Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj nuk e përjashton mundësinë e një vale të dy infektimesh masive nga COVID-19 në vjeshtë. Duke folur për të dhënat e fundit, ku ka pasur 36 raste, Brataj tha se një gjë e tillë pritej pas heqjes së masave kufizuese.
“Nuk jemi në situatë serioze, por treguesit nuk janë të mirë për atë se çfarë mund të paraqitet përpara. Në këto momente nuk do të ketë masa, ne e dinim që do të kishte një rritje të numrit të të infektuar nga hapja, pasi do të kishte kontakt mes njerëzve”, u shpreh doktori.
Z. Brataj theksoi se duhet të përgatitemi për të gjithë skenarët e mundshëm, pasi ende nuk është fituar imuniteti i popullatës dhe s’ka vaksinë për virusin. “Duhet të përgatitemi për të gjithë skenarët. Problemi i këtij virusi është se nuk ka shumë studime dhe vetë pandemia nuk ka mbaruar”, paralajmëroi kreu i Urgjencës Kombëtare.
“Askush nuk e përjashton mundësin e një vale të dytë në vjeshtë. Ekspertët thonë disa skenarë dhe mes të cilëve mund të jetë kjo pasi mund të ketë një valë të dy infektimesh dhe mund të kërkohen masa. Por ka skenarë të tjerë më të lehtë nga imunizimi i popullatës. Jam optimist për gjetjen e një vaksine, pasi janë përkushtuar fuqi të mëdha dhe janë bërë prova të 3-4 modele vaksinash”, shtoi ai.
Sipas tij nevojitet që rreth 60-70 e popullsisë të fitojë imunitet në mënyrë që virusi të mos rikthehet më. Brataj tha ndër të tjera se, aktualisht vendi ynë ka vatra dhe jo zona të infektuara që e bën më të lehtë kontrollin dhe gjurmimin e rasteve.
Vetë Brataj është një prej mjekëve që e ka kaluar coronavisurin. Ai tregoi se skanerin e parë të mushkërive, kolegët nuk ia treguan pasi virusi i kishte dëmtuar rëndë ato. Por, ai shtoi se skaneri i tyre tregoi se indi i mushkërive ishte rikuperuar.
Për akuzat se QSUT është kthyer në vatër të infeksionit, ai tha se, në Itali “në këtë momente ka 25 mijë të infektuar në personel mjekësor”. Infektimi i mjekëve tha ai vjen kryesisht nga kontakti me pacientë që nuk kanë simptoma të COVID.