5.5 mld lekë tendera për mirëmbajtjen e rrugëve, por mungojnë borëpastrueset dhe kripa…

Shpërndaje

Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë krijuar një situatë kritike në vend me vështirësi në qarkullim dhe bllokime në akset kryesore kombëtare.

Problematikat u shfaqën pothuajse në të gjitha akset në vend edhe pse janë nënshkruar disa tendera për këtë qëllim.

Sipas të dhënave që nga muaji tetor të vitit 2020 e deri në shkurt fondi i kaluar nga buxheti i shtetit në drejtim të firmave kontraktore me qëllim mirëmbajtjen e segmenteve rrugore arrin në të paktën 5.5 miliardë lekë.

Por pavarësisht këtij fondi të dhënë nga buxheti i shtetit përkeqësimi i paralajmëruar i motit u pasua me mungesën e ndërhyrjes me borëpastruese apo hedhje të kripës për të shmangur rrëshqitjet dhe aksidentet. 

Situata u paraqit më problematike në Autostradën Lezhë-Milot e cila u bllokua për më shumë se 4 orë si pasojë e ngricës në rrugë.

Qindra qytetarë kaluan natën në makina në pritje të ndërhyrjes nga firma mirëmbajtëse. Sektori i Qarkullimit Rrugor dhe Specialistët e Krimit Ekonomik e Financiar të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, ka nisur procedim penal ndaj firmës kontraktuese për mirëmbajtjen e rrugës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës “, pasi nuk kanë marrë asnjë masë në lidhje me mirëmbajtjen e këtij aksi.

Shpërndaje