Shumë qytetarë kanë nisur lirimin e mjediseve të zëna, ashtu si edhe shumë subjekte i janë drejtuar Zyrës me një ndalesë, për kryerjen e procedurave. Janë 37 subjekte që ofrojnë shërbime bar/restorant dhe 6 të tjerë për parking, kanë kërkuar pajisjen me lejen e bashkisë, për kryerjen e veprimtarisë së tyre konform ligjit.
Ky proces nënkupton së pari marrjen në shqyrtim të subjekteve, nëse janë debitorë ndaj shtetit dhe nëse kërkesa e tyre ka përputhshmëri në terren, pra mund të pajisen me leje pa cënuar ligjet, rregullat dhe hapësirën. Çdo kërkesë po trajtohet me seriozitetin e duhur nga sektorët përkatës në bashki. Duke inkurajuar qytetarë dhe subjektet private që të lirojnë hapësirat e zëna padrejtësisht, afati i lirimit vullnetar të tyre ,mbetet i njëjtë, data 26 qershor. Në përfundim të këtij afati pesëditor, Bashkia do të ndërhyjë për lirimin e tyre me strukturat përkatëse dhe forcën që i jep ligji.
Zaptimi i parkingjeve, trotuareve mbetet një ndër sfidat kryesore veçanërisht gjatë stinës së verës. RTSH Shkodra disa herë ka shprehur shqetësimin e qytetarëve shkodranë për lirimin e këtyre hapësirave, iniciativa të ndërmarra edhe më herët për lirimin e tyre, por vetëm në kuadër të aksioneve sporadike.