Në përkujtim të 35 vjetorit të ngjarjeve të 11-14 janarit 1990.
Dhjetori është muaji i lindjes së diktatorit rus Stalin. Në vitin 1950, të gjitha aktivitetet e shtetit shqiptar të kohës iu kushtuan pikërisht atij. Vetë Enver Hoxha, duke shfaqur haptas servilizmin karshi udhëheqësit të tij shpirtëror filloi të përhapte masivisht kultin e Stalinit në Shqipëri. Kështu në Shqipëri do vendoseshin pa fund emra të Stalinit, buste e monumente.
Me 5 nëntor të vitit 1951 u përurua në Tiranë monumenti i Stalinit, sipas vendimit që kishte marrë Kuvendi Popullor në mbledhjen e 11 janarit të po atij viti. Po ashtu në shumë qytete të Shqipërisë filloi vendosja e busteve të tij. Pak kohë më pas, në qendër të qytetit të Shkodrës u vendos një bust, fillimisht prej betoni, pastaj prej bronxi.
Në janarin e vitit 1990, disa të rinj shkodranë dhe jo vetëm ideuan rrëzimin e bustit të Stalinit në qendër të qytetit. Nuk bëhej fjalë vetëm për një tubim apo protestë, por për një organizim të mirëfilltë me karakter politik dhe ekonomik, pasi ishtepërgatitur të mbahej para qytetarëve një fjalim me tematikë të tillë. Datat 11 dhe 14 janar do mbesin gjatë në kujtesën e shkodranëve. Në këto dy ditë Rin Monajka, Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Nikolin Thana, Flamur Elbasani e shumë të tjerë, do ta paguanin shtrenjtë iniciativën e tyre. Ata të gjithë u arrestuan në natën mes 13 dhe 14 janarit. Kështu me 14 janar u zhvillua një protestë e heshtur, në të cilën morën pjesë mijëra qytetarë shkodranë. Organizatorët ishin të mbyllur në “birucat” e Degës së Brendshme, ku u torturuan nga hetuesit dhe operativët e Sigurimit. Busti qëndroi në shesh deri në gjysëm e vitit 1990, ku u hoq në mënyrë tinzare gjatë natës, nga vetë operativët e Sigurimit. Ata e hoqën për ta ruajtur nga dëmtime të mundshme që mund t’i shkaktonin qytetarët në protesta apo revolta të mëvonshme.
Ngjarjet e këtyre ditëve ishin shkëndija e parë në rang kombëtar kundër diktaturës komuniste. Në Shkodër protesta dhe demostrata kundër komuniste vazhduan dhe më 16 qershor 1990, 13 dhjetor 1990 dhe 2 prill 1991.
Koha tregoi se sado gjatë të vazhdojë një regjim, ai një ditë do të bjerë dhe kur ra regjimi diktatorial në Shqipëri, u pa qartë se e gjitha kishte qenë një butafori. Ai që deri dje paraqitej si një hyjni, nuk kishte qenë kurrë miku ynë, as mbështetësi dhe udhëheqësi i popullit shqiptar. Thjesht kishte qenë një diktator i çmendur dhe i mjerë.