29 vite nga gjenocidi në Srebrenicë, sot Dita Përkujtimore në nder të mbi 8.300 viktimave…

Shpërndaje

11 korriku është Dita Përkujtimore e Gjenocidit në Srebrenicë. Vendimi u mor ditën e djeshme nga qeveria e Kosovës të cilët mbështetën Rezolutën e OKB-së, përmes së cilës 11 Korriku shpallet Ditë Përkujtimore e mbi 8.300 viktimave të gjenocidit të korrikut 1995, në Srebrenicë.

Më 7 korrik të vitit 2021, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë.

Por shpallja e kësaj date, si ditë përkujtimi në Kosovë është kërkuar me anë të një rezolute të miratuar në vitin 2021.

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë lëshoi një vendim që thotë se Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Në atë kohë Srebrenica ishte zonë e mbrojtur e OKB-së. 

Në maj, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së përmes një rezolute përcaktoi 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit.

Po ashtu, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.

Në lidhje me gjenocidin në Srebrenicë, u dënua me burgim të përjetshëm ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe ish-komandanti i përgjithshëm i ushtrisë Serbe, Ratko Mlladiq.

Po në 7 korrik të vitit 2022, edhe Kuvendi i Shqipërisë miratoi Rezolutën për dënimin e këtij gjenocidi, ndërsa Maqedonia e Veriut e ka miratuar këtë rezolutë në vitin 2010.

Shpërndaje