Nga Islam Dizdari
Ndoshta përcaktori i harruar nuk është i drejtë sepse Izet Bebeziqi është bërë i pavdekshëm me veprën e tij, me kontributin e tij të vyer në shumë fusha të jetës, me botimet e studimet e tij të shumta në shtypin e kohës, me punën e tij si mësues dhe edukator, me përsonalitetin e tij që në periudhën kur punoi i‘u imponua edhe burrave më të nderuar të kulturës dhe të politikës.
Mjedisi ku u rrit dhe u edukua
Izet Bebeziqi lindi në Shkodër më 11.10.1905 në një familje të nderuar emigrantësh nga trojet shqiptare të Podgoricës të lidhur ngusht me familjet më në zë të Shkodrës e të përshtatur më së miri nivelit dhe kërkësave të kësaj qendre me rëndësi ekonomike dhe kulturore. Mjedisi familjar i dha krenarinë dhe dinjitetin personal që edhe në kushtet më të vështira të qëndronte burrërisht dhe të përballonte sfidat e jetës. E këto qenë shumë të rënda. Por ai kurrë nuk e uli kokën dhe qendroi krenar në dinjitetin e vet. Kjo duket qartë në burgjet komuniste, kur ai me ballin lart iu përgjegj Mehmet Shehut, kryeministrit të hekurt që desh ta nënshtronte: “Jam shumë mirë, nuk kërkoj asgjë prej jush“. Nga ky mjedis ai trashëgoi edhe energjitë e pashterrshme, një tip sistemi nervorë shumë të qëndrueshm dhe sfidues. Babai i tij i interesuar për edukimin e djalit të vet që kur ishte Izeti 13 vjeç e dërgon për studime në Austri (1918-1934 ku kreu shkollën e mesme klasike dhe ndoqi studimet e larta)). Atje në atë mjedis të ngritur kulturor dhe shkencor djaloshi merr formimin dhe përgatitjen e duhur duke marrë ç´është më e vlerëshme për t´i shërbyer atdheut të vet të dashur. Nuk është pa rëndësi që Izet Bebeziqi ndonse 16 vjeç krijon bibliotekën e parë në vulën e së cilës shënon: “Biblioteka Illyria-Bebeziqi, Shkodër-1.XI.1921“. Që student ai njihet në origjinal me kryeveprat e letërsise dhe të filozofisë në gjuhën gjermane, angleze, italiane, latine, spanjolle, frenge, ruse, serbokroate, greke të vjetër dhe të re dhe turke. Pra dinte dhe studionte në 11 gjuhë të lindjes dhe të përëndimit të vjetra dhe të reja. Të gjitha këto lanë gjurmë të thella në shpirtin e tij gjithnjë të rebeluar ndaj padrejtësive, sa ai u bë shembull i përkryer i studiusit të apasionuar, i eruditit të shquar, i gazetarit me emër të rrallë në botën e letrave shqipe në organet e huaja dhe të vendit. Njihet me rrethet përparimtare dhe ëndërron për një të ardhme demokratike të vendit të vet. Për rrjedhojë është kundër regjimit monarkik, madje në atentatin që i bëhet Ahmet Zogut në Vjenë, akuzohet si i implikuar politik, dënohet në mungesë, i pritet bursa, i ndërpret studimet.
Gazetari, përkthyesi, studiuesi, mësuesi
I mbetur pa të ardhura në vend të huaj ai detyrohet të mbijetojë duke punuar në fushën e letrave si gazetar dhe studiues. Që në vitet e shkollës ai shkruan në gazetat gjermane dhe austriake, boton në gazetat italiane dhe sidomos tek Shqipëria e re e Kostancës në Rumani kryesisht me pseudonimin Bartholotus. I nxitur nga Jokli ai studion ngulimet arbëreshe në Itali, trasliteron De Radën, studion Santorin, Seremben, Krispin e tjerë arbëresh të nderuar, mbledh këngët popullore në shumë krahina të vendit, gjurmon me kujdesin e një studiuesi gjithçka lidhet me traditat dhe historinë kombëtare, bashkëpunon në shumë organe shqiptare, si: “Kultura islame“, “Kombi“, “Fryma“, “Fjala e Korçës“, “Revista letrare“, etj. Hapsira e studimeve të I. Bebeziqit përfshinë një periudhë të gjatë kohore, nga mesi i viteve ´20 e deri në 1944 pavarësisht nga veçoritë ajo mbetet në një tematikë kryesore: atdhedashuria-shqiptarizmi. Brënda këtij kuadri ai është filozof, letrar, kritik, historian dhe sociolog. Ai studionte mbi bazën e një literature të gjërë, por duke mbetur kurdoherë origjinal dhe bindës në problemet që shtronte. Ai njihet si nji nga gazetarët më në zë në shtypin e huaj dhe vendës aq sa bëhet “Ndër penat më të forta kritike“ siç do ta cilësonte Petrota tek studimi “Popolo, Lingua e Literatura albaneze“ në vitin 1932, kur Izet Bebeziqi ishte vetëm 27 vjeç. Bebeziqi përkthen në gjuhën shqipe nga gjermanishtja, italishtja, turqishtja e shumë gjuhë tjera. Shquhet për erudicion dhe aftësi shprehëse në gjuhën shqipe të mendimit letrar e filozofik më të përparuar evropian.
Kthimi në atdhe në vitin 1934
Izet Bebeziqi kthehet në atdhe në vitin 1934, mbas amnistisë së qeverisë së Ahmet Zogut. Më 1934-1936 është profesor në Tekniken e Tiranës, pastaj në Tregtaren e Vlorës, në Gjimnazin e Korçës. Në Vlorë pret me armë në dorë pushtimin fashist të 7 prillit, ky profesor vjen në Tiranë dhe bëhet figurë kryesore në manifestimin antifashist që organizohet në varrin e Naim Frashërit, në Korçë në ballë të nxënësve të vet, gris flamurin fashist. Siç e shihni nuk po ndalem në aftësitë pedagogjike të këtij Profesori të talentuar, të këtij analizuesi të shquar të letërsisë shqipe dhe të huaj. Në ato kohë të errta për vendin tonë shpaloset në mënyrën më të qartë shpirti i tij rebel kundër padrejtësive shqoërore, kundër armiqve të shqiptarisë.
I burgosur dhe i përndjekur nga regjimi komunist
Izet Bebeziqi është një nga intelektualët e rrallë që u dënua dhe u përndoq nga të gjitha regjimet në Shqipëri. Është i dënuar politik nga Qeveria e Zogut, arrestohet dhe internohet pa afat nga italianët në vitin 1940 në ishullin Ventotene, së bashku me shumë bashkatdhetarë të tjerë. Atje në ato burgje të errta njihet dhe zë miqësi me Sandro Pertinin, Presidentin e ardhshëm të Italisë. Shprehje e kësaj miqësie është kujdesi i vazhdueshëm i këtij personaliteti të politikës italiane ndaj mikut të vet Bebeziqi. Kur kthehet nga internimi më 1943 shkon në Pejë dhe atje emrohet drejtor i gjimnazit. Atje lufton për një Kosovë të lirë dhe të bashkuar me Shqipërinë. Burgoset nga gjermanët dhe falë lidhjeve miqësore me Xhevat Danin, arrinë të arratiset nga birucat e burgut të Shkodrës dhe fshihet në miqt e vet në Tiranë. Qenë po tiranasit që e fshehen profesorin e tyre të nderuar edhe nga pushkatimet pa gjyq të komunistëve si ato të hotelit “Kontinental“ e gjetkë.
Në vitin 1945 Izet Bebeziqi vendoset në Durrës. Regjimi i ri komunist nuk i dha punë këtij profesori të nderuar. Miku dhe kolegu i tij i ngushtë, Skender Luarasi, e ndihmoi të hapte një dyqan me artkuj shkollor dhe të shiste libra. Kjo u bë qendër takimesh e bisedash të intelektualëve durrsakë dhe të kosovarëve që i shpëtuan masakrës së Tivarit dhe përndjekjeve sllave. Sigurimi e vëzhgonte dhe e ndiqte në hije. Kupa u mbush me zgjedhjet e 2 dhjetorit, kur Izeti deklaroi haptas se: “Pjesmarrja në votime nuk është e detyrueshme“. Arrestohet nën akuzën: “Për dijeni të formimit të një grupi socialist“. Gjatë mbrojtjes Izeti shpalosi aftësitë e veta juridike duke e gozhduar trupin gjykues dhe arriti ta kthente gjyqin në aktakuzë për shkeljen e të drejtave të njeriut. U dënua me 7 vjet burg politik dhe konfiskim të pasurisë. Iu ndalua përgjithmonë mësimdhënia dhe botimi. Mbas shumë përpjekjesh, kur doli nga burgu, u emrua nëpunës biblioteke në Shkodër ku vetëm shpërndante libra. Megjithkëtë ai me aftësitë e vëta si një mik i ngushtë i librit dhe njohës i thellë i tij shpejt u afrua me studentët të cilët do të gjenin tek Izeti ndihmësin dhe orientuesin e palodhur në botën e kulturës dhe të shkencës. Janë më qindra e me mijëra studentët që frekuentonin bibliotekën e shtetit dhe kërkonin ndihmën e një kompetenti si Izet Bebeziqi në fushën e hartimit të diplomave, të detyrave të kursit, të referateve letrare ose të kërkimit të librit. Tani Izeti i ngarkuar me një punë krejt të rëndomtë për aftësitë e tij intelektuale, gjen hapsira për të dhënë maksimumin e kontributit të vet. Duke qenë njohës i shumë gjuhëve të huaja, ai fillon të japë mësime fillestare në disa prej tyre. Dhe natyrisht më për zemër kishtë dhënien e gjuhës gjermane. Natyrisht ky fakt është vetëm një provë e thjeshtë për të treguar bagazhin kulturor të këtij intelektuali të shquar veprimtaria e të cilit iu ndërpre me dhunë kur ishte në moshën më të mirë të pjekurisë e të krijimtarisë.
Bashkëpunëtorët dhe miqtë e Izet Bebeziqit
Që student ai njihet me Joklin nga i cili merr frymzimin dhe nxitjen për të punuar në fushën e kërkimit shkencor, gjuhësor dhe letrar. Nga Shkodra, Tirana, Vlora, Durrsi, Korça, nga ngulimet shqiptare në Itali e Greqi, nga Kosova ku jetoi e punoi njëzëri të gjithë do ta thërrisnin me titullin nderues “Profesor Bebeziqi“. Kështu i shkruante miku i tij i ngushtë, poeti i Kombit Lasgushi, kështu e thërriste shoku i tij i studimeve, Çabej, shoku i punës, Skender Luarasi e deri tek Presidenti i njohur i Italisë, Sandro Bertini. Ai kishte mik e bashkpunëtor me Safet Butkën, Prek Kaçinarin, Arshi e Myzafer Pipën, Beqir Çelën, Hafiz Ali Korçën, Vinçens Prenushin, Stefan Kaçulinin , Sulejman Kadiun, Skender Çelën, Ibrahim Gjakovn, Riza Danin, Xhevat Danin, Muhamet Shurdhën, Jup Kastratin, Fadil Podgoricën, Luigj Franën e shumë e shumë të tjerë.
Emri dhe vepra e Bebeziqit u mbajtën në heshtje
Veprimtaria e Izet Bebeziqit sot njihet fare pak. Vepra e tij krijuese mbeti në faqet e gazetave dhe revistave të kohës, të cilat sot është shumë vështirë të gjinden. Mendimi i tij filozofik, historik, letrar dhe shkencor u harrua dhe mbeti pronë e arkivave. Për 50 vjet askush nuk u kujtua për të. Vetëm në vitin `94 doli në dritë emri i tij.
Gazetari i mirnjohur, Besnik Dizdari shkruan artikullin “Përse është i madh Izet Bebeziqi?“, Studiuesi i palodhur Fadil Podgorica shkruan tek Shkodra “Një mik i Sandro Bertinit“, Danish Izet Bebeziqi (i biri) shkruan tek Rilindja “Hapsira e stzudimeve-atdhedashuria, shqiptarizma“. Nga një skicë të jetës së Bebeziqit do ta gjejme edhe tek Hamdi Bushati si dhe tek vepra e Prof. Dr. Uran Asllanit. Populli ruan respektin e thellë për Profesorin prandaj në vitin 1994 i‘u dha titulli i lartë “Mësues i Popullit“ me këtë motivacion: “Mësues i devotshëm dhe plot pasion. Ka dhënë një kontribut të shquar në lëmin e kritikës letrare, përkthimeve dhe të publicistikës. Punoi me ndërgjegje të lartë në shkollat e Shqipërisë dhe të Kosovës“./Memorie.al