Qyteti i Shkodrës vazhdon të preket nga një valë e madhe infektimesh nga përhapja e Covid-19. Mëngjesin e kësaj të shtune nga 28 testmimet e bëra tek personat e dyshuar me COVID-19 një ditë më parë, 6 prej tyre kanë rezultuar pozitiv, njëra është punonjëse e gjykatës së rrethit gjyqësor Shkodër.
Rastet e 24 orëve të fundit mësohen të jenë kontakte nga të infektuarit e ditëve të kaluara. Deri më tani numri i të prekuve në qytetin e Shkodrës është 223 persona që nga fillimi i pandemisë.
Mbi 100 raste janë të infektuar aktiv në total në qarkun Shkodër nga koronavirusi. Nga këta pothuajse të gjithë këta të infektuar aktiv janë asimptomatik dhe po qëndrojnë të izoluar në shtëpi. Në bashkëpunim me Policinë dhe Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor vijon kontrolli i personave të prekur me Covid-19 për respektimin e karantinës. Kontrollet zhvillohen në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë në orare të ndryshme të ditës.
Nga kontrolli i një dite më parë nuk rezulton të ketë qytetarë shkodran të cilët kanë thyer rregullat e vetëizolimit. Ndërkohë një ditë më parë Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit ka inspektuar dhe monitoruar në qarkun Shkodër 74 subjekte në total për të kontrolluar zbatimin e protokollit të sigurisë në punë. Në bazë të monitorimit është vënë re se disa nga subjektet kanë mungesë të posterave të afishuara.
Ditët e fundit po zbulohen raste të rëja në disa ndërmarrje dhe subjekte tregtare, ndaj Ministria e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes sociale i bën thirrje bizneseve të zbatojnë rregullat e vendosura për të parandaluar përhapjen e mëtejshëm të koronavirusit. Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetsor në kuadër të hetimit epidemiologjik vazhdon të testojë personat që paraqesin simptoma të ngjashme me ato të COVID-19 si dhe kontaktet e atyre që kanë rezultuar pozitiv ditët e fundit.