30 mijë refugjatë nga Siria do të strehohen në Shqipëri, ja plani i qeverisë

Shpërndaje

Shqipëria po parapërgatitet për të qenë gati në rast se do të përballet me një situatë të tillë emergjente, në lidhje me refugjatët nga Siria. Katër institucione në vend po diksutojnë për të marrë përgjegjësitë në një situatë të tillë dhe paraprakisht është menduar të bëhen gati 6 qendra pritëse, të cilat mund të vendosen në jug të vendit në kufi me Greqinë.

Emergjencat, Policia e Shtetit, Ministria e shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes po ndajnë detyrat në rast se ndodh që Shqipëria të përballet me fluksin e refugjatëve sirianë të ardhur nga Greqia. Opsioni për qendrat pritëse mund të jenë sipas burimeve në Elbasan, Gjirokastër, Korçë por edhe në Lezhë. Paraprakisht është llogaritur që kapaciteti pritës në gjashtë qendra të jetë për rreth 30 mijë refugjatë. Ky plan masash që është nën diskutim përfshin edhe angazhimin e mjekëve, por edhe të logjistikës nga institucionet e tjera.

Një diskutim i tillë nëse Shqipëria do të strehonte apo jo refugjatë sirianë u hap edhe gjatë vitit 2015, kur u kërkua ngritja e një mekanizmi për të marrë masat në kushte nevoje. Kriza e refugjateve u rihap pak ditë më parë kur Turqia hapi dyert për të lejuar rrugëtimin e refugjatëve sirianë drejt vendeve të BE-së, ndërkohë që menjëherë pas këtij veprimi Greqia dhe Bullgaria deklaruan se kishin forcuar masat në kufi. /Top Channel/

Shpërndaje