500 mijë euro te aspiratori, lirohet nga burgu Alda Klosi…

Shpërndaje

Ish zyrtarja e Ministrisë së Financave, Alda Klosi është liruar nga burgu. Ajo ka përfunduar dënimin me 2 vjet e 6 muaj të dhënë nga gjykata, që nga gjykimi i shkurtuar u ul në 20 muaj burgim.

Ndërkohë pas lirimit ajo do të qëndrojë në “arrest shtëpie” për llogari të akuzës së dytë të “pastrimit të parave”,  derisa prokuroria të vendosë pas afatit që i la gjykata.

Ish-zyrtarja e Financave në kohën që ky dikaster drejtohej nga Arben Ahmetaj, u hetua për tre vepra penale nga prokuroria e kryeqytetit.

Në të njëjtën dosje me Klosin, u dërguan për gjykim edhe sanitarja Rozeta Dobi, si edhe djali i saj Havier Dobi. Për nënë e bir prokuroria kërkon gjykim për akuzën e “vjedhjes me pasoja të rënda”, kryer në bashkëpunim. Prokuroria e Tiranës dyshon se 500 mijë eurot e gjetura në banesën e Rozeta Dobit janë vjedhur nga dy familjarët Dobi në banesën e Alda Klosit. Paratë u zbuluan pas një kallëzimi të Klosit për vjedhjen e gati 120 mijë eurove në banesën e saj. Një pjesë e shumës në fjalë dhe bizhuteri e sende me vlerë u gjetën në banesën e sanitares së saj, Rozeta Dobit.

Një kontroll i dytë pas një përgjimi ambiental të nënë e bir zbuloi edhe gati 500 mijë euro të tjera “cash”. Gati një muaj pas arrestimit dhe lënies pa shpjegim të origjinës së 500 mijë eurove, Rozeta Dobi përfshiu edhe Klosin në histori. Ajo i tha hetuesve se të gjitha paratë i përkisnin ish-zyrtares, e cila ia kishte lënë në ruajtje.

Shpërndaje