shqiptare” – Rilindja I (monografi) – (2007, bashkautor), 8. “Historia e shtypit shqiptar e mbi Shqipërinë” (2011), 9. vëllimi publicistik “Kosovë… Në jetësim të lirisë” (Udhëpërshkrime, artikuj, ese – Prishtinë 2001), 10. “Lajmi në media” etj. Shumë vepra të tjera janë në proces pune dhe shumë vepra të tjera janë të gatshme për botim.
Personaliteti i tij shkencor është ngritur në tri elemente kryesore: gazetaria, publicistika dhe historia, ndërsa të tria këto së bashku formojnë profilin e një humanisti të madh në jetë, por edhe në shkencë. Ai mbetet promovuesi më i madh i gazetarisë humane në vendin tonë dhe studiuesi që çeli rrugën e shkencës mbi gazetarinë dhe komunikimin.