24 e fundit Policia e Shtetit gjobit 230 shtetas, dolën pa arsye…

Shpërndaje

Policia e Shtetit

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID 19.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 20 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID 19″.

Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, në 112/129 dhe Komisariatin Dixhital, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 230 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 9 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Në Tiranë është proceduar penalisht shtetasi T. LL., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, i ka shërbyer kafe qytetarëve në dyqanin e tij “Furrë Buke Pastiçeri” dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mosushtrimin e këtij aktiviteti.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID 19.

Shpërndaje