8.4 mln euro për rrugën e hyrjes në Shkodër/ ARRSH shpall fituesin për aksin kthesa e Bërdicës-Ura e Bahçallëkut…

Shpërndaje

Rreth 8.4 mln euro do të kushtojë ndërtimi i rrugës së re për hyrjen në qytetin e Shkodrës. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur konsorciumin e kompanive që do të kryejnë punimet, rreth 1 muaj pas hapjes së tenderit. Në garë morën pjesë 6 kompani, ndërkohë që oferta e bashkimit të operatorëve “Kupa”, “A.L-ASFALT” dhe “Sireta 2F” ka marrë më tepër pikë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave.

Projekti përfshin ndërtimin e aksit kthesa e Bërdicës – Ura e Bahçallëkut, ndërsa në dokumentet e tenderit specifikohej se ky segment do të shërbejë si rakordim i parametrave gjeometrikë dhe funksionalë të rrugës ekzistuese të hyrjes në qytetin e Shkodrës si dhe lidhjes me urën ekzistuese të Bahçallekut.

Ura ekzistuese parashikohet të ruhet dhe do të jetë funksionale edhe me dublimin e saj paralel me urën ekzistuese. Kjo duke qenë se me rrugën e re do parashikohet realizimi i një ure të re, paralel me urën ekzistuese, duke theksuar se ura e re nuk duhet të cenojë për asnjë arsye sigurinë apo qëndrueshmërinë e urës ekzistuese. Kjo urë do të akomodoje trafikun që lëviz në drejtimin e Tiranës, ndërsa ura ekzistuese do të shërbejë vetëm për trafikun që lëviz në drejtimin e Shkodrës.

Rruga e re do të jetë e kategorisë D, me 2 korsi për secilin drejtim lëvizjeje dhe me trotuar më të gjerë se 1.5 m në të dy anët e saj.

Shpërndaje