PLANI/ Detaji i fshehur i Reformës Zgjedhore: shqiptarët, në dy votime brenda 7 muajsh

Shpërndaje

Ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ai i BE-së, Luigi Soreca lanҫuan një mesazh të fuqishëm që u duk si ultimatum në lidhje me reformën zgjedhore.

Pas impasit të një nate më parë në Këshillin Politik, ku asnjë prej reporterëve nuk arriti dot të japë dëshminë reale se ku ngeci problemi, nisin të dalin edhe të fshehtat e një manovre që duket se është vendosur lart në krerët e politikës.

Siҫ mësohet nga burime diplomatike, gjithë negociatat frenetike të zhvilluara këto ditë nuk se janë bërë në ajër, pra që të bindin palët të bien dakord thjesht për rregulla loje për zgjedhjet e radhës.

Mësohet se është negociuar në mënyrë të detajuar një plan i hollësishëm që do të fuste Shqipërinë në shina institucional dhe do t’i jepte fund një polarizimi të ethshshëm apo “lufte civile” verbale ku në institucione është vetëm një anë e politikës, pra PS, ndërsa opozita ndodhet jashtë, e larguar në fakt në një tentativë të sajën për të bllokuar Edi Ramën që të zhvillonte zgjedhjet lokale të 30 qershorit të vitit të shkuar.

Siҫ mësohet, pakti që po negocohet nga amerikanët dhe europianët konsiston në mbylljen e shpejtë të Reformës Zgjedhore tani, dhe arritja e një marrëveshjeje që ҫon vendin në zgjedhje të plota lokale në muajin tetor.

Kjo rrugë, ligjërisht mund të marrë spunto edhe nga vakumi i krijuar në disa bashki, ku kryetarët ose janë larguar si pasojë e dekriminalizimit siҫ ka ndodhur me Valdrin Pjetrin në Shkodër dhe Agim Kajmakun e Vorës, apo edhe dorëheqjet si na rastin e kreut të bashkisë Durrës, ku dha dorëheqjen në fillim kryetarja e bashkisë Valbona Sako dhe pas saj edhe kryetari i komanduar Zhyljen Varfaj etj.

Zgjedhjet vendore do të ishin një “provë gjenerale” sesi funksionon politika pa kurthet e 7 viteve që kanë hedhur në erë ҫdo proces normal që nga Reforma në Drejtësi e deri tek zgjedhjet e radhës.

Ballafaqimi elektoral për bashkitë do të jenë një test laboratorik i monitoruar nga ndërkombëtarët sesi politika do të kthehet në shina normale, pa vënë në pikëpyetje ekuilibrin institucional apo impasin e sistemit siҫ ndodhi në 2017 ku me ҫadrën kërcënohej që të mos kishte zgjedhje ndërkohë që Parlamentit i përfundon mandati, apo në 2019 ku bashkive i mbaronte mandati dhe opozita i bojkotoi, ndërkohë që kishte djegur edhe mandatet.

Përveҫ testit për hyrjen në shtrat të politikës, që është realisht provë e SHBA e BE-së, zgjedhjet vendore do të shërbenin për opozitën, si për PD-në e Bashës, LSI-në por edhe partitë e tjera që përpara se të përplasen për Parlamentin e ardhshëm te kenë një mundësi të artë për të sjellë një alternativë për bashkitë e vendit.

Nëse për zgjedhjet parlamentare, Rama do të luante sërish me kartën se opozita nuk ka një lidership të ri e që sërish do të qarkullojë Bashën e Kryemadhin, për zgjedhjet lokale opozita mund të propozojë një buqetë emrash për krerët e bashkive, të cilat do të diversifikojnë propozimin politik në Shqipëri, jashtë rrethit vicioz të klikës aktuale.

Ndërkaq, faktori i tretë i kësaj prove është edhe vënia në funksionim në një lloj “projekti pilot” i paktit politik, pra i Reformës Zgjedhore nëse do të funksionojë.

Dhe nëse ky pakt funksionon, krijohen disa kushte optimale për parlamentaret e 2021, ku politika hyn në shina institucionale dhe nuk ka më dalje jashtë, e Edi Rama nuk do të mbante gjithë pushtetet. Ndërkaq, opozita edhe nëse del keq, mund të marrë një numër bashkish të paktën në bastione dhe është kryer njëherësh një stërvitje pa molotov e përplasje por me vota.

Atëherë zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 do të ishin më afër aspektit normal të përplasjes së alternativave, pa ultimatume dhe sllogane të tipit “Me Ramën s’ka zgjedhje, apo PS e vetmja forcë që mund të qeverisë se s’ka të tjerë”.

Por ka edhe një Post Scrictum në mes: do të ketë nisur punë BKH-ja dhe SPAK mund të ketë ngritur dosjet e para penale për zyrtarët e lartë të politikës. Dhe ky aspekt do të ishte realisht katalizatori i vërtetë për zgjedhjet e 2121-it. /tesheshi.com/

Shpërndaje