Kriza e koronavirusit ka pasur ndikim të madh tek ekonomitë në të gjithë botën dhe për shumë të rinj, është bërë më e vështirë se kurrë, gjetja e një pune.
Në këto kushte nuk duhet të jemi të dëshpëruar në kërkim dhe nuk duhet të ngatërrohet koncepti i të qenët i zënë me efikasitetin….
1.Gjeni një punë që ju pëlqen!
“Mendoj se është çmenduri të vazhdoni të pranoni punë që nuk ju pëlqejnë vetëm sepse mendoni se janë të mira për CV-në tuaj” thotë Warren Buffett.
Thelbi i kësaj shprehje është se duhet të përqendroheni në kërkimin e një pune që ju pëlqen me të vërtetë dhe që përshtatet me aftësitë dhe interesat tuaja. Shumë njerëz vijojnë të bëjnë punë që i kanë zgjedhur kur ishin pak më shumë se 20 vjeç apo punë të cilat i kanë pranuar për t’u bërë qejfin prindërve. Dhe ata vazhdojnë ta bëjnë këtë vit pas viti, për dekada, pavarësisht se nuk marrin as shpërblime të konsiderueshme financiare dhe as mirënjohje profesionale.
2.Mos u bëni kandidatë “të dëshpëruar” ose “në nevojë”.
“Në njëfarë mënyre, shumë kandidatë janë pak si lypësit: ata pranojnë çdo gjë dhe nuk janë kërkues” – thotë profesori i marketingut, David J. Schwartz. Dhe ai ka të drejtë! Gjatë çdo interviste pune, mos lini mënjanë respektin për veten dhe krenarinë. Mos u sforconi të gjeni se çfarë duan të dëgjojnë intervistuesit tuaj: ata do ta shohin të gjithë këtë si një dobësi dhe do të humbin interesin karshi jush. Tregojuni atyre se e dëshironi me të vërtetë këtë punë specifike, por bëni kujdes të mos tingëlloni të dëshpëruar apo lutës.
Jini të sjellshëm, shfaqni vetëbesim dhe interes duke bërë pyetje. Intervistuesit duhet të perceptojnë se procesi i njohjes është reciprok, d.m.th. se edhe ju jeni duke e “intervistuar’ kompaninë, po aq sa ajo po ju interviston ju. Kjo do të rrisë ndjeshëm mundësitë për të fituar vendin e punës.
Të kërkosh punë është si të përpiqesh të bësh për vete një femër: mashkulli është më tërheqës në sytë e një femre nëse ajo beson se ai është i dëshiruar nga femra të tjera dhe që, për ta pasur, duhet të bëjë përpjekje shtesë. Ata që projektojnë imazhin e “nevojtarit” kanë më pak shpresa për t’ia dalë mbanë, si në dashuri, edhe në intervista pune.
3. Shefi juaj është klienti numër 1!
Ja një tjetër këshillë e çmuar, e thënë nga Brian Tracy, autor i shumë librave. “Klienti juaj numër një në punë është shefi juaj… Sa më i kënaqur të jetë shefi juaj për ju dhe punën tuaj, aq më të lumtur do të jeni dhe më e sigurt do të jetë e ardhmja”.
“Mbani shefin të lumtur” tingëllon pak si deklarata e një personi lëpirës, apo jo? Natyrisht, nuk është ajo që Tracy kishte në mendje. Pjesa më e madhe e drejtuesve nuk i vlerëson veçanërisht pjesëtarët e ekipit që nuk e shprehin mendimin e tyre pasi kanë frikë se fyejnë superiorin, edhe pse për fat të keq, disave u pëlqejnë punonjësit që nuk kanë kurrë guxim t’i kundërshtojnë.
Merrni pak kohë për të menduar se çfarë nënkupton me këtë shprehje Tracy. Është e rëndësishme të dini me saktësi se çfarë pret një drejtues. Por si mund ta zbuloni se çfarë do shefi juaj? Pjesa më e madhe e drejtuesve është më se e lumtur të ulet dhe të diskutojnë pritshmëritë me punonjësit.
Në një sondazh, drejtuesit dhe menaxherët e kompanive u pyetën se cilët ishin punonjësit e tyre idealë. Intervistuesit vunë në vend të parë njerëzit që kanë aftësitë të përcaktojnë përparësitë e duhura.
4. Mos ngatërroni të qenët i zënë me punë efikase
Autori bestseller Timothy Ferriss është shprehur ashpër ndaj personave që ngatërrojnë të ‘qenët i zënë’ me ‘punë efikase’. “Të qenët i zënë është një formë e të menduarit dembel dhe veprimi pa dallim. Shumë punonjës e masin ndihmesën e tyre në performancën e kompanisë në kuptimin e orëve të kaluara në zyrë. Askush, dhe sigurisht, vetëm “superiori” apo drejtuesi me pak inteligjencë, nuk do t’i vlerësonte kurrë punonjësit në bazë të këtij standardi.
Me siguri e keni dëgjuar shprehjen që 20% e veprimeve gjeneron 80% të rezultateve. Për këtë arsye duhet të identifikoni atë 20% dhe më pas të përqendroheni tek ato aktivitete. Pjesa e madhe e njerëzve që nuk bëjnë karrierë në jetë, jo domosdoshmërisht është dembele apo pa ambicie, thjesht humbin shumë kohë në aktivitete të padobishme në vend që të përqendrohen tek ato gjëra që bëjnë diferencën dhe do të jepnin me të vërtetë rezultat.
Burimi: Linkiesta