Zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit do të jenë një sfidë e madhe për kryebashkiakët e rinj. Aktualisht, 6 bashkitë pa kryetar përkatësisht Shkodra, Lushnja, Rrogozhina, Vora, Dibra dhe Durrësi po përballen me detyrime të prapambetura.
Sipas përfaqësuesit të shoqatave të bashkive, Agron Haxhimali, borxhet e akumuluara vijnë kryesisht si pasojë e detyrimeve të ardhura nga proceset gjyqësore, e ndërsa fondet e pakta e kanë bërë më të vështirë mundësinë e tyre për të investuar në qarqet përkatëse.
Stoku i detyrimeve është zgjeruar me rreth 10.3% krahasuar me nivelin e regjistruar në fund të 6-mujorit të 2021, duke llogaritur një total prej 7.2 miliardë lekësh.
Për eksperten Adelina Farici, drejtuesit e rinj vendor që do të dalin nga zgjedhjet e 6 marsit do të përballen me një sfidë të re, atë të menaxhimit të këtyre bashkive, duke synuar uljen e nivelit të borxhit dhe ofrimin e më shumë shërbimeve publike për qytetarët.
Bashkitë në vend, me përjashtim të kryeqytetit, kanë një ekonomi lokale të dobët e ndikuar nga mungesa e investimeve, dhe largimi i popullsisë. Ndërkohë që financat e pushtetit vendor në këto zona janë të varura nga transfertat që jep qeveria nga buxheti.