3 gola s’mjaftojnë – Vllaznia jashtë Kupës, Dinamo kalon me frikë…

Shpërndaje

Vllaznia bën një rikthim spektakolar në 15 minutat e fundit të ndeshjes, duke shënuar tre gola dhe ngushtuar diferencën nga 0-4 në 3-4, por pa arritur të përmbysë rezultatin. Kuqeblutë eliminohen kështu nga Kupa e Shqipërisë, pas barazimit 0-0 në sfidën e parë në “Loro Boriçi”.

Për 70 minuta, Dinamo dominoi takimin, duke shënuar katër herë, një prej tyre nga penalltia, pas një gabimi të portierit Jukaj. Por ndryshimet taktike të trajnerit Brdaric sollën reagim: Gruda shënoi në minutën e 71-të, Balaj ndjek me një gol me kokë pas 8 minutash, ndërsa Kahrimanoviç në të 85-ën ndez shpresat për një përmbysje të plotë.

Megjithatë, minutat shtesë nuk mjaftuan dhe Vllaznia i thotë lamtumirë një prej trofeve të sezonit. Tani gjithë vëmendja është te sfida e fundit e kampionatit kundër Laçit në Shkodër, ku një fitore do i siguronte vendin e dytë dhe avantazhin e dy rezultateve në “Final 4”, me shumë gjasa sërish përballë Dinamos.

Shpërndaje